Shqiptarja që sfidoi FIFA-n me “shqiponjë”, mes 100 futbollisteve më të mira në botë

5 Dhjetor 2018, 10:46Sport TEMA

Një futbolliste shqiptare ka marrë vlerësimet e specialistëve të mediave dhe ish-futbollisteve e trajnereve të njohura ndërkombëtare, duke u bërë pjesë e 100 futbollisteve më të mira në botë, në renditjen vjetore që publikohet për herë të parë nga “The Guardian”.

Bëhet fjalë për Kosovare Asllanin e cila pavarësisht se përfaqëson Suedinë në arenën ndërkombëtare, nuk i harron kurrë rrënjët e saj dhe ishte gati t’i hapte luftë edhe FIFA-s për festimin me shqiponjë.

Specialistët e “The Guardian” e kanë  përzgjedhur në vendin e 95-të në renditjen e tyre, duke treguar se ajo është ringjallur pas kthimit në Suedi, ku luan me Linkoping. Megjithatë, kontributi i saj më i madh për këtë vit që po mbyllet mbeti ai me ekipin kombëtar të Suedisë, të cilin e ndihmoi duke shënuar gola me peshë që të kualifikohej për në Botërorin 2019.

Pikërisht festimi i golave me “shqiponjë”, pak javë pasi Shaqiri dhe Xhaka kishin bërë të njëjtën gjë në Botëror, e ktheu Asllanin në vëmendjen e mediave ndërkombëtare të cilat menduan se mos FIFA do të ndëshkonte edhe atë për këtë festim.

“E kam bërë gjithmonë dhe është festim normal, nuk është politik. E bëra edhe për nipin tim që po më shihte. Nëse në FIFA duan të më dënojnë, të më mbajnë paratë e rrogës”, ishte sfida e hapur e Asllanit, e cila sigurisht që nuk u dënua për atë gjest me të cilin kishte dashur të përshëndeste të gjithë shqiptarët.

1 komente në “Shqiptarja që sfidoi FIFA-n me “shqiponjë”, mes 100 futbollisteve më të mira në botë”

  1. ben says:

    Nuk ka rendesi se cfare uniforme ke veshur, por eshte e rendesishme qe kurre te mos harrosh se cili eshte kombi yt.
    Te vetmen gje qe kurre nuk do ti falja femijeve te mi eshte te mohonin rrenjet e tyre shqiptare. Per kete jam me fat, pasi ata jane me shqiptare se sa jam une. Mbase eshte e vertete ajo qe thuhet se “dardha do bjere nen dardhe”.
    Urime Kosovares per vleresimin qe ka marre, por me shume per shqiponjen qe ka ne zemer.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje