“Shpifja”, në Kodin Penal. Mazhoranca do t’i referohet modelit të Gjermanisë

3 Tetor 2018, 19:47Politika TEMA

Prej dy ditësh, Edi Rama debaton përmes medieve sociale me opozitën në lidhje me çështjen e Xhisiela Malokut, duke paralajmëruar demokratët se do të propozojë një paketë ligjore antishpifje.

Top Channel u interesua në lidhje me këtë nismë pranë Qeverisë, ku burimet theksojnë se, pavarësisht qëndrimeve publike të Ramës, nuk ka asnjë ngut në këtë drejtim.

Por, burime nga mazhoranca tregojnë se socialistët po shikojnë mundësinë, që shpifja të rikthehet si pjesë e veprave që dënohen nga Kodi Penal. Për këtë, të njëjtat burime saktësojnë se mazhoranca po i referohet si shembull modelit gjerman.

Në Gjermani, shpifja konsiderohet vepër penale që dënohet deri edhe me burg. Kodi Penal gjerman, nga i cili duket se po frymëzohen socialistët, ka edhe një nen të posaçëm për shpifjen ndaj personit që vepron në arenën politike, thënë ndryshe ndaj politikanit.

Neni 188 parashikon se, “kur shpifja kryhet publikisht në një takim apo përmes shpërndarjes së materialeve të shkruara, kundër një personi të përfshirë në jetën politike, bazuar në funksionin e atij personi në jetën publike, e nëse kjo mund të sjellë vështirësi thelbësore për aktivitetin e tij publik, dënimi duhet të jetë nga 3 muaj deri në 5 vite burg. Një shpifje e qëllimshme në të njëjtat kushte dënohet nga 6 muaj deri në 5 vite”.

Për momentin, nga mazhoranca nuk sqarohet nëse do t’i referohen modelit gjerman vetëm në frymë apo edhe në gërmë. Ajo që saktësohet është se, propozimi do të përjashtojë aktivitetin e gazetarëve dhe medias.

Top Channel u interesua edhe pranë Partisë Demokratike në lidhje me paralajmërimet e Ramës, por selia blu tha se nuk preferonte të komentonte, pa u njohur me nismën konkrete të shumicës së majtë.

Një nismë të ngjashme për kriminalizimin e shpifjes, socialistët e tentuan edhe në vitin 2015, por u tërhoqën pas presioneve edhe ndërkombëtare, ku spikati OSBE-ja, që shfaqën shqetësim se kjo do të penalizonte punën e gazetarëve.

Shpifja ka qenë pjesë e Kodit Penal në Shqipëri deri në vitin 2012, kur qeveria “Berisha” asokohe, pas një këmbëngulje të fortë ndërkombëtare, e hoqi veprën nga Kodi Penal, duke e kaluar në një çështje që trajtohet në kuadër të Kodit Civil, siç është edhe aktualisht.(TCH)

3 komente në ““Shpifja”, në Kodin Penal. Mazhoranca do t’i referohet modelit të Gjermanisë”

  1. says:

    Njerëzit janë të kujdesshem me ligjet.

  2. pjeter says:

    Mos, mos Edi Rama,nuk te ka hije he burre te fitosh duke luftu me veten. Me kete ligj asgjeson komplet gjithe opoziten. Ky esht ligj tamam prej diktatori .Goje qelburit nuk njohin gjuhet tjeter zoti Ramiz, ku do i gjejme ne te tjeret ti veme ne opozite?pupu, Mones tani qe ja prete gjuhenRama te vere ndonje kaske kur te hyje ne parlament, gjuhen e qelbur ja u ndalove, por cizmat i ka me ligj ata zotni i dashtun.

  3. komentatori nga cadra e gjyqit per portalin e zenit says:

    dakord,te mos vihet ne kodin penal,por te vihet gjobe nga 10 milion ne 50 milion leke.gazetaret te mos mbledhin e shpikin llafe,por cdo denoncim ta ballafaqojne ne fakte.ka ardhe koha si ne europe.per nje lajm te rreme,shpifje,para ca vitesh,nje gazete italiane i pagoi fatos nanos 1 milion euro ne baze te vendimit te gjkates.pse ketu jo?ta mbledhin sumem llafazanet e kazaneve te ndyra.keshtu nuk ka as hakmarrje.frika le ta ruaje vreshtin.kush do te paguaje?pronari i medias qe lejon botmiin,qe ka trashur qafen dhe fryre barkun me keto shpifje .ta gjejne vete me gazetaret qe punoje per ta.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje