Akuzat për një koncension të ri: A do të rriten çmimet e karburanteve në Shqipëri, edhe me 20 lekë te tjera?

24 Shtator 2018, 12:24Ekonomia TEMA

Opozita dhe mazhoranca janë përfshirë në akuza dhe kundër akuza për privatizimin e shërbimit të kontrollit të sistemit të aparateve matës të shitjes së karburanteve.

Në debat është përfshirë edhe biznesi.

Konfindustria ka reaguar e alarmuar.

“Konfindustria, duke marrë shkak nga hapja së fundmi e garës tenderuese të koncesionit të pakërkuar për privatizimin e shërbimit të kontrollit të sistemit të aparateve matës të shitjes së karburanteve vlerëson, se në mungesë të masave kontrollluese rrezikohet të kalohet në monopol privat me pasoja të rënda për qytetarët, bizneset, buxhetin e shtetit dhe konkurencën ndërmjet operatorëve.

Abuzimi me volumet në shitje të karburanteve ndaj qytetarëve dhe bizneseve vlerësohet në vlerat 20-25 milion euro/vit.

Tregu i karburanteve është më i madhi në vend me mbi 10% të PBB dhe vlerë absolute mbi 1 miliard euro/vit.

Mungesa e përcaktimeve dhe mjeteve të qarta ligjore për të parashikuar, vëzhguar dhe parandaluar veprimet e mundshme abuzive të koncesionarit privat, krijon kushtet për të dëmtuar rëndë interesin publik dhe konkurencën në tregun strategjik të karburanteve.

Në kushtet e mësipërme koncesionari privat mund të lidhi lirisht dhe pa asnjë frikë nga kontrollet e agjencive shtetërore marrëveshje të fshehta me shitësit e karburanteve për të abuzuar me volumet e shitjes në dëm të konsumatorëve.

Gjithashtu, rrezik i mundshëm është edhe mundësia e prishjes së rregullave të konkurencës në treg. Mungesa e plotë e përvojës së kompanisë, që ka fituar bonusin qeveritar në garën e koncesionarit, rrit edhe më shumë mundësinë e krijimit të situatave të papranueshme për interesin publik.

Konfindustria shpreh shqetësimin, se pavarësisht zotimit të qeverisë për të ndaluar në muajin shtator 2018 të praktikave të dhënies së koncesioneve të pakërkuara, përsëri vazhdohet në të njejtën mënyrë. Institucionet ndërkombëtare si FMN dhe BE kanë kërkuar në mënyrë të përsëritur dhënien fund të koncesioneve të pakërkuara”, thuhet në një reagim të saj.

Nëse kontrolli i pompave në pikat e karburantit do t’i kalojë privatit, sipas PD-së, do të bëjë që çmimi i karburanteve të rritet edhe me 20 lekë të reja.

“Problemi është fakti se sot ky shërbim është i zgjidhur, pasi kontrolli i pompave bëhet nga drejtoria e Metrologjisë, e cila ka investuar miliona euro për pajisje dhe ka qindra punonjës të specializuar. Po këta të privatit përse duhen”, thonë ekspertët.

“Aktualisht, ky është një shërbim shtetëror, por korrupsioni në qeveri ka vendosur që t’ia kalojë atë privatit, i cili do të vendosë cilat pompa karburantesh i vjedhin shqiptarët dhe cilat pompa nuk i vjedhin”, thotë deputetja Izmira Ulqinaku.(TemA)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje