Një vend jo aq i bekuar

29 Nëntor 2018, 21:30Blog TEMA

Amerika nga një vend i mundësive të pakufizueshme nën Donald Trumpin është bërë një vend i përçarë, me një klasë politike të polarizuar, me debate ku e vërteta luan gjithnjë e më pak rol.

Nga Enver Robelli

Si ministre e Jashtme Hillary Clinton kishte bërë një gabim. Emailat zyrtarë i kishte dërguar nga emaili privat. Republikanët e kritikuan ashpër për këtë veprim, ndërsa Donald Trumpi e shihte si një dëshmi më tepër se demokratët janë të papërgjegjshëm, nuk dinë të qeverisin, madje janë të pabesë, sepse bëjnë politikë pas shpinës. Dhe a kishte shembull më “të mirë” se ky me emailat e Hillary Clintonit? Tani është bërë e ditur se Ivanka Trump, vajza dhe këshilltarja e presidentit, po ashtu ka dërguar emaila zyrtarë nga emaili privat. Presidenti tha se letrat elektronike të vajzës së tij nuk mund të krahasohen me ato të Hillary Clintonit. Ditën e mirë, me kaq pak fjalë i përfundon debatet e pakëndshme Trumpi. Po i njëjti gjatë fushatës elektorale për president e quante Hillary Clintonin “një rrezik për mbarë vendin”. Edhe ky rast, kjo aferë me Ivanka Trumpin dhe me standardet e dyfishta që përdor Trump tregon se Amerika nga një vend i mundësive të pakufizueshme nën Donald Trumpin është bërë një vend i përçarë, me një klasë politike të polarizuar, me debate ku e vërteta luan gjithnjë e më pak rol.

Rol luajnë fjalosjet në dukje banale në Shtëpinë e Bardhë. Zonja e Parë Melania Trump së fundi kërkoi hapur largimin e një zyrtareje të lartë nga Shtëpia e Bardhë. Në një komunikatë Melania Trump shkroi se zëvendëses së këshilltarit për siguri nacionale Mira Ricardel nuk i takon më nderi të shërbejë në Shtëpinë e Bardhë. Arsyet mbetën të paqarta. Mira Ricardel është me origjinë kroate. Babai i saj Peter Radieloviq erdhi në SHBA në vitin 1954. Mira Ricardel ka shërbyer në administratën e presidentit Ronald Reagan dhe ka qenë ndihmëse e Robert Dolit, mbështetësit të madh të Kosovës.

Në administratën e presidentit George W. Bush Mira Ricardel shërbeu në postin e “Assistant Secretary of Defense for International Security Affairs” dhe këshilltare. Në vitet ’90 është përshkruar si grua me shumë ndikim në politikën amerikane ndaj Ballkanit. Qarqet serbe e kanë akuzuar se ka ndikuar që Robert Dole të ketë qëndrime të qarta “antiserbe”. Në të vërtetë, qëndrimet e Dole kanë qenë përherë konsekuente kundër politikave agresive të presidentit serb Slobodan Milosheviq. Sidoqoftë, komunikata e Melania Trump, e cila është me origjinë sllovene, ka mjaftuar që Mira Ricardel të largohet nga Shtëpia e Bardhë, e cila ka bërë të ditur se Ricardel do të ushtrojë një rol të ri në administratë.

Një këshilltar të sigurisë Trumpi e ka larguar, sepse nuk i pëlqenin kostumet e tij; për ministrin e Mbrojtjes, James Mattis, ka thënë se dyshon se është demokrat, andaj mund të jetë vetëm çështje kohe kur edhe Mattis duhet të largohet, ashtu si Jeff Sessions, ministër i Drejtësisë, ose më herët: Hope Hicks, shefe për komunikim e Shtëpisë së Bardhë, e cila ishte përzënë pas vetëm 6 muajsh qëndrimi në post. Dina Habib Powell, zëvendëskëshilltare për siguri nacionale, u largua për “arsye familjare”. Powell, e lindur në Egjipt, angazhohej për kontinuitet të politikës amerikane në Lindjen e Afërt. Atë e trashëgoi në post Nadia Schadlow, por ajo dha dorëheqje menjëherë pasi u takua me këshilltarin e ri për siguri nacionale, John Bolton.

Kështu shkojnë gjërat tani në Shtëpinë e Bardhë, shumë ideologë, misionarë e biznesmenë si Trumpi, i cili, siç shkroi një kolumnist i “New York Times” politikën e sheh si “Black Friday”, ku shitet gaz, naftë e moral. Por sidomos pas Luftës së Dytë Botërore nuk ka qenë vetëm fuqia ushtarake dhe ekonomike që e ka bërë Amerikën të madhe, por edhe vlerat etike e morale që ka mbrojtur në botë. Diçka e tillë duket se po zbehet përfundimisht.

Dhe kjo shihet edhe në reagimin e Trumpit në lidhje me rastin e Jamal Khashoggit. CIA, shërbimi sekret amerikan, ka ardhur në përfundim se vrasja e gazetarit Khashoggi në Konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll nuk është bërë pa dijen e princit të kurorës Mohamed Bin Salman. Presidenti Donald Trump me gjasë situatën e sheh pak më ndryshe. Në një deklaratë ai së pari nënvizoi partneritetin e palëkundshëm mes SHBA-së dhe Arabisë Saudite, pastaj tha se ndoshta princi e ka ditur se po përgatitej vrasja e Khashoggit, por ndoshta nuk e ka ditur!

Politikanët demokratë kanë deklaruar se nga janari, kur do të kenë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, do të hetojnë lidhjet biznesore të Trumpit me Arabinë Saudite. Trumpi u përgjigj se për këtë as që bëhej merak. Bob Corker, senator republikan në largim, tha se nuk ka mundur ta marrë me mend se Shtëpia e Bardhë do të bëhej agjenci reklamash për princin e kurorës të Arabisë Saudite. Kolegu i tij Rand Paul, tha se deklarata e Trumpit tregon se politika e tij nuk është “Së pari Amerika”, por “Së pari Arabia Saudite”. Trump u lavdërua se vitin e kaluar e ka bindur Arabinë Saudite të investojë 450 miliardë dollarë në Shtetet e Bashkuara. Në fund – edhe në politikën aktuale amerikane gjithçka është biznes. Dhe ky është lajm i keq për botën.

4 komente në “Një vend jo aq i bekuar”

  1. enter"" says:

    Analize kompelt idiote.
    Se pari, duhet te dish qe Arabia Saudite I dha idhtares tende Hillary Clinton, 20 milione dollare per fushaten elektorale te cilen ajo e humbi dhe mire qe e humbi.
    Se dyti, nuk krahasohen emailed e HC me te Ivankes. HC ne emailed e saj ka shkelur shume rregullore.
    Se treti mos harro Benghazi
    Se katerti, mos u merr me mashtruesit e NY Times, kesaj gazeta qe as per banjo nuk eshte
    Se pesti, HC do vazhdonte politkat e luftes kudo ne bote. Deri tani ju adhuruesit e saj keni ngeluer me gisht ne goje

  2. Nemezi says:

    Ia ke fut kot Robello. Mira nuk ka punuar per Reganin. Shko verifikoji mire ato qe perktgen keq nga shtypi i huaj se pastaj shkruan broçkulla

  3. Sulejman Pumi says:

    O Robell, ke bere nje permbledhje te Main stream medias, qe dihet se eshte absolutisht e njeaneshme, dhe jo te aresyeve te verteta dhe te interesave te popullit amerikan. Koha po tregon qe Trump eshte absolutisht amerikan, ne mbrojtje te interesave amerikave dhe jo nje qofte sikur mund ta donin e te luanin me perpara, sidomos kinezet e europianet. Ajo kohe mbaroi.

  4. Omer Kopuku says:

    Robell mos e4 dhit he burr muhabetin me analiza nderkombetare,Po e morri vesh Trampi qe e kap edhe ti me goje do na vrasi veten mor aman,Po ta zeme se do e prishi me Arabine Saudite amerika, atehere Vladi i madh pret ne shteg,Per nje byth gazetari arab nuk prishen mardhenjet jetesore oj Enver

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje