Lojrat e Fatit: Kur Italia fashiste jua ndaloi shqiptarëve bixhozin edhe në shtëpi

28 Tetor 2018, 09:30Politika TEMA
Lojrat e Fatit: Kur Italia fashiste jua ndaloi shqiptarëve bixhozin edhe

Në muajt e parë pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, mbyllja e gjithë lojrave të fatit dhe ndalimi i kumarit në çdo ambient, ishte një prej urdhrave të bujshëm të mëkëmbësit të Viktor Emanuelit në Shqipëri, Françesko Jakomoni.

Por zbatimi i këtij urdhri dukej se qe i vështirë. Një varg shkresash të vjeshtës së ‘39-ës, dëshmojnë se sfida për t’i mbyllur të gjithë lojrat e fatit ishte e madhe. Një varg lokalesh e restorantesh ishin mbyllur e mbaheshin të bllokuara pasi i kishin kapur klientët e tyre në flagrancë duke luajtur kumar.

Por kjo luftë ishte shtrirë edhe më gjerë. As në shtëpi nuk mund të organizoheshin lojra të tilla.  Një avokat në Durrës i cili mblidhte njerëz në shtëpinë e tij për të luajtur kumar, kishte rënë në sy të informatorëve, të cilët ksihin lajmëruar në Ministrinë e Brendshme këtë shkelje të rëndë.

Pas këtij informacioni, vetë ministri Maliq Bushati urdhëronte Prefekturën e Durrësit ta shihte këtë çështje. Pas hetimeve kishte rezultuar se lajmi ishte i vërtetë. Ja çfarë thonë ekzaktësisht këto dy dokumente:

Dokumenti i parë

Mbretnija Shqiptare, Ministrija P.Mbrendshme

Zyra sekrete

Nr.674

Tiranë, 7/XI/1939

Prefekturës Durrës

Kemi informata se shpesh herë, mbremane, shumë tregtarë mblidhen në shtëpinë e av.Sulo Bogdos ku lozin lodra fati.

Ata më kryesorët janë: Skënder Pojani, Lazer Dovana, Spiro Spiro, si dhe kryetari i Gjyqit Thanas Meksi. Megjithëse kjo ministri nuk beson se në atë shtëpi dhe ata persona të lozin kumar. Lutemi hetoni dhe nëse rezulton e vërtetë. Të këshillohen personat e përmendur si dhe ata që mund të frekuentojnë atë lokal me qëllim luajtjeje, që të rezervohen e të mos u japin shkak raportimeve.

Ministri Maliq Bushati

Dokumenti i dytë

Mbretnija Shqiptare, Prefektura e Durrësit

Nr.241

Durrës 19/XI/939

Ministrisë së Punëve të Mbrendshme

Zyra sekrete

Tiranë

Përgjigje shkresës nr.674 dt.7 të këtij muaji.

Asht e vërtetë se në shtëpinë e Av.Sulo Bogdos në Durrës, shumë veta mblidhen e lozin lodra fati.

Sa për kryetarin e Gjyqit z.Thanas Meksi, mbas hetimeve të sigurta rezulton se nuk e frekuenton atë shtëpi.

Sul Bogdo u këshillue që të mos sjelli në shtëpi njerëz me qëllime lodre. /tesheshi/

6 komente në “Lojrat e Fatit: Kur Italia fashiste jua ndaloi shqiptarëve bixhozin edhe në shtëpi”

  1. ? says:

    Bixhozi ka anë pozitive nëse je beqar dhe anë négatif nëse ke kalamaj për të ushqyer

  2. emer says:

    Dhe ja historia perseritet. Gjetje e bukur kjo me epoken e fashizmit italian. Te pakten fashistet e asaj kohe ishin me serioz se keta te sotmit qe nga njera ane bejne politike fashiste (populiste) dhe nga ana e orientimit suksual jane homo. Fundja keto lloj speciesh si puna e braces fashtisizohen te parat.

  3. identiku says:

    Koha e fashizmit dhe ajo e neofashizmit. E ku qendron ndryshimi ketu? Popull i neperkembur ne ate kohe dhe ne kete kohe. Propogande atehere, Propogande populiste edhe sot.

  4. xhemal says:

    cbeni keto paralelizma idiote qe nuk ngjaje fare me siguri te finanziata nga boset e lojrave te M….t .cdo shtet demokratik ben te gjitha perpjekjet te nxis veprat me te mira te njeriut .kultivon virtutin .jo vesin qellimet e fashizmit ishin komplet te ndryshme ne kushtet e luftes kur fashizmi frikesohej nga organizimi i resistentes per Liri e pavaresi.dhunen fashiste mos e ngaterroni me ligjet e sotme ne kushtet e lirisr

  5. Imir says:

    Av. Sulo Bogdo eshte gjyshi i Trtan Shehut, babai i nenes se tij, nje intelektual patriot, i cili per qendrimet e tij anti fashiste e antinaziste u arestua ne vitin 1944 dhe u dergua ne Kampin e Perqendrimit ne Prishtine, ku u pushkatua ne Tetor te vitit 1944!

    1. Imir says:

      Sulo Bogdo – gjyshi i Tritan Shehut – babai nenes se tij, ishte nje intelktual patriot qe dha familiarisht nje kontribut te rendesishem ne emancipimin e Shqiperise. Ai dha nje kuntribut te rendesishem ne luften kunder fashizmit dhe nazismit, si rezultat i te ciles gjermanet e burgosen ne Kampin famekeq te Perqindrimi ne Prishtine, ku ne prag te clirimit te vendit ne Tetor 1944 gjermanet e pushkatuan, bashk me nje grup shqiptaresh

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje