Familjet shqiptare shpenzojnë më shumë se gjysmën e buxhetit të tyre për plotësimin e nevojave të para jetësore.
44% e të ardhurave të tyre gjatë vitit të shkuar kanë patur si qëllim blerjen e ushqimeve, ndërsa 11% e shpenzimeve shkuan për pagesën e ujit, energjisë elektrike dhe qirasë.
Instituti i Statistikave ka publikuar anketën e buxhetit të familjes, ku rezulton se një familje e përbërë nga 4 persona shpenzon çdo muaj 73 mijë e 400 Lekë.
Në krahasim me vitin 2016, shpenzimet janë rritur 0.4%, ose 300 Lekë të reja, por më pak se niveli 2% i inflacionit në 2017-n.
Sipas anketës, rezulton se shpenzimet në familjet shqiptare janë ulur për blerjet e veshjeve, por janë shtuar për transportin dhe shëndetin.
Transporti ka kushtuar më shumë gjatë vitit të shkuar për shkak të rritjes së çmimit të naftës, ndërsa po ashtu është rritur dhe çmimi për ilaçet, sqaron INSTAT.
90% e familjeve në Shqipëri shpenzojnë 18 mijë Lekë në muaj për person, ndërsa 10 % e tyre kanë shpenzime në masën e 62 mijë Lekëve në muaj për një anëtar.
Tirana mban vendin e parë për buxhetin më të madh të shpenzimeve.
Tirana me shpenzimet më të larta, Elbasani më të ultat
Në vitin 2017, qarku i Tiranës paraqet shpenzimet mesatare më të larta mujore për konsum. Një NjEF në qarkun e Tiranës shpenzon për konsum mesatarisht 87.968 lekë në muaj. Qarqet që paraqesin shpenzimet mesatare më të larta për konsum, pas qarkut të Tiranës, janë Durrësi me 76.129 lekë dhe dhe Shkodra, me 73.306 lekë në muaj për NjEF.
Qarqet me nivel më të ulët të shpenzimeve mesatare mujore për konsum janë qarku i Dibrës me 47.467 dhe i Elbasanit, me 57.831 lekë në muaj për NjEF. Rritjen më të madhe të shpenzimeve e paraqet qarku i Gjirokastrës me 9,1 %, ndjekur nga qarku i Beratit me 8,9 %. Qarku që ka pësuar uljen më të madhe të shpenzimeve për konsum është Dibra me 24,9 %. Në vitin 2017, numri mesatar i anëtarëve të NjEF është 3,7. Qarku me numrin më të madh të anëtarëve të NjEF është Kukësi me 4,4 anëtarë, ndërsa Vlora është qarku me numrin më të vogël të anëtarëve në përbërjen e NjEF, me 3,3 anëtarë.
Të pasurit konsumojnë 3,4 herë më shumë se te varfërit
Konsumi për frymë i 90 % të NjEF-ve me shpenzimet më të ulta janë mesatarisht 18.311 lekë në muaj, ndërsa 10 % i NjEF-ve me shpenzimet më të larta janë mesatarisht 62.329 lekë në muaj për frymë. Raporti i decileve 10/90 është 3,4 herë më i madh, në favor të 10% të NjEF-ve.
Shpenzimet mesatare për konsum të NjEF-ve tregojnë se në vitin 2017 ka pasur një ulje prej 4,3 % të shpenzimeve të 10 % ëshit të NjEF-ve me shpenzimet më të larta dhe një rritje prej 1,7 % të shpenzimeve mesatare për konsum të 90 %ëshit tjetër, në krahasim me vitin 2016. Si rrjedhim, raporti i decileve në 2017, për këtë tregues, paraqet një ulje të pabarazisë nga 2,5 në 2,4, krahasuar me 2016.
Shpërndarja e shpenzimeve mesatare të konsumit sipas tipit të NjEF, 2017 Në 2017, NjEF-të e përbëra nga një person i vetëm, me fëmijë në varësi, shpenzojnë më shumë për ushqim, prej 47,1 %, krahasuar me tipet e tjera. Shpenzimet më të larta për transport paraqiten në NjEF-të e përbëra nga tri ose më shumë të rritur me fëmijë, me 8,2 %. Shpenzimet më të larta për arsim regjistrohen në NjEF-të e përbëra nga tri ose më shumë të rritur me dhe pa fëmijë në varësi.
Në kohën e dullës, ushtria e kishte punën në terezi., ndërsa sot qytetari.