Zvone Boban, ai që sfidoi karrierën për një ideal!

8 Tetor 2018, 15:21Sport TEMA

Nuk duhet të kemi kurrë frikë të qajmë. Nuk duhet të frenojmë kurrsesi lotët kur duan të dalin.

Ato kanë një forcë të pabesueshme për të na çliruar nga diçka që mbajmë brenda dhe e cila nëse qëndron aty mund të na japë më tepër dhimbje.

Një njeri duhet të dijë edhe të qajë, në momentin e duhur.

Të gjithë në jetën tonë jemi prekur të paktën njëherë… E kemi bërë sepse jemi njerëz që marrim frymë, emocionohemi, hidhërohemi, gëzohemi apo edhe thjesht na vijnë ndër mend kutjime, qofshin të bukura apo të shëmtuara.

Atë natë, në mbrëmjen Gala të ndarjes së çmimeve, teksa kamerat fokusonin Luka Modric me çmimin si FIFA BEST PLAYER 2018 në dorë, i ulur përballë, në karrige, qëndronte ai, Zvonimir Boban.

Sytë e mbushur me lot, i emocionuar dhe sidomos i prekur.

“Në një moment si ky, do të më pëlqente t’i dedikoja një falënderim special idhullit tim, Zvonimir Boban, kapiteni i Kroacisë 1998, që mori pjesë në Botëror dhe mbërriti në vend të tretë të podiumit në Francë. Ajo skuadër na dha shpresë të mendojmë se mund të bënim të njëjtën gjë në Rusi”…

Një diskutim që në mënyrë figurative “përqafoi” sallën gjigante dhe ato persona që ndodheshin aty.

Futbollisti më i mirë në botë për vitin 2018 që i dedikon çmimin një legjende kroate. Pikërisht asaj legjende që sot feston 50 vjetorin e lindjes, në një jetë mes karrierës si futbollist, luftës së përgjakshme, shpesh edhe diskriminimit por sidomos karakterizuar nga gjenialiteti.

Një udhëtim i jashtëzakonshëm në rrënjët e tij që me Milanin do të fitonte gjithçka që duhej fituar. Ky është Zvonimir Boban, “Sinjali i Zotit”, sipas përkthimit nga serbo-kroatishtja.

Historia e tij ka zanafillën në një fshat të vogël në Kroaci, Imoschi, në kufi me Bosnie Hercegovinën. Në këtë qytezë, edhe nëse shkoni sot, mund të gjeni dikë që flet mirë italisht. Motivi? Shekuj më parë, Republika e Venedikut (Venezia e sotme) dërgoi avokatë, mjek, bankierë për të kontrolluar aktivitetin në kufi me Perandorinë Otomane.

I vogli Boban u rrit në ish-Jugosllavinë, ku regjimi i marshallit Tito “garantonte rregullin” dhe pikërisht kjo unazë lidhëse do të bëhej edhe shkaku i problemeve që do të vinin më pas, duke prishur ekuilibrat.

Sepse, të thuash “rregull dhe urdhër” nuk do të thotë domosdoshmërish paqe. Sllovenë, kroatë, malazez, boshnjakë, kosovarë, maqedonas, serbë, hercegovinas, rom, të besimit muslyman, hebraik, ortodoks dhe katolik. Një konglomerat që po ziente dhe po mundohej të gjente rrugëdaljen, në formën e urrejtjes dhe sidomos gjeopolitike. Kontraste, përplasje dhe hakmarrje.

Gjenerali i Jugosllavise se madhe, Josip Tito

Lufta në Ballkan është ndër më të përgjakshmet dhe edhe sot vazhdon të ketë mbetje të së shkuarës.

Zvonimir rritet në këtë klimë tensioni dhe shtypje, me në kokë një pasion dhe një ëndërr: topin dhe Kroacia e Pavarur dhe e lirë.

