Kampionati rus do të mbyllë pjesën e parë të sezonit më 8 dhjetor dhe do të rinisë në mars. Katër muaj pa futboll, diçka e pakonceptueshme për Europën Perëndimore, aty ku edhe pushimet verore tashmë nuk i kapin 3 muajt.
Megjithatë, në Rusi gjithçka vjen për shkak të motit, sepse nuk mund të luhet në temperatura të acarta. Për këtë arsye, prej disa ditësh ka përfunduar në qendër të vëmendjes dhe ka ngjallur debate të mëdha ndeshja e planifikuar për t’u luajtur këtë të shtunë, Yenisey-Akhmat Grozny, në Central Stadium në Krasnoyarsk.
Do të jetë një ndeshje pa tifozë miq, por jo për ndonjë rivalitet mes tifozerive, sepse arsyeja qëndron tek distanca prej thuajse 5000 kilometrash mes dy qyteteve, njëri në Detin Kaspik dhe tjetri në Siberi.
Edhe në aspektin kulturor këto dy qytete janë krejt të ndryshëm: Grozny është i lidhur thellësisht me fenë islame, ndërsa Krasnoyarsk është një qytet i themeluar në vitin 1628 nga kozakët, që synonin ta kolonizonin zonën për Perandorinë Ruse.
Në fushë nuk ka inate të vjetra, këto dy skuadra janë ndeshur shumë rrallë në histori dhe përballja e parë mes tyre në Premier Ligën ruse erdhi në 5 gusht të këtij viti, me Akhmat që fitoi 1-0 në një ndeshje pa emocione.
I themeluar si Lokomotiv Krasnoyarsk në vitin 1937, Yenisey ka një histori modeste, aq sa për herë të parë në divizionin 2 u ngjit në vitin 2009.
Në vend të rivalitetit sportiv, problematika pas sfidës direkte të kësaj fundjave qëndron te moti. Pritet që në Krasnoyarsk këtë të shtunë temperaturat të zbresin frikshëm, deri në 15-20 gradë nën zero në mesditë dhe 24-28 gradë nën zero natën. Fat i madh që luhet nesër, sepse në vazhdim do të jetë edhe më keq, aq sa të mërkurën temperatura më e lartë do të jetë 26 gradë nën zero, gjëra që në Shqipëri nuk i shohim as në ëndërr.
Meqë ra fjala, pak Shqipëri në këtë sfidë do të ketë, sepse në stolin e Yenisey do të jetë Enis Gavazaj, ndërsa në krahun tjetër Bekim Balaj. Për fatin e tyre, Bernard Berisha e Odise Roshi nuk kanë udhëtuar fare, janë të dëmtuar.
Nëse në pjesën më të madhe të Rusisë është gjetur një zgjidhje për të ftohtin në stadiume, sepse disa prej tyre tashmë kanë çati, në Siberi do të luhet në kushte skandaloze. Federata Ruse është nën akuzë, sepse mund të ndryshonte fushat që kur u hodh shorti, ndërkohë që tani refuzon si shtyrjen e ndeshjes, ashtu edhe kërkesën e Yenisey-t për të luajtur në një ministadium të mbuluar, nga ata për futboll salle.
Në këtë mënyrë, Yenisey është detyruar të përgatitet për të luajtur në të hapur, në stadiumin e vet të ngrirë dhe të mbuluar nga dëbora, ndërsa tifozët që do bëjnë aktin heroik të të vajturit në stadium do të hyjnë falas, pasi klubi ka vendosur të mos i sikletosë më shumë.
Megjithatë, rusët nuk janë nga ata që tremben nga pak acar: priten më shumë se 5.000 tifozë në stadium, ndërsa Yenisey në faqen e vet në Twitter bën humor, duke e ofruar stadiumin e vet që të luhet Superclasico e Libertadores, River Plate-Boca Juniors, ndeshje që vetëm të enjten u vendos që të luhej në Bernabeu.
Përtej shakave, Yenisey kërkon fitore me çdo kusht ndaj Akhmat-it, sepse ka mbetur në fundin e tabelës, 5 pikë larg zonës play-off. Akhmat është më i qetë, ka 19 pikë, 10 më shumë se Yenisey, ndaj edhe një barazim i vlen shumë.