Opozita si simbiozë e keq-qeverisjes

7 Dhjetor 2018, 12:29Blog TEMA

Nga Flamur Kuçi

Megjithëse ka një pakënaqësi të gjërë me qeverisjen që, si për ironi vetëquhet rilindje, ka një mungesë të thellë besimi e shprese tek opozita që përkthehet në rudhje të vazhdueshme të mbështetjes së saj në popull.

Ky është një paradoks, por, si çdo paradoks, ai është i vërtetë. Ndaj shtrohet pyetja; si ka mundësi që sa më shumë keq-qeverisemi aq më pak na bind aksioni opozitar thjesht dhe vetëm se çdokush e sheh se ky aksion është i pavërtetë, hileqar, joparimor dhe mbetet veç thirrje e radhës për një pazar në kurriz të njerëzve të thjeshtë.

Me të njejtën mënyrë sesi rilindja sundon me arrogancë, me tallje dhe mospërfillje gjithë shqiptarët, po me të njëjtin stil opozita trajton mbështetësit e vet.

Një kastë sunduese në PD që është bashkim i korrupsionit të vjetër e të kalçifikuar në një oborr pothuaj paramilitar dhe që ata e quajnë ‘vija e kuqe’ (e interesit dhe biznesit familjar) me banalitetin, njësoj të korruptuar, të një brezi të ri eksponentësh, që ditën e parë të punës kanë deklarata pseudo-politike me më shumë gafa se gërma, është e qartë që jo vetëm që nuk prodhon shpresë e mbështetje por neveri dhe braktisje.

Liderat e vjetër dhe yjet e rinj, të fikur që në lindje, janë garantët e kapsit politik opozitar ndërkohë që mbështetësit e thjeshtë janë të tulatur e të paorjentuar kur kuptojnë që janë edhe të keq-qeverisur nga pushteti edhe të keq-përfaqësuar nga opozita.

Ka një simbiozë shqetësuese midis keq-qeverisjes së rilindjes dhe aksionit opozitar e duket sikur shoqeria nuk ka gjetur ende dritën në fundin e këtij tuneli ku na ka futur kjo simbiozë. Kjo simbiozë është ne vetvete shprehja më plotë e paradoksit.
Nga njëra anë rilindja bën sikur nuk i bën përshtypje ekspozimi i lidhjeve të shumëfishta me botën e krimