2 fitore të skuadrave udhëtuese në dy ndeshjet e para të javës së 9-të në Kategorinë Superiore.
Kukësi me shumë vështirë triumfoi 1-2 me përmbysje në transfertën e Fushë-Krujës ndaj Kastriotit vendas, ndërkohë që Teuta në fushën asnjanëse të Elbasan Arenës i shkaktoi humbjen e parë sezonale Laçit të Mërgjyshit që në 8 javët e para ishte skuadra e vetme që nuk e njihte shijen e disfatës.
Në stadiumin Redi Maloku në Fushë-Krujë ku Kastrioti luan ndeshjet si skuadër pritëse në këtë sezon, u luajt një sfidë shumë e bukur me Kastriotin që zhbllokoi shifrat në minutën e 21-të me brazlianin Roger të cilin e ka huzuar pikërisht nga skuadra verilindore.
Gjithsesi në fillimin e pjesës së dytë i njëjti lojtar humbi shansin ideal për të dyfishuar shifrat duke gabuar nga 11 metra distancë me Frashërin që priti penalltinë.
Po nuk shënove do të pësosh dhe 1 minutë më pas në të 55-ën kapiteni i verilindorëve Ylli Shameti barazoi shifrat. Fati nuk ishte me Kastriotin që goditi dhe shtyllën ndërsa pas rastesh të shumta të shpërdoruara nga të dyja skuadrat, në minutën e 84-ët braziliani William Cordeiro Melo realizoi golin e tij të parë me fanellën e Kukësit duke i dhënë fitoren skuadrës së Cungut në këtë transfertë delikate me Kukësin që u rikthye te fitorja pas dy humbjesh radhazi.
Një fitore të madhe arriti Teuta ndaj Laçit me rezultatin 0-3 në Elbasan Arena, një ndeshje që u kushtëzua nga kartoni i kuq që mori sulmuesi i kurbinasve Xhixha që në minutën e 3-të pas një ndërhyrjeje të rëndë.
Në pjesën e parë për Teutën realizuan Amadu Latif dhe Gerhard Progni ndërsa sulmuesi afrikan realizoi edhe golin e dytë personal në minutën e 72-të duke vulosur fitoren e skuadrës së Shkëmbit që u ngjit në kuotën e 14 pikëve.