Ivan Balliu, më shumë se për formën që po kalon aktualisht, në Shqipëri është dëgjuar së fundmi për refuzimin që klubi i tij i ka bërë Kombëtares shqiptare për sa i përket shërbimeve të mbrojtësit të dalë nga akademia e Barcelonës.
Megjithatë, kjo duket se është një çështje që nuk e prek shumë mbrojtësin, pasi ai është shprehur se po gjen besimin dhe formën e munguar dhe se ndihet më mirë.
Në një intervistë për mediat franceze, Balliu ka folur në lidhje me formën që po kalon, duke qenë i bindur se shumë shpejt mund të rikthehet aty ku të gjithë presin dhe se po fiton besim.
“Trajneri i Metzit na kërkon shumë dhe gjithmonë hap videot e ndeshjeve dhe kujdeset shumë për detajet. Ai ka vënë rregull në skuadër dhe fakti që çdo gjë është në vendin e duhur, e hamë të gjithë së bashku na bën që të jemi më shumë si grup dhe riaftësimi bëhet më i lehtë.
Në verë unë doja të largohesha dhe të gjithë e dinë situatën time, por gjithsesi qëndrova dhe trajneri më dha mundësi që të luaja. Kam rifituar besimin dhe pak nga pak po kthehem aty ku duhet. Nuk e di çfarë mund të ndodhë në merkaton e janarit, por tani jam i përqendruar te Metzi dhe do të jem deri ditën që do të ketë diçka për të cilën mund të flas”, tha mes të tjerash Balliu.