Nga Dilaver Baxhaku
Nuk flitet për një rrugë të vërtetë: duhet marrë si metaforë. Piqerasi si rrugë kryesore ka atë që e përshkon mes për mes nga Tirana deri tutje në Sarandë. Fshati i pjerrtë nuk mundet të ketë rrugë të gjera, përveç se disa rrugina kryq e tërthor, që lidhin shtëpitë me qendrën, me dyqanet, me ullishtat, me baret e restorantet. Rrugë të re do të doja të quaja turizmin familjar, që po e zhvillon tanimë gjerësisht ky fshat në buzë të Jonit. Dhe këtë rrugë-metaforë, të themi, e ka hapur, apo nisur një banor vendas, Hyso Vela quhet. Ti me miqtë e tu pi kafen e mëngjesit në bar-restorantin e tij aty në të hyrë të fshatit, dhe biseda shkon te turizmi familjar, që bëhet kudo në fshat. Tjetri, i zoti i barit, të afrohet buzagaz me një poçe rakie në dorë, dhe, duke ta mbushur një gotë ty dhe një mikut, thotë:
– Këtë rrugë e kam hapur vetë. Ka ca vite, u bënë goxha tani, por kam qenë vetë i pari që e hapa dhe e shkela. Thuaje si të duash.
Miku që kam përballë në tavolinë, vë buzën në gaz miratueshëm. Në tavolinën aty pranë, një burrë mjekrosh i mban sytë nga ne. Kur ia drejtoj edhe unë shikimin, ai buzëqesh miqësisht dhe ngre gotën që ka në dorë: Gëzuar!
– Kjo është rakia e tij? – e pyes Vasilin.
– E tija, posi. Po e di ti se cili është ai zotëria? Është babai i Petros, një djalë i sapomartuar nga Rumania, që e bëri “muajin e mjaltit” këtu, me mjaltë Piqerasi, dhe u kënaq shumë bashkë me të shoqen. Pastaj iku dhe, ja, më solli të atin. Ky paska një fabrikë atje në Rumani. Pastaj është dhe qejfli i rakisë, thotë se e zien edhe nga qershia, atë të uruar. Ja, kjo është, të pëlqeu? Thotë se i biri i paska folur me super…, si i thonë, profesor? – i drejtohet mikut tim.
– Me superlativa – e ndihmon ai.
– Hë, pra! I ka folur me ashtu për natyrën, për ullinjtë, për rrushin e agrumet, për detin, pastaj për njerëzit, janë shumë të mirë, i ka thënë. Dhe e ka yshtur të vijë të pushojë ca ditë këtu. Po edhe të shohë, se, si biznesmen që është, kushedi ç’i shpik mendja.
– Ku e ke vënë? – e pyes.
– Si ku e kam vënë? Po kam hotelin, ja këtu, i gjithë kati i dytë, pastaj andej matanë. Rehatoj me dhjetëra persona në natë. Plot kam qenë këtë verë, asnjë krevat bosh për të gjithë kohën. Të kujtohet, profesor, kur të telefonova një natë për dy vende, se kisha mbi kapacitetin? Po i rregullova, ja ashtu. Nuk lëmë njeri jashtë.
Është realitet tashmë: Piqerasi është bërë me kohë një vend i lakmuar turistik për pushimet verore, madje jo vetëm nga vendasit, por sidomos nga të huajt. Hotelet familjare do t’i gjesh në sitet ndërkombëtare të udhëtimeve turistike dhe pushues nga shumë vende nisen këtu pas një klikimi e një prenotimi on-line. Kalon rrugës dhe rrugicave të fshatit dhe në çdo derë a portë shikon njoftimin që paraqet shtëpinë turistike. Në shqip dhe në anglisht, apo dhe në gjuhë të tjera. Por këto njoftime, siç thashë më lart, i gjen në shumë site turistike të rrjetit. Pra, Piqerasi, nuk është më një fshat i “mbyllur” në gjirin e ullinjve, aty buzë Jonit. Emri dhe fama e tij kanë çarë rrjetin.
Edhe Miho Gjini, miku im i kahershëm, me të shoqen, Elenin, e nisën sivjet turizmin e tyre. Ishte e bija që i yshti: ajo rri në Greqi, por erdhi me një ide të qartë: duhet të nisim edhe ne rrugën e turizmit. Dhe u vunë e rregulluan shtëpinë, e pajisën me të gjitha të reja, e hodhën njoftimin në rrjet, dhe qysh këtë vit patën bujtësit e parë. Familja gjermane që mbyll turnin e fundit të gushtit, përbëhet prej 4 personash: çifti me dy fëmijë. Kristiani bën një punë për t’u lavdëruar në një qendër edukimi: çdo vit shëtisin fëmijë gjermanë nëpër botë për t’u njohur me fëmijë që vuajnë për shumë mungesa në jetë. Por në Piqeras kanë ardhur thjeshtë për pushime. Vite më parë, gjatë nëntëdhjeteshtatës së frikshme, ai ka qenë në Tiranë i shoqëruar nga dy shqiptarë që jetonin në Berlin. Tashti shikon ndryshimin, sidomos në mentalitet.
– I admiroj njerëzit që ndjekin rrugë të reja në jetë, – thotë me italishten e tij për t’u lavdëruar. – Turizmi familjar, sigurisht që është një rrugë me fitim për njerëzit e fshatit e të zonës.
Ndërkohë, Eleni, zonja e shtëpisë, më lutet t’u them të mos dalin për të ngrënë mëngjes jashtë, pse po përgatit diçka të veçantë. Dhe bashkë me të shoqin vihen të pjekin në tigan petët, siç i quan ajo, disa si petulla apo tullumba, të ngjizura me miell e kos. Dhe, të ngjyera me mjaltin e vendit, janë një kënaqësi e paparë.
– Këtu jemi ndier si në shtëpi – thotë Maria, bashkëshortja e Kristianit. – Kjo ka qenë kënaqësi plus për ne.
Dhe nuk reshtin së thëni “faleminderit, faleminderit”. Ndoshta edhe nga kënaqësia që kanë mësuar disa fjalë e shprehje shqip.
Në mbrëmje, po të darkosh te “Taverna”, do të ndihesh si në një qytet të vërtetë turistik. Tavolinat të gjitha të zëna me njerëz që kushedi se nga vijnë. Mbajmë vesh e mundohemi t’u dallojmë përkatësinë sipas gjuhës që flasin. Pastaj përpara teje avullon mishi i qengjit të pjekur për merak dhe poçet e verës së kuqe apo të bardhë. Një mbrëmje tamam e veçantë.
Çdo shtëpi këtu është një ballkon mbi Jonin e qetë blu, që shtrihet atje tej në këmbët e fshatit. Ti fut në objektiv një pëllëmbë deti dhe mendon se kushedi në sa objektivë celularësh është fiksuar ai peizazh e kushedi kush e shikon tashti duke u shprehur: Oooo, ç’mrekulli!
Kjo është rruga që ka zënë tanimë Piqerasi: krahas kulturës së ullirit, vreshtave e bletëve, ka futur edhe turizmin familjar si një mundësi për të rritur të ardhurat.
Por duket se lypset gjithsesi një rrugë e re në Piqeras. Nuk është lojë fjalësh. Këtë e merr vesh kur zbret poshtë në buzë të detit, nëpër rrëpirën e thiktë, që mban plot gjysmë ore. Sapo kalon kodrën me ullinj, para syve të dalin një rresht çadrash dhe një kasolle e thurur me thupra dhe e mbuluar me degë aty në buzë të detit. Bën një foto. Eh, këto peizazhet me Jon! S’ke të ngopur. Objektivi mbushet me ujin blu. Pastaj zbret poshtë, ku disa djem të veshur njëlloj, të presin me ëmbëlsi e bujari. Një gotë ujë të freskët, një kafe, edhe pse ti ngurron të pranosh, ngaqë nuk ke marrë para me vete, pse ke menduar se aty do të gjeje vetëm rërë dhe det.
– Shumëkush ende nuk e di se këtu mund të gjejë një kafe a një birrë, lëngje freskuese, madje edhe për të ngrënë – më thotë njëri nga djemtë që shërbejnë aty dhe që mësova se quhet Eri dhe vjen nga Tirana. – Ne e nisëm këtë aktivitet para disa javësh, jemi katër shokë dhe thamë ta provojmë njëherë. Por jo fare kot, kishim një ide që donim ta testonim. Këtu poshtë ka det e rërë, diell, po se po, pse të mos ketë edhe një pikë ku pushuesit të gjejnë atë që duan.
Është një gji i vogël në këmbët e fshatit, deri pak më parë i virgjër, pse nuk shkonte njeri. Pastaj dikush rrëmoi me buldozerin e tij dhe e zgjati shtegun deri këtu poshtë.
– E bëra për familjen time – thotë Iliri, ai që hapi shtegun. – I sjell këtu çdo mëngjes dhe kthehemi në darkë. Unë bëj punët e mia, ata rrinë me detin.
Shtegu u hap, ndërkohë, disa pushues nga Borshi, që e morën vesh për kasollen-bar, i nganë makinat buzë detit dhe mbërritën këtu. Tashti ky gji i fshehtë nuk është i “shkretë”. Çdo ditë vijnë dhjetëra pushues nga Borshi e nga Piqerasi.
Por ajo që të tërheq më shumë është nisma e këtyre të rinjve, që kanë nisur këtë aktivitet të guximshëm këtu në një gji të “humbur”. Ata janë katër: Visi, që ka një stan me 500 kokë dele e dhi, që ka dhe një baxho ku i bën të gjitha nënproduktet e qumështit, bashkë me bashkëfshatarin e tij, Edi, pastaj dy tiranasit, Mateo dhe Eri, që sapo ka mbaruar fakultetin ekonomik dhe, për të bërë masterin pasuniversitar, në vend të bareve të Tiranës, zgjodhi një barakë në buzë të detit.
– E ngritëm këtë kasolle, sa për të parë se si do të shkojnë punët. Pse kemi në plan të bëjmë diçka vërtetë të veçantë, – thotë Eri ëndërrimtar. – Produktet e stanit të Visit do t’i kemi si bazë për gatimet tona.
– Duam të ngremë një bar-restorant të veçantë – ndërhyn Mateo – dua të them jo “klasik”, të ftohtë, me mure tullash e llaçi, si ato në qytet. Duhet të ketë erë fshati, erën e zonës. Me fytyrë… vendase. I pajisur me objekte e relikte tradicionale.
– Pse nuk thua të sjellim dhe stanin këtu? – e ngacmon Edi.
– Pse jo? – hidhet Visi. – Do të ishte interesante që pushuesit, sidomos të huajt, të ndiheshin si në stan. Fëmijët të bënin miqësi me një kec, apo të ledhatonin një qengj. Të shikonin si bëhet djathi e gjiza, gjalpi e kajmaku që do të shijojnë.
Qysh tashti ky grup i vogël shokësh: dy nga Piqerasi e dy nga Tirana, ofron shumë gjëra që u duhen pushuesve: jo vetëm kafe e lëngje të ftohta, po edhe gatime mishi e zarzavatesh, që i përgatisin e ëma dhe e motra e Visit. Nesër do të fusin edhe gatimet e peshkut të egër, pra të marrë drejt e nga deti.
Katër të rinj që lënë qytetin dhe e krijojnë vendin e punës në buzë të një gjiri të humbur në Piqeras, e gjitha kjo të ysht të mendosh me respekt për ta.
(TemA)
Piqerasi nje fshat shume i bukur por edhe me njerez te mencur,te urte e shume puntore.ja vlen te kalosh pushimet ne kete mrekulli buze Jonit.
Epo kote nuk quhet Piqeras ! Pi-qeras! Ne kete vend Pi dhe te qerasin !