Vetëm pak kohë pas vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi, një prej pjesëtarëve të ekipit që kreu ekzekutimin e tij, ka telefonuar dikë për t’i thënë “të informojë shefin” se operacioni kishte shkuar sipas parashikimit.
Edhe pse nuk përmendet me emër, sipas skemës së rindërtuar nga New York Times, shefi në fjalë është princi saudit i kurorës, Mohammed bin Salman.
Regjistrimi audio i është vënë në dispozicion nga shërbimet sekrete turke drejtores së CIA-s, Gina Haspel. Ky regjistrim konsiderohet si prova më e rëndësishme që implikon direkt princin në vrasjen e gazetarit.
Telefonata në fjalë është bërë në arabisht nga Maher Abdulaziz Mutreb, një prej 15 sauditëve që u dërguan në konsullatën saudite në Stamboll më 2 tetor. Mutreb është një prej pjesëtarëve të ekipit të sigurisë së princit, të cilin e shoqëronte shpesh në udhëtime, i kanë thënë tre burime të ndryshme amerikanes New York Times. Në regjistrim del se Mutreb në mënyrë eksplicite ka vënë në dijeni një epror të tij se “operacioni u krye”.
Arabia Saudite, me anë të një komunikate, ka mohuar që princi i kurorës “të ketë dijeni për çfarëdo informacioni që ka të bëjë me këtë çështje”.
Në deklaratën zyrtare thuhet se “Turqia ua ka dërguar këtë regjistrim shërbimeve tona të inteligjencës dhe për momentin nuk kemi asnjë referencë në lidhje me frazën e mësipërme”.
Megjithatë, Turqia ka disa regjistrime. Telefonata në fjalë është pjesë e regjistrimit audio që shefja e CIA-s ka dëgjuar gjatë vizitës së saj në Ankara. Por asaj nuk i është lejuar të marrë me vete një kopje të këtij regjistrimi.
Të shtunën, presidenti turk, Erdogan, tha se ua ka vënë në dispozicion këtë regjistrim Arabisë Saudite, Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tjerë perëndimorë. (TemA TV)
Larje hesapesh te arabët.