
Poeti Visar Zhiti ka vlerësuar librin e ri të shkrimtarit Gazmend Kapllani, “I keqi i vetes”, si një nga veprat më të arrira të autorit dhe një standart “dostojevskian” për letërsinë shqiptare.
Libri i cili sapo ka dale nga shtypi dhe do të jetë pjesë e panairit të librit në Tiranë, është sipas Zhitit “e çmuar, e bukur tragjikisht, marramendëse, me të papritura, e prajshme, me plot fshehtësi poezie e humor të zi si realiteti”.
Ja çfarë shkruan ai:
“Të shkosh nē librari dhe të marësh ndër duar librin që po e prisje, është një ndjesi e veçantë, që mbart dhe takimin me të magjishmen. Shkrimtari Gazmend Kapllani, tashmë i njohur si romancier dhe në vende të tjera, na vjen me veprën “I keqi i vetes”, një sagë e shkëlqyer dhe tronditëse, që ndonëse e shkruar në SHBA, ku dhe jeton, ka arealin shqiptar e ballkanik, ka botën, atë të njeriut, fatin dhe dramën e tij, në kapërcyell ndryshimesh të kohëve dhe vendeve dhe të përplasjeve të tyre.
Ne patëm fatin ta lexojmë librin në dorëshkrim, falë miqësisë së autorit, duke e ndjerë atë kështu dhe tonën, në fund të fundit ajo prandaj dhe u shkrua, për të qenë pasuri e lexuesit dhe e tillë është.
E çmuar, e bukur tragjikisht, marramendëse, me të papritura, e prajshme, me plot fshehtësi poezie e humor të zi si realiteti. Dhe me madhështi të brendshme, atë të thellësisë dostojevskiane, me trishtim kafkian, jo të ftohtë, me kadencën e romancierëve të njohur amerikanë. Por gjithnjë vetvete.
Gaz Kapllani solli veprën që pritej.
Mezi ç’presim ta rilexojmë…”