Bayern, Rummenigge nuk duron, sulmon mediat për 'shpifjet'

19 Tetor 2018, 17:11Sport TEMA

Drejtori ekzekutiv, presidenti dhe drejtori sportiv i Bayern Munich, kanë nisur një fushatë hakmarrjeje kundër medias, të cilën e shpalosi në konferencën për shtyp të ditës së premte.

Karl Heinz Rummenigge, Uli Hoeness dhe Hasan Salihamidic në një konferencë për shtyp, e cila ishte surprizuese, mëngjesin e së premtes, nisën që të promovonin një fushatë e cila ishte për të mbrojtur klubin, lojtarët dhe stafin e mbi të gjitha trajnerin Niko Kovaç, ky i fundit ka qenë shumë  i sulmuar gjatë javëve të fundit për shkak të ecurisë së dobët të skuadrës.

Rummenigg në fjalën e tij akuzoi gazetarët, të cilët nuk kanë respektuar klubin dhe kanë bërë raportim të pahijshëm. “Së pari do të dua t’iu kujtoj juve rreshtin e parë të kushtetutës së Gjermanisë: dinjiteti i njeriut është i paepur”. Rummenigge më tej vijoi: “Nuk e di nëse kjo mund të aplikohet në futboll”.

Bavarezët janë në presion të madh sepse nuk kanë fituar asnjë nga katër ndeshjet e tyre të fundit dhe shumë lojtarë janë vënë në kritikë jo vetëm për përfaqësimin e kësaj skuadre, por edhe për përfaqësimin që i kanë bërë fanellës së Gjermanisë.

“Sot, ne po mbrojmë lojtarët tanë, trajnerin dhe klubin tonë”, vijoi Rummenigge. “Ne nuk po fajësojmë median për rezultatet e dobëta. Ne nuk duam që të lavdërohemi, por as që të keqpërdoremi”.

Rummenigge më tej u zhvendos te kritikat që media i ka bërë lojtarëve të veçantë si Manuel Neuer, Arjen Robben dhe Franck Ribery. “Kur unë lexova diçka që ishte shkruar rreth Manuel Neuer, mbeta pa fjalë. Dua t’iu kujtoj se ai është njeriu që është shpallur portieri më i mirë i botës katër herë. Robben dhe Ribery kanë fituar të gjithë titujt në futboll. Debati për moshën e tyre është një turp i shëmtuar dhe që tregon mungesë të theksuar respekti”.

Duke iu referuar moshës së Robben dhe Ribery, Rummenigge nuk shkoi më larg sesa Serie A, ku bëri lidhjen me 33-vjeçarin Cristiano Ronaldo që firmosi këtë verë te Juventus: “Kam luajtur vetë në Itali, dhe mendoj se disa gazetarë duhet të shohin përqark dhe jashtë kufijve për të kuptuar dhe trajtuar lojtarët me eksperiencë”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje