Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, ka folur nga Konferenca e Ministrerialit të BE, duke thënë se shumë shpejt në javët e ardhshme do të ketë goditje të grupeve të strukturuara kriminale.
Xhafaj komentoi dhe ngjarjen e rëndë të ndodhur në ish-Bllok, ku mbeti i vrarë një person dhe tre të tjerë mbetën të plagosur.
“Besoj se përgjigja që thashë pak më lartë është e vlefshme”, u shpreh Xhafaj në lidhje me masat që do të marrë policia në lidhje me këtë ngjarje, duke lënë të kuptohet se do të ketë goditje të autorëve të ngjarjes.
Deklarata dhe pyetje pergjigjet me gazetaret:
Fillimisht në emër të qeverisë shqiptare dhe të vendit tim, dëshiroj ti shpreh falënderimet Komisionerit Avramopoulos, autoriteteve austriake dhe personalisht Ministrit Kickl, për organizimin e këtij forumi në kuadrin e presidencës austriake të Bashkimit Europian. Ne e konsiderojmë këtë kontribut si tregues i vëmendjes së shtuar që Komisioni Europian, dhe Austria mike, po i kushtojnë rajonit të Ballkanit Perëndimor. Ishim të lumtur që që mirëpritëm këtë Ministerial të rëndësishëm në Tiranë, duke ofruar gjithë mikpritjen dhe bujarinë tonë.
Besoj fort, se ky Ministerial do të shënojë një hap të ri, në bashkëpunimin midis nesh, në përballimin e sfidave të rëndësishme me të cilat jemi duke u ndeshur. Marrëveshjet e nënshkruara sot janë një konkretizim i qartë i vullnetit të vendeve të rajonit për të ecur përpara në rrugën e integrimit europian.
Në të njëjtën kohë ne vlerësojmë së tepërmi, zhvillimin në Shqipëri të këtij Ministeriali në vazhdën e angazhimit tonë të hershëm në promvimin e mëtejshmë të bashkëpunimit rajonal për më shumë stabilitet, siguri dhe zhvillim ekonomik në këtë rajon.
Përballimi i sfidave bashkëkohore për siguri dhe forcim të shtetit ligjor për shkak edhe të natyrës së tyre kërkon veprim të përbashkët dhe të mirëkoordinuar si një qasje rajonale gjithëpërfshirëse. Drejtësia dhe siguria, janë dhe mbeten themelore sa i takon zhvillimit të paqes, stabilitetit dhe qeverisjes demokratike. Bashkëpunimi ishte kryefjala e këtij forumi. Më konkretisht çmoj si shumë të rëndësishëm bashkëpunim mes agjencive tona ligjzbatuese në këto fusha të rëndësishme. Dhe bashkëpunim do të thotë më shumë, mbi të gjitha ndërgjegjësim për nevojën e pashmangshme të besimit midis nesh.
Në këtë kontekst ritheksova edhe një ftesën për ngritjen e Qendrës Rajonale për Bashkëpunimin Policor, e cila ndër të tjera do të shërbente si një nukël koordinimi midis vendeve pjesëmarrëse, jo vetëm sa i takon përballimit të flukseve migratore, por edhe për një sërë çështjesh të tjera që janë shqetësim për vendet e rajonit dhe më gjerë, si terrorizmi, krimi i organizuar, kontrabandimi i emigrantëve, çështjet e trafiqeve të paligjshme etj.
Dëshirojë të vlerësojë praninë e kolegëve ministra të rajonit në këtë Ministerial të rëndësishëm si dhe praninë dhe kontributin e shumë drejtuesve të organizatave ndërkombëtare që veprojnë në fushën e zbatimit të ligjit në Europë. Është rasti t’i shpreh vlerësimet e veçanta presidencës austriake të BE, qeverisë mike të Austrisë dhe personalisht, mikut dhe kolegut tim ministrit Kickl, për mbështetjen pa kushte ndaj vendit tonë në procesin e integrimit europian.
Një falënderim të veçantë dëshiroj të shprehë gjithashtu, për mikun tim, mikun e vendit tim, Komisionerin Avramopoulos. Një mbështetës i veçantë për vendet e rajonit dhe njëherësh një avokat i madh i vendit tonë në Bruksel. Jemi me fat që kemi miq të tillë, si Komisioneri dhe qeveria austriake në rrugëtimin tonë europian.
Pyetje: Një pyetje për Ministrin Xhafaj. Z.Ministër a ka Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit një plan aksionesh në luftën kundër krimit? Kemi parë javë më parë aksione në qytete të ndryshme të Shqipërisë, po për të vijuar këto aksione për më tepër që dje në mbrëmje ka pasur një atentat, një krim në qendër të Tiranës. Faleminderit!
Ministri Xhafaj: Besoj se biem dakord që Shqipëria, rajoni dhe çështjet që po flasim janë shumë, shumë më tepër se një kriminel apo një grup i tillë, me të cilët jemi futur në një luftë pa kompromis dhe me tolerancë 0. Ky Ministerial është pikërisht vlerësimi më i mirë i faktit se krimi në tërësi dhe krimi i organizuar në veçanti, ka përherë edhe më shumë një karakter transnacional. Ndaj jemi këtu bashkë të gjithë, për të qenë më të organizuar më të fortë në këtë përballje.
Qeveria Shqiptare siç është e njohur ka miratuar në nëntor të vitit të kaluar, një plan veprimi në luftën kundër krimit të organizuar në mbështetje edhe të një operacioni të gjerë, të fokusuar pikërisht në goditjen dhe ndëshkimin penal të grupeve kriminale dhe në hetimin e aseteve pasurore të tyre të quajtur Operacioni “Forca e Ligjit” i strukturuar dhe i organizuar përmes disa Task Forcave speciale në nivel qendror dhe rajonal që janë të fokusuar pikërisht në skanimin dhe goditjen e grupeve kriminale që veprojnë në territorin e Shqipërisë apo që janë në ndërveprim me grupe të tjera kriminale jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
Është fakt i njohur që gati rreth 10 – 11 muaj të zhvillimit të këtij operacioni janë bërë rreth 19 operacione, janë goditur 9 grupe kriminale konkrete, janë mbi 130 të arrestuar si edhe janë rreth 17-18 milionë euro të sekuestruara vetëm me këto grupe kriminale. Natyrisht ky është një proces që vazhdon.
Lufta kundër krimit dhe krimit të organizuar nuk është çështje ditësh, nuk është çështje javësh, muajsh, por meqenëse jemi këtu sot në konferencë po e përsëris dhe ritheksoj faktin që ne jemi fort të impenjuar, fort të angazhuar në këtë proces edhe brenda vendit edhe në bashkëpunim me agjenci të tjera ligjzbatuese ndërkombëtare dhe dëshiroj t’iu them që në javët në vijim ju do të shihni disa goditje grupesh kriminale në përfundim të hetimeve të zhvilluara në territorin e Republikës së Shqipërisë apo në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë. Por ne jemi ministra, drejtojmë në nivelin strategjik, në nivelin politik, institucional, por çështjet operacionale i përkasin agjencive ligjzbatuese dhe në rastin konkret Policisë së Shtetit.
Pyetje: Z.Xhafaj Mbrëmjen e djeshme ka ndodhur një krim në një nga zonat më të sigurta të Tiranës. C’farë masash do ketë nga ana e Ministrisë së Brendshme pas kësaj ngjarjeje?
Ministri Xhafaj: Besoj se përgjigjja që dhashë pak më lartë është e vlefshme dhe për pyetjen tuaj, faleminderit.