"Përtej portës së dhimbjeve në kampin e Tepelenës"

21 Shtator 2018, 20:20Dossier TEMA

Nga Luljeta Progni

Kur hodha hapin e parë sapo u hap porta e kampit të Tepelenës, një ndjesi shumë e fortë më mbërtheu menjëherë. 69 vjet më parë atë portë e ka kaluar nëna dhe gjyshja ime, në kushte krejt të tjera. Padyshim që e lidh ndjesinë me rrëfimet që kam dëgjuar prej tyre. Rrëfime që s’të shqiten nga mendja dhe kur hyn tek ajo port mbart me vete edhe shumë dhimbje.

Ai kamp më trazon shpirtin shumë më tepër se sa kujtimet e nënës time. Kam dëgjuar shumë rrëfime për këtë copëz toke, që mban brenda saj shpirtra të trazuar fëmijësh, grash e të moshuarish.

Ndaj, atë ditë të 23 gushtit, kur u gjenda në mes të kampit, nëpër muret e kazermave të rënuara, filluan të më projektohen historitë e atyre njerëzve për të cilët ky vend ishte vetë Ferri.

Pëpiqem të hamendësoj ku kanë jetuar vuajtjet e tyre nëna, gjyshja… Hyj në një prej kazermave rrënoja… Gjej një qoshe dhe vendos ta përcakoj pikërisht aty vendin ku fjeti e drobitur nëna ime pasi kthehej nga puna, ku rënkoi nga lodhja e dhimbjet, nga uria. Përpiqem të komunikoj me atë qoshe ku bien rrezet e diellit që perëndon, duke krijuar imazhin e saj. Mundohem të kuptoj çfarë mendonte, për çfarë lutej…

Ec pak më tej dhe vazhdoj të gjej një vend për Zef Markun, Marie Tinaj, Djamant Zajmin, Age Ndrethinën, Zyrha Prroin…ata fëmijë që nuk u kthyen kurrë nga ky kamp, e që nuk dihet se ku i kanë eshtrat. Është e rëndë të hysh në atë botë, të përpiqesh të inskenosh çfarë i ka ndodhur këtyre fëmijëve…

Largohem nga kazerma dhe përballë shoh Klara Merlikën.  Ajo po shëtit nëpër kamp. Është 84 vjeçe dhe nuk do t’ia dijë aspak për vapën e asaj dite gushti. I ka marrë me rradhë kazermat duke i vrojtuar. Është një rit që ajo nuk e bën për herë të parë. Kthehet atje thuajse çdo vit dhe i viziton të gjitha kazermat me rradhë, duke shkelur pëllëmbë për pëllëmbë tokën ku qëndroi për pesë vite, ku kaloi fëmijërinë mes urisë e vuajtjeve, ku pa me sytë e saj tek vdisnin bashkëmoshatarë e të moshuar. Vazhdon të lotojë papushim, derisa arrin tek kazerma e fundit, e pastaj tek porta.

Është ora 4 pasdite dhe kampi është thuasje i boshatisur, pëveç disa punonjësve që po bëjnë gati skenën për aktivitetin e mbrëmjes, ku do të mblidhen disa nga të mbiejtuarit dhe ku presidenti do të dekorojë katër prej tyre. Klara ka përfunduar vizitën e saj dhe unë timen. Të dyja kemi mbërritur në hijen e një peme, të lodhura sikur kemi ardhur prej një pelegrinazhi të gjatë nga një vend i largët.

Klara nuk pushon së treguari çdo moment historitë që jetuar vetë aty. Janë përjetime që të therrin në shpirt. Duke biseduar me Klarën na afrohet një burrë. Ulet aty pa e ftuar dhe nis të flasë. Nuk u prezantua veçse tha se ishte banor i lagjes dhe shtëpinë e kishte ngjitur me kampin. Kuptova se donte të bisedonte me Klarën. Biseda mes tyre nisi e qetë, po shpejt u tensionua. Banori i ri i kampit të Tepelenës kishte ardhur për debat me Klarën ose për të shtyrë kohën, me sa kuptova. Po i tregonte se koha që ai kishte kaluar në emigracion kishte qënë shumë më e vështirë se sa koha që kishte kaluar Klara dhe bashkëvuajtësit e saj në kampin e Tepelenës. Klara është shumë e tensionuar dhe e ka të vështirë t’i pranojë këto krahasime ndaj i kthehet me një ton disi të acaruar mysafirit të paftuar në këtë bisedë.