Edhe pse për momentin ëndrrat e atyre që kërkojnë pavarësinë janë të destinuar të mbeten të tillë, suksesi futbollistik i Zvones nis menjëherë: dihet që domosdoshmëria është virtyt.

Në atë kohë, nuk xhironin shumë para në arkat e klubit Dinamo Zagreb, por fakti është që Boban e gjen veten debutues në kampionatin elitar jugosllav në moshën 16 vjeç, në sezonin 1985-1986. Bëhet menjëherë titullar, debutuar edhe në Europë, duke gjetur një vazhdimësi të jashtëzakonshme që i dorëzon shiritin e kapitenit pas vetëm 3 sezonesh. Është vetëm 19 vjeç.

Prosinecki dhe Zvonimir Boban, kur luanin me Dinamo Zagrebin, ende te rinj

Në atdhe qëndron gjashtë sezone, duke koleksionuar 109 ndeshje me 45 gola. Ndërkohë, bëhet një ndër të rinjtë më të kërkuar në panoramën evropiane. Një xhevahir që Dinamo mban shumë fort. Në atë skuadër luante edhe talenti tjetër, Prosinecki, mik me Bobanit. Ky i fundit mbeti i goditur dhe befasuar nga miku biond, që njohu te të rinjtë, pasi kishte disa vese që në jetën e një atleti nuk kanë vend.

“Prosinecki pinte duhan si i çmendur që në moshën 12 vjeç”

Në ato vite, Zvone u bë i famshëm edhe për çështjen ekstrafutbollistike. Atëherë kur “Djalli” u vesh me petkun e lojtarëve dhe shpërtheu atë që do të ishte shkalla e parë e Pavarësisë së Kroacisë nga Jugosllavia.

13 maj 1990. Data historike. Në Zagreb vijnë të luajnë rivalët serbë te Crvena Zvezda-s të Beogradit. Të udhëhequr në tribuna, mes të tjerash, nga famëkeqi Tigri Arkan. Tifozët serbë dogjën Zagrebin përpara ndeshjes. Një ndeshje që nuk do të niste kurrë: në tribuna ndodhën potere, duke detyruar policinë që të ndërhynte edhe në fushën e blertë për të ndaluar tifozët e dy skuadrave që po grindeshin mes tyre. Grushte, sende të forta, madje edhe disa të armatosur me thika.

Ngjarjet ne stadiumin “Maksimir”, Zagreb. Viti 1990, duhet te luhej ndeshja e kampionatit jugosllav, Dinamo Zagreb-Crvena Zvezda

Pjesa më e madhe e forcave të rendit kishin ardhur nga Serbia.

Ajo që do të ndodhte atë ditë mbetet edhe sot diçka e pashpjegueshme dhe vështirë e tregueshme. E pamundura, le të themi. Një polic boshnjak, Refik Ahmetovi, hedh në tokë një tifoz të Dinamos dhe nis ta godasë me shkop gome gjithë tërbim. 22-vjeçari, kapiten i Dinamos, pra Zvone Boban, ndërhyn, duke goditur me shqelm policin dhe duke e detyruar të dorëzohet.

Tifozët e Dinamo Zagrebit mbrojnë dhe largojnë talentin e tyre. Revolta do të mbaronte vetëm në mbrëmje vonë, brenda dhe jashtë stadiumit, me një lumë të arrestuarish (147) dhe plagosurish (138).

Boban, që u bë heroi i popullit kroat, rrezikoi arrestimin për gjashtë muaj, duke humbur mundësinë që  të marrë pjesë në Botërorin 1990.

“Reagova pas një padrejtësie të madhe, kaq të qartë saqë nuk mund të qëndroja indiferent. Kur polici më goditi, u përgjigja”.

Goditja qe u kthye ne kult dhe fotografia e shekullit. Boban qe nuk nguroi ti kthente doren policit qe po rrihte nje tifoz te Dinamo Zagrebit

 

Dëshmia e shkurtër që Zvonimir përshkruajti atë episod. Një episod që do ishte pikënisja për Pavarësinë e Kroacisë. Shkëndija e një detonatori të një makthi që, nga mali Lovcen deri në brigjet e Dubrovnikut, do të kishte deflagruar çdo vizion të dobët të unifikuar.

Ndërkohë, në moshën 22 vjeç, Boban ishte bërë heroi i një populli. Zvone zgjodhi të mos qëndronte duarkryq dhe ndërhynte, “duke rrezikuar të humbiste gjithçka, përfshirë karrierën, në emër të një ideali”.

Për fatin e të gjithëve, ai episod tragjik nuk ndaloi vullnetin e Fabio Capello, që kundër dëshirës së Silvio Berlusconi-t, mori në Milano në verën e vitit 1991 futbollistin kroat.

“Si zgjodha Milanin? Sepse ishte e vështirë të luaje aty. Më pëlqente konkurrenca dhe doja ta fitoja për të qenë në fushë”

Një mesazh i qartë për forcën e karakterit të këtij futbollisti.

Por, nëse teknika dhe karakteri nuk kanë munguar kurrë, disa mangësi si futbollist Zvone i mori me vete nga Kroacia. Futbolli kroat, në fakt, faktikisht ishte më modest se ai italian, ndaj “Zorro” nuk ishte mësuar në nivelin fizik të Serie A.

I duhej ende petku i një futbollisti ndërkombëtar.

Për këtë arsye, Milani vendosi ta huazonte te Bari, duke mbrojtur atë investim prej 10 miliardë liretave, duke dërguar talentin kroat që të rritej dhe forconte kockat në Puglia për një sezon.

Me Barin, Boban luajti 17 ndeshje, kjo pasi iu shfaq Hepatiti A pasi provoi një peshk të gjallë në një restorant në qendrën historike. Ndeshje të kënaqshme dhe paraqitje mbi mesataren bënë që Milani ta kthente në bazë: teknikë e lartë, driblime të thata, vizion i shkëlqyer loje, lidership të heshtur, por të dukshme në fushë. Dhe, një tjetër kuriozitet, fanella jashtë pantallonave.

“I kthyer te Milani, në kohët e para luajta vetëm në Champions. Në atë kohë, italianet ishin aq superiore karshi skuadrave të tjera evropiane, që vlente më shumë të fitojë Serinë A se sa Champions. Pra, në atë kohë Kupa Kampionëve injorohej ashtu si Kupa e Italisë sot”

Pas një viti të parë jo të lehtë përshtatje, Zvone në sezonin e dytë gjeti një vazhdimësi të kënaqshme në fushë, me paraqitje bindëse.

Këtu nis marshimi drejt epokës së arit. Një nga arritje është viti 1994, kur fitoi Champions e parë, por sidomos njohu dhe u martua me Leonardan (me të cilën sot ka 5 fëmijë, nga të cilët 4 të adoptuar). Në të tilla raste gjen përkrahje edhe shprehja “pas një burri të madh fshihet gjithmonë një grua e madhe”.

Pra, Zvone zbulohet një miks mes klasit, teknikës dhe goditjeve gjeniale. Në atë kohë, nisi t’i vinte në zbatim me vazhdimësi. Në ditët e tij më të mira, djali i Ballkanit ishte një kënaqësi për sytë, ashtu si një tavolinë e mbushur me shumë gjëra të mira.

Me Milanin luajti plot 9 sezone, me një bilanc total prej 251 ndeshjesh dhe 30 golash. Dhoma e trofeve nisi të mbushej dhe në fund dera u mbyll me 1 Champions, 4 tituj, 3  Superkupa Italie dhe 1 Superkupë Europe. Kampionati i fundit i fituar është ai i vitit 1999.

Pikërisht ky Scudetto ishte ai që shfaqi vlerat më të larta të Zorros: pas një starti sezoni mes kërkesave për t’u larguar dhe kundërshtive me trajnerin Alberto Zaçheroni, do të merrte gjithçka në dorë. Legjenda tregon se në ndeshjen ndaj Fiorentinës, kroati bëri gjithçka vetë duke ndryshuar pozicionin edhe pse trajneri ishte kundër.

Boban arriti të shprehë një futboll “shampanjë”: ishte fantazisti që bëri diferencën në mesin e fushës, me fintet e tij që mashtronin çdo kundërshtar. Më pas, vizioni i lojës si ai i një arkitekti.

Nuk është një nga ato fantazistë që dalin nga fusha pa u lodhur dhe djersitur. Nuk është një nga ato lojtarë që pretendojnë se një skuadër duhet të vihet në shërbim të klasit të tij. Eshtë një shpirt luftarak, me dy këmbë të mrekullueshme, si tastet e pianos. Vrapon pa rreshtur, por në momentin kur duhet të bëjë lëvizjen apo pasimin e fundit, është super i kthjellët.

Nga klubi në kombëtare, aty ku ndoshta bëri galopimin më të rëndësishëm në karrierën e tij. Kroacia në Botërorin Francë 1998. Ishin pikërisht “gjelat” ata që ndaluan kroatët në një ecuri të jashtëzakonshme. Një gjysmëfinale ku në fushë djemtë e Ballkanit kishin në përbërje lojtarë si Prosinecki, Suker, Tudor dhe Mario Stanic.

Dhe pikërisht në këtë ndeshje, Zvone bëri ndoshta gabimin që do ta ketë peng gjatë gjithë karrierës, duke humbur në mënyrë të pabesueshme topin në mesfushë. Ai top që i dha mundësi Djorkaeff të shërbente Thuram në asistin e barazimit. Ndeshja mbaroi 2-1 pas kohës shtesë, me francezët që kompletuan mrekullinë botërore duke shkatërruar Brazilin e Ronaldo-s në finale.

Por, asgjë dhe askush nuk do të mund të thoshte kurrë një fjalë për atë monument jetues. Boban ishte bërë një hero dhe një mit në Kroaci dhe jo vetëm. Në Milano, pas lamtumirës më 3 gusht 2001, i dhuruan një tribut të ngjashëm me Franco Baresi-n dhe “Mjelmën e Utrecht”, Marco van Basten. Një privilegj për shumë pak lojtarë. Te Celta Vigo do të ishte eksperienca e fundit, por thjesht për të plotësuar ditët.

E ndërsa shumë ish-shokë apo kundërshtarë të tij sot drejtojnë skuadra, Zvone Boban zgjodhi një tjetër rrugë.

“Mund të isha bërë trajner, por nuk kisha as nerva dhe as durim për një punë të tillë”

Do të bëhet opinionist tv dhe sot në rolin e nënsekretarit të përgjithshëm të FIFA-s. Djaloshi i lindur mes një pasioni dhe ëndrre ia doli të realizonte të dyja. Fitues në fushë dhe jashtë saj.

Sot feston 50 vjetorin e lindjes, por sigurisht që mosha është vetëm një numër, ashtu si një nga driblimet që na ka dhuruar ndër vite, atëherë kur futbolli ishte ende një pasion dhe jo një aspekt ekonomik për të shtuar zerot në llogaritë bankare.

El Zorro, dhelpra, heroi i veshur në të zi që lufton për të drejtat e popullit të tij dhe që ai që tallet ne armiqtë e tij me aftësitë e guximshme në artin hyjnor të rrethimit dhe artit oratorik. E gjithë kjo, padyshim, pa vullnetin e shfaqjes apo mungesës së respektit. Për një ndjenjë më të madhe, universale.

Sepse, si thotë Zvone:

“Një futbollist gjykohet se si luan në fushë. Jo për mënyrën se si jeton apo opinionet politike: një futbollist nuk duhet të japë shembullin” (Telesport)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje