Pas 2 humbjesh radhazi, Laçi u rikthye te fitorja në kampionat pasi mposhti 1-0 Luftëtarin brenda në Gjirokastër.
Vendosi goli me gju i Ndriçim Shtubinës në minutën e 79-të, me Migen Memellin që e nisi me fitore aventurën e tij si trajner i parë te kurbinasit.
Largimi i trajnerit Mërgjyshi në mënyrë të papritur nuk ndikoi aspak te Laçi që luajti më mirë dhe e meritoi fitoren në Gjirokastër.
Përballja ndaj ish skuadrës së tij nuk rezultoi ashtu siç do të dëshironte Gentian Mezani me Luftëtarin që humbi një shans të shkëlqyer për t’iu larguar disi zonës së ftohtë të klasifikimit.
Bluzinjtë e kanë të pamundur të regjistrojnë dy fitore radhazi në këtë sezon dhe kjo u pa qartë edhe në këtë sfidë.
Pjesa e parë foli më shumë për miqtë me Laçin që gjeti golin me Gjonin në minutat e fundit por gjyqtari Shahini e anuloi për një faull ndaj mbrojtësit Oltion Rapa.
Në pjesën e dytë loja u balancua disi me Luftëtarin që ishte më kërkues por gaboi përpara porte, deri sa erdhi goli i Shtubinës që vendosi fatet e kësaj sfide dhe që e ngjiti Laçin në kuotën e 19 pikëve në vendin e 3-të të renditjes sëbashku me Kukësin.