“Ti nuk ke qenë këtu kur ishim ne dhe s’ke si ta dish, por nuk mund të vësh në dyshim vuajtjet tona… Ata tepelenas që ishin këtu atëherë e kanë parë dhe e kanë ndjerë dhimbjen tonë… e kanë vuajtur bashkë me ne”…

Biseda sa vinte bëhej më e tensionuar dhe në një moment vendosa ta xhiroj me aparatin celular. Banori nisi ta qetësojë tonin dhe moderoi edhe gjuhën. “Kur erdha këtu të ndërtoja shtëpi nuk e dija se po shkelja mbi eshtra njerzish”…

Bashkë me kolegët e tjerë gazetarë morëm Klarën dhe u ngjitëm në qytet, aty ku po zhvilloheshin aktivitete të organizuara nga Autoriteti i Informimit mbi Dosjet e Sigurimit të shtetit. Drejtuesja e këtij institucioni Gentiana Sulaj dhe stafi i saj, kishin organizuar një sërë aktivitetesh mjaft interesante për ti kthyer në kujtesën e të mbijetuarve detaje të jetës në kamp. Në godinën e kinemasë është një ekspozitë me dosje të Tepelenës. Ka emra fëmijësh që humbën jetën atje … Në sallë janë mbledhur të ftuar të ndryshëm, shumica të mbijetuarit e Tepelenës dhe të afërm të tyre. Pas takimit në kinema ata janë ftuar të shohin një aktivitet tjetër interesant: Në një kamion të ngjashëm me atë që kishte sjellë me përdhunë në Tepelenë të persekutuarit, do të hipnin disa të rinj që simbolikisht do të udhëtonin nga qyteti drejt kampit.

E para ëshë aktorja Ema Andrea, e cila ngjitet e emocionuar në kamion. Më pas arkitekti Gjon Radovani, për të cilin Tepelena është vendi ku vuajtën familjarët e tij, shkrimtari Agron Tufa, i cili është edhe drejtues i Institutit për Studimet e Krimeve të Komunizmit. Një tjetër vizitor në atë kamion është edhe Koordinatori i Perhershem i OKB-se ne Shqiperi, Brian James Williams. Në kamion ka shumë të tjerë, të rinj e familjarë të të mbijetuarve të atij kampi.

Lekë Pervizi e kundron me emocion skenën dhe natyrish përlotet ashtu si dhe e shoqja Beba, Klara, Prenga, Nika, Zoja, e shumë të tjerë të mbijetuar të atij kampi. Makina niset, ndërsa në sfond dëgjohet zëri i Mariza Ikonomit. Është duke kënduar vargjet e këngëve që të intenuarit kishin krijuar në atë kohë në kazerma. Janë fjalë dhimbje që Mariza i mësoi nga Klara Merlika dhe i këndon mes lotësh.

Të gjithë duan t’i dëgjojnë edhe njëherë fjalët e këngës… Të mbijetuarit i pëshpërisin ato pa zë…mes lotësh.

Kamioni ka ndalur. Edhe kënga. Ema zbret nga kamioni dhe thërret bashkëudhëtarët të zbresin njëri pas tjetrit për të shkuar tek ekspozita që është vendosur në muret e kazermave të kampit me fotografitë e dhimbjes, portrete që të flasin. Duket sikur secili prej tyre të thërret t’i afrohesh e ta dëgjosh….

Jam në rresht me të tjerë njerëz që po shohin fotografitë. Në krahun tim është një burrë i moshuar. Ndalon tek secila fotografi dhe herë pas here përlotet. Iu afrova dhe e pyeta se çfarë e lidhte me këtë kamp. “Kam jetuar këtu moj bijë. Isha 13 vjeç.” fillon të rrëfejë Preng Mëlyshi, njëri prej mirditorëve që u internua në vitin 1949. E pyeta nëse në ato fotografi kishte dikë të familjes së tij. Më pas e ftova të me tregonte godinën ku kishte jetuar.

Më tregon se familja e tij nëna, motrat e vëllezërit kishin mbijetuar, por atje kishte mbetur djali i tezes së tij dy vjeç, Dod Markabiba.

Prenga endet nëpër njerëz në kërkim të shokëve të tij të mbijetuar të atij kampi…. Në mendje i vijnë herë pas here bashkëmoshtarët që mbetën atje, që nuk i mbijetuan vuajtjve.

Kur po intervistoja Prengën, përballë meje ndaloi një makinë dhe prej aty zbritën dy mirditore: Gjelë Gjikola e Mrika Gjikola, dy gratë mirditore që humbën vajzat e tyre të mitura në këtë kamp. Gjela dhe Mrika jënë shumë të moshura, mbi 90 vjeç, por nuk kishin hezituar aspak të vinin atë ditë në Tepelenë. Presidenti do t’i dekoronte pas pak, bashkë me Lekë Pervizin e Drane Jakajn.

Vazhdoj bisedën me Prengën, i cili ka dëshirë të më tregojë shenjat që i ka lënë Tepelena. Kur kishte qenë fëmijë kishte çarë këmbën nëpër telat e kampit në përpjekje për t’i shpëtuar një shpërthimi mine, ku kishte mbetur i vdekur një bashkëmoshatar i tij.

Bashkë me plagën Prenga na tregon edhe ditën kur kishte ndjerë më shumë ftohtë e uri, kur kishte ndjerë frikë.

…Nika dhe Zojë Bushgjoka, janë dy prej të mbijetuarve të kampit të Tepelenës. Janë fëmijët e Drane Jakajt, personazhi i një prej historive tronditëse të kampit të Tepelenës. Zefi, i biri i Dranes, vëllai i Zojës dhe Nikës, humbi jetën në Tepelenë. Dranja refuzoi ta lërë në Tepelenë birin e saj  dhe vendosi ta marë me vete ashtu të vdekur, gjatë rrugës së gjatë të kthimit për në shtëpi. Është një nga ato historitë në kufijtë e të pabesueshmes. E kam shkruar këtë histori dy vite më parë, kur ndërroi jetë Drane Jakja. Rrugëtimin e saj të tmerrshëm e ka kaluar edhe Zoja dhe Nika. Ata nuk duan ta kujtojnë atë më, sepse ka lënë shumë gjurmë në jetën e tyre. Ishin fëmijë të mitur.

Të heshtur, me lot në sy u rreshtuan krah bashkëvuajtësve të tjerë në sheshin e improvizuar në kampin e Tepelenës, sepse nëna e tyre do të dekorohej për kurajon dhe dinjitetin njerëzor nga presidenti i republikës, Ilir Meta.

Ka filluar të errësohet, aktivitetet kanë përfunduar dhe jemi ngjitur në qytet bashkë me të mbijetuarit e kampit. Në një prej tavolinave jam ulur me Nikë Bushgjokën të motrën Zojën dhe fëmijët e nipat e tyre. Diku afër është edhe Sokol Miraka. Shkova ta takoj dhe e ftova në tavolinën tonë. U takua me Nikën dhe filluan të bisedojnë për ngjarje interesante që gërmonin nëpër kujtimet e tyre.

Zoja mban mend nënën time që ka të njëjtin emër, kanë jetuar bashkë në kamp sepse ishin nga një krahinë, ndërsa Nika mban mend gjyshen time, Sofinë. E mban mend, sepse ajo kishte gjithmonë në dore rruzaret, me të cilat lutej papushim. Më rrëfyen se si shpesh kishte ndarë rracionin e saj me fëmijet e Zojës.

Të nesërmen në mëngjes, bashkë me kolegët e mi gazetarë shkuam sërish në kamp. Zbrazëti. Janë vetëm vazot me qiparisë. Ema Andrea dhe Gjon Radovani janë kujdesur të sjellin atje qiparisë për secilin fëmijë të vdekur në Tepelenë. Vendosa emrin e njërit prej tyre, Zyhra Prroi e cila ishte vetëm 2 vjec kur vdiq nga dizanteria në kampine  tpelenës.

Nisëm rrugën e kthimit, duke marrë me vete imazhin e atyre qiparisave stolisur me emrat e fëmijëve e duke përshpëritur lutjen “Jepju zot pushimin e pasosun”.(kujto.al)

6 komente në ““Përtej portës së dhimbjeve në kampin e Tepelenës””

  1. Gimi says:

    Ata qe ju bashkuan fashisteve per te vrare dhe torturuar djemte e popullit shqiptar qe luftonte kunder nazi-fashisteve nuk na mallengjejne apo bejne per te qare sepse e meritonin trajtimin qe ju eshte bere ne Shqiperine e pasluftes. Ata njerez ushqenin bandat e armatosura ne male qe vrisnin Cucen e Maleve dhe mesuesin Bardhok Biba e shume te tjere vetem e vetem sepse ata mendonin ndryshe dhe ishin per nje Shqiperi te lire nga bishat nazi-fashiste. Ata te kampit te Tepelenes nuk ju bashkuan Aleances me te madhe ne bote qe mundi boshtin fashisto-nazist Berlin-Rome-Tokio-Sofie (Baullgari). Fitimtareve (Aleanca USA-Britani-Rusi) ju bashkuan edhe populli shqiptar me luften e tij nacional-clirimtare kunder nazifashisteve italo-gjermane. Prandaj, te shkruash hartime per fashistet do te thote qe edhe ti te jesh fashist. Femijet apo niperit e fashisteve nuk mund te na bindin qe ata ishin pjese e Aleances Perendimore. Jane te humbur ne histori si vrases, raciste dhe kriminele. Prandajn lerini teatrot sepse ate kazerme ushtarake nuk do ta vizitoje njeri pervec atyre qe jane injorante dhe nuk e njohin historine. Ky kamion eshte nje llojn reklame qe njerezit te vene dhe ta shikojne ate pacavure fashiste populli i zones dhe me tej. Sepse asnje nuk po ju shkon ta shohe dhe ju iken parate dem Brain Williams kanadezit. Kanadezi duhetv ta dije qe Kanadaja e luftes se dyte boterore i futin ne kamp perqendrimi italianet vetem e vetem se ata origjinonin nga Italia. Prandaj, eshte imorale te besh nje propagande te tille anti-shqiptare dhe te perpiqesh ta nxjerresh Shqiperine si nje djall i Europes. Djajte jane fashistet dhe nazistet qe vrane miliona njerez. Saliu ne Shqiperi ka shkaktuar direkt apo indirekt vrasjen e me shume njerezve se ne kohen e Verit. Ky eshte nje fakt i pamohushem. Une e urrej Verin, por nuk mund te njollosesh kombin shqiptar per luften e tij antifashiste dhe per clirimin e vendit nga bandat esadiste dhe nazifashiste.

