Skënderbeu mposht Partizanin dhe merr i vetëm kryesimin

29 Tetor 2018, 21:09Sport TEMA

Nga Skënderbeu, te Skënderbeu, Partizani mposhtet me rezultatin 0-2 ndaj skuadrës korçare dhe pëson humbjen e dytë në kampionat, pas një serie prej 8 ndeshjesh radhazi me rezultate pozitive, ku numëronte 7 fitore dhe 1 barazim.

Ka qenë pikërisht skuadra korçare, që mposhti Partizanin me rezultatin minimal 1-0, falë një goli të shënuar nga Gjergji Muzaka me 11-metërsh, në minutën e 90’, në ndeshjen e parë të sezonit të ri të Superiores dhe që atëherë, skuadra e Gegës nuk mposhtej më.

Duhet të vinte sërish skuadra kampione në fuqi dhe të shënonte sërish ish sulmuesi i “Të kuqve”, Gjergji Muzaka, që Partizani të provonte shijen e humbjes së dytë në këtë sezon, gjatë të cilit ka dhuruar performanca mjaft të mira.

Në një “Selman Stërmasi” të “skuqur” nga tifozët e partizanit, ishte skuadra e Gegës që u mundua të marrë iniciativën dhe të sulmojë korçarët, për të shënuar e para golin, me Bardhin e Asanin, në rolin e protagonistëve.

Nga ana tjetër, skuadra e drejtuar nga Orges Shehi mbrohej me shumë kujdes dhe qarkullonte mjaft mirë topin, ndërsa herë pas here zbriste shpesh në sulm, duke vënë në vështirësi mbrojtjen e ekipit të Partizanit.

Për të parë golin e vetëm të ndeshjes, atë më vlerë 3-pikëshe për Skënderbeun, u desh të vinte minuta e 64-t, kur Gjergji Muzaka gjuajti bukur në zonë dhe mposhti kapitenin e Partizanit, Alban Hoxhën.

Mesfushori kryeqytetas kishte vetëm një minutë që ishte futur në fushën e lojës dhe u shërbye me një krosim mjaft të bukur nga krahu i majtë i sulmit korçar, duke goditur fluturimthi, ndërsa topi u përplas në shtyllë dhe u ndal në rrjetën e Alban Hoxhës.

Partizani u mundua të rikthejë baraspeshën, duke tentuar të sulmojë me më shumë forca, ndërsa në minutat shtesë, skuadra e Skënderbeut gjeti edhe golin e dytë, kur pas një kundërsulmi, Bregu u shërbye në zonë dhe gjuajti mjaft bukur, duke çuar topin në rrjetë.

Pas kësaj ndeshjeje, Skënderbeu konfirmon edhe njëherë se është skuadra kampione në fuqi dhe ekipi për t’u mposhtur, teksa rikthehet të marrë kryesimin e renditjes, me 23 pikë, një më tepër se Partizani ndjekës.

2 komente në “Skënderbeu mposht Partizanin dhe merr i vetëm kryesimin”

  1. shqiptari i ilirise says:

    Që pardje e keni bërë këtë lajm?

  2. deni says:

    Po ku e keni videon?Se po te kish fituar partizani dihet 10 te tilla,spathinj Brace

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje