Çudirat në futbollin shqiptar, nuk kanë fund dhe duket se do të vazhdojnë edhe për shumë gjatë.
Në të gjithë botën, sektori i gjykimit është ai sektor që ka nevojë dhe i kushtohet një vëmendje e veçantë, por në Shqipëri është sektori në të cilin problemet janë më të shumta e megjithatë, kalohen më kollaj.
Ditën e djeshme, janë zhvilluar testet fizike të arbitrave që gjykojnë ndeshjet në futbollin vendas, por edhe të atyre të cilët kanë edhe stemën e FIFA-s.
Rezultatet e testeve ishin zhgënjyese duke qenë se pjesa dërrmuese e tyre, kanë ngelur në testet fizike, duke shfaqur probleme, ndërkohë që vetëm 3-4 kanë kaluar.
Megjithatë nuk ka problem as për ato që kanë ngelur, pasi u është lënë 24 orë kohë për të përmirësuar gjendjen e tyre dhe natyrisht, arbitrat tonë nuk kanë zhgënjyer.
Sot është mbajtur një tjetër seancë për testet fizike dhe shumë prej tyre kanë arritur t’i kalojnë me sukses, ndërkohë që një numër i vogël ka ngelur sërish.
S’ka problem as për ato që ngelën, pasi do të kenë edhe një mundësi të tretë, ose të katërt, ose deri sa të kalojnë, shkruan “Vipsport”
E rëndësishme është që të gjithë arbitrat e Kategorisë Superiore kanë kaluar testet dhe janë më në gjendje se kurrë. Magjike, apo jo?