    1. Terbaç i Tërbuar says:

      Hahahaha, o pionier pensionist Gimi qe ke ngelur pionier gdhë.
      Ke shume per te ditur dhe akoma me shume, po arrite, te kuptosh. Letrat e Dushan Mugoshes e Miladin Popoviçit vazhdo t’i lexosh per vete. Te jesh tifoz me sllavet, me Stalinin (me dhejtra miliona u shgarosen prej tij edhe pa filluar lufta), jugosllavet nuk domethene se ato dhe ti si tifoz i tyre jeni te miret.
      Nuk ia vlen me shume per ty.

  2. Nik says:

    Uroj dhe shpresoj tè flitet me data dhe fakte tè pakundèrshtueshme sepse nè njè intervist nè televizion miku tufina mè kujtonte hetuesit e kohès sè dullès ,mendova pèr momentin se ky person nuk meriton tè drejtoj komisione dmth mènyrèn se si shprehej dhe akuzonte.Diktatura e e,hoxhès eleminoj ajkèn e shtetit shqiptar sepse kishte frikè nga intelektualèt ,
    mè vonè filluan luftèn brenda partisè duke ngrèn njeri tjetrin.Nuk kam dègjuar kurrè pèr kamp pèrqèndrimi nè tepelenè. pèr spaçin burrelin po.Jam kurioz pèr vdekshmèrin e fèmijève nè kampe, nqse ka njè arkivè sepse kam dègjuar prej njerèzve nè familje se nè periudhèn 1945/49 è nè spitale nè gjithè shqipèrin dizanteria ishte njè tragjedi e vertet pèr vdekshmèrin e fèmijève nè njè numèr shumè tè lart dhe ilaçet nuk bènin efekt,besoj se ka plotè moshatar tè asaj kohe qè mundet tè na ndihmojn me dèshmi ose ministria e shèndetèsis .

    1. VFLP says:

      Nese “ajka” na qenkan tradhetaret e atdheut atehere : VDEKJE “AJKES”!

  3. NY. says:

    Dakort por per cila banda flet mor Gimi,kampi i Tepelenes kishte vetem gra femije e te moshuar,farefis
    te atyre qe ishin kundra pushtetit te e.hoxhes. Ky sadist u hakmor edhe me foshnjat e pa
    fajshme,po te njejten gje qe beri edhe hitleri kunder hebrejve,i futi ne kampe perqendrimi.
    Kampi i Tepelenes ISHTE kamp perqendrimi,sepse PERQENDROJ popullsi te perzgjedhur,te persekutuar.
    Krejtesisht te pa fajshem, vetem per terror per hakmarrje.Po a ka hakmarje me makaber se te internosh,te
    fusesh ne kamp te persekutosh,te besh pergjegjes nje te mitur nje grua nje plak,per te jatin,xhaxhain a kedo qofte ?
    Vetem nje monster si enver hoxha mund te bende nje gje te tille kunder popullit te tije.

  4. shqipoja says:

    I siperpermenduri komentues, tregon se eshte shpirt krimineli, nje komunist i regjur
    me ideoiligji gjakderdhese. kampi i tepelenes, do apo s’do ai, do te mbetet shembell i terrorit te diktatures komuniste. Nese disa te rinje u vran gjate asaj qe quhet lufte nacional çlirimtare, (‘hiç fare e tille) po ata te rinj i pushkatoi vete partia komuniste, me urdherin e diktatorit malukat, qe rreshtohet me diktatoret me te ege ,kriminele e gjakatare kaluar dhe Hitlerit, i cili nuk vrau popullin e vet por te huaj, ndersa diktatori shqiptar vrau vellezerit e meotra e tij, dhe nuk u ndalua te merrej me p^leq, gra e e femije duke i mbyllur si berre ne vathe, ku humben jeten e mbeten dhe pa varre. turp ta kete ky lloj komunisti, qe s’e ka kuptuar se komunizmi ka hy ne historine me te zeze te njerezimit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje