Taksa e futbollit

19 Tetor 2018, 18:27Sport TEMA

Nga Gjergji Stefa

Ndërkohë që tatohet në mënyrë progresive çdo futbollist në Superiore, ndërkohë që tatohet 15% çdo e ardhur, madje dhe ato që vijnë nga UEFA apo donacionet, ndërkohë që askush nga klubet nuk ka mundësi të shkarkojë në masën 20% tvsh-në, ndërkohë që askush që sponsorizon në sport nuk ka benefite në bizneset e tyre, Shteti dhe Parlamenti flasin për informalitet.

Ca më shumë, cili nga ju di të thotë kur ka qenë hera e fundit që pushteti, ai qendror apo lokal, kanë ndërtuar një fushë të re futbolli në qytetin tuaj?

Shuma që klubet shqiptare të futbollit i detyrohen zyrës së tatim-taksave në Shqipëri është jo vetëm shqetësuese, por dhe penalizuese. Katër nga 10 klubet e Kategorisë Superiore sezonin e shkuar nuk fituan të drejtën për të marrë pjesë në kupat e Europës nën statusin e “problemeve dhe mosshlyerje detyrimesh me të tretët”, dhe mjafton t’i hidhje një sy shkarazi dosjes së klubeve në këtë drejtim dhe e kupton që tatim-taksat janë një arsye konkrete se përse nuk u fitua licenca.

Ky problem i ka prekur pak nga të gjithë, jo vetëm klubet me shumicë të kapitalit privat, por dhe klubet me kapital 100 % shtetëror (kujto rastin “Vllaznia” me rreth 1 miliard lekë borxhe në tatime). Disa klube (si për shembull Flamurtari, që ka rreth 850 milionë lekë detyrime në tatime) kanë tentuar të nënshkruajnë marrëveshje me këtë institucion, në mënyrë që të mos pengohet procesi i tyre i licencimit momental, por vështirësitë janë të mëdha.

Në një seancë parlamentare, ministri i linjës e konsideroi një shqetësim shumë të madh, por askush nga ajo foltore e Parlamentit nuk ka analizuar apo propozuar ligje që do ta zbutnin këtë detyrim fiskal, i cili është i rreptë për kushtet ku operojnë financiarisht drejtuesit e futbollit në Shqipëri.

4 janë elementët kryesorë në sistemin e taksimit që i bëjnë klubet në Shqipëri të vuajnë. E para, tatimi me 15% nga çdo e ardhur, qoftë kjo e drejtpërdrejtë ose e tërthortë. Çdo lloj donacioni, që futet në klubet shqiptare, tatohet ashtu sikundër tatohet çdo e ardhur nga pjesëmarrja në Europë dhe çdo e ardhur nga shitja e lojtarëve. Sikur të mos mjaftojë, kjo, taksa progresive, e ka rënduar situatën.

Sot futbollistët paguhen në përgjithësi më shumë se 1.5 milionë lekë të vjetra në muaj dhe kjo prodhon 23% taksë për këdo, një shifër e jashtëzakonshme për investitorët. E fundit, por jo nga rëndësia, futbolli është i vetmi biznes i cili nuk ka asnjë mundësi konkrete dhe reale të shkarkojë 20% të TVSH-së. E vetmja mënyrë për ta bërë këtë janë biletat, një temë e gjerë dhe shumë e diskutueshme në këtë drejtim.

E parë kështu, u konsiderua një hap i madh dhe i rëndësishëm shndërrimi i klubeve të futbollit në shoqëri aksionare, pavarësisht formës së kapitalit, por sistemi i taksave në futboll po e bën të pamundur frymëmarrjen dhe normën e investimit. Sistemi fiskal, një tjetër ligj, një propozim i bërë për “Tax Free” në këtë drejtim është minimumi që Shteti mund të bëjë për sportin.

Në kushtet kur kërkohet gjithnjë e më shumë ndihmë në infrastrukturë, ndërtimi i komplekseve sportive dhe falja pa ndryshim destinacioni te klubet përkatëse, ata që investojnë në sport janë të detyruar të ngrenë zërin për para të thithura e të moskthyera kurrë pas. Sigurisht që futbolli duhet t’u nënshtrohet rregullave të biznesit, por biznesi i futbolli jo vetëm në Shqipëri por kudo, është specifik. Së fundmi, një ligj i ri duhet t’i bëjë disi më optimistë aksionarët e klubeve shqiptare.

Brenda një viti, pushteti lokal duhet të kalojë në “llogari” të shoqërive aksionare të futbollit edhe asetet, sepse deri tani është bërë vetëm privatizimi i aktivitetit. Me asetet nëpër duar, klubet do të kenë mundësi investimi dhe zhvillimi. Përfundimisht, problematika e klubeve në Shqipëri mund të ketë një bilanc jopozitiv dhe nga paaftësia e drejtimit, administrimit apo vizionit, por është fakt që Shteti nuk bën pothuajse asgjë që klima financiare dhe infrastrukturore në Superiore të ndryshojë.

Kush nga ju është gati të thotë se sa fusha futbolli janë ndërtuar në qytetin tuaj nga pushteti lokal ose qendror në gjithë këto vite? Vetëm rikonstruksione stadiumesh, të përgëzuara si nisma, por që nuk zgjidhin problemin e madh të organizimit të klubeve.

Asnjë stadium i ri me parametrat e UEFA-s nuk është ndërtuar nga e para në Kroaci në këto 20 vite, por çdo bashki dhe komunë ndërton së paku 5-6 fusha futbolli në vit për zhvillimin e klubit, lehtëson taksat dhe krijon frymëmarrje në detyrimet mbi të ardhurat. Kroacia sot është nënkampione bote, sigurisht jo vetëm për arsyet e sipërpërmendura.

1 komente në “Taksa e futbollit”

  1. Furr NELA says:

    Qenke burre i mencur.
    Te te bej nje pyetje ? Perse presidentet (pronaret, financuesit apo te ashtuquajturit sponsore) i mbajne athere klubet e futbollit ? Perse nuk i shesin ?.
    E di ti qe tatimi per te ardhurat ne RSH aplikohet mbi të ardhurat personale të individëve ndersa per shoqëritë tregtare perfshire Klubet e Futbollit si dhe personave fizikë (tregtarë të regjistruar), kur janë subjekt i tatimit mbi fitimin aplikohet tatimi mbi fitimin ?
    E di ti qe 13.8 % e kontributit te sig. shoq. paguhet nga punedhenesi dhe 9.6 % paguhet nga i punesuari dhe llogaritet mbi pagen bruto ?
    Kush i ndalon Klubet ti mbajne keto pagesa ne bordero dhe ti parashikojne ne kontratat qe lidhin me futbollistet qe sic thua paguhen mesatarisht 1.5 milion te vjetra ne muaj. Persa kohe paguhen futbollistet athere duhen paguar edhe keto detyrime. Kjo qe ndodh eshte maskarallek edhe per fat te DPT.
    Pa le te tjerat por kulmin ti more burre i zgjuar e arrin kur kerkon qe pushteti lokal ti kaloje “ne llogari” te klubeve ASETET, pra shqip STADIUMET. E di ti qe ato jane PRONE PUBLIKE dhe ti hedh GREPIN PER TI VJEDHUR CA MASKARENJ ?
    PERSE PSH TE MOS E PRIVATIZOJ UNE STADIUMIN ME CMIMIN ME TE LARTE NE ANKAND EDHE ATO KLUBET TUAJA QE PO I SHERBENKE TE VIJNE E TE LOSIN ME QERA ?
    Mos shkruaj me per kete teme se NUK JA PASKE HABERIN (ose ti e di perse shkruan keshtu)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje