Mirupafshim Leo! Mos harro, ti vetëm ndryshove “tribunë”!

27 Shtator 2018, 16:21Sport TEMA
Mirupafshim Leo! Mos harro, ti vetëm ndryshove “tribunë”!

“Edhe nëse do të luaje në parajsë, do të ndërroja jetë vetëm për të të parë dhe mbështetur…”.  Një laps, një letër dhe një frymëzim.

Duhet të ishte kështu letra imagjinare e të voglit Leo, i cili përpara derbit Tirana-Partizani mbylli sytë përgjithmonë, duke i lënë hidhërimin familjarëve të tij, por edhe atyre që nuk mundën ta njihnin kurrë.

E megjithatë, e njohën nëpërmjet videove, albumit të fotografive apo edhe thjesht pasionit, dashurisë dhe optimizmit të tij për jetën.

Ngjyra e kuqe ishte për të motiv për të luftuar deri në ditët e fundit. E bëri me kokën lart, duke qeshur dhe duke bërtitur “Forca Partizani”.

Vapë, ftohtë, shi, breshër… Ai dhe karroca e tij ishin aty, pas vijës që ndan fushën nga ëndrra për të parë ekipin e tij të zemrës të fitonte.

Leo nuk ka ikur, nuk do ta bëjë kurrë. Do të jetë aty, edhe ditën e derbit… Jo fizikisht, por shpirtërisht. Shembulli që ai na dha të gjithëve është padiskutim një himn për jetën, që mund të jetë e shkurtër ndonjëherë, por që ia vlen ta jetosh. Edhe ashtu, i paralizuar. Edhe ashtu, me frikën se nuk do të mund ta shohë skuadrën e tij të shpallet kampione.

Por, nëse misioni i një klubi futbolli është të fitojë trofe, për të voglin Leo nuk kishte një mision, një objektiv për t’u arritur.

Për të mjaftonte fundjava… Emocionet e një goli, hidhërimi për një humbje dhe sidomos atmosfera që stadiumi i dhuronte. Oksigjeni i tij ishte fusha e blertë dhe futbollistët me fanellën e kuqe që vraponin mbi të.

Thonë që ndonjëherë kujtesa është shumë e shkurtër, por ky episod mbeti i skalitur në kokën time.

10 marsi i vitit 2018. Partizani priste në shtëpi Luftëtarin në një ndeshje që vendoste shumë për fatet e trajnerit Klevis Dalipi dhe ecurisë së klubit.

Minuta 13’.  Trashi godet nga jashtë zone, shënon, por arbitri kishte ndërprerë ndeshjen pak sekonda më parë, prej një tifozi të Partizanit që kishte hedhur në fushë një fanellë të mesfushorit.

Ishte fanella që Leo mbante në duart e tij… Rregullorja që u përpoq të fshinte emocionet, por nuk ia doli dot.

Nuk e dimë se çfarë ka menduar gjatë gjithë kësaj kohe, teksa shihte Partizanin e tij. Ai nuk ishte tifoz rasti, por një tifoz i vërtetë.

Një nga ato që të mbushin me frymë optimiste dhe të kujtojnë se sa me fat jemi ndonjëherë. Si Leo, edhe shumë fëmijë të tjerë kanë përjetuar të njëjtin fat dhe sigurisht që të dhemb zemra kur e mendon.

Leo ishte i veçantë. Jo sepse ishte tifoz i Partizanit, por sepse kishte një motiv të fortë që e bëri të luftojë edhe kundër sëmundjes së tij.

E mallkuara sëmundje e mundi. Vetëm këtë herë, vetëm jashtë fushe. Brenda në stadium, Leo mbeti i pamposhtur.

Dhe, si i tillë duhet të nderohet, përpara derbit. Klubet të lënë mënjanë  rregulloren, apo burokracinë. Të paktën këtë herë, për t’i dhënë edhe një lamtumirë ashtu si duhet. Eshtë më e pakta që duhet bërë. Nuk ka justifikime, nuk ka proces verbal që mban…

Lamtumirë Leo, do të shihemi një ditë, ndoshta aty ku një gol mund edhe mos të anullohet kur ti hedh fanellën në fushë. Ndërkohë, urojmë që lart të të sjellim edhe lajmin që prisje dhe pret prej kohësh: Partizani yt u shpall kampion! (Anton Cicani, Telesport)

1 komente në “Mirupafshim Leo! Mos harro, ti vetëm ndryshove “tribunë”!”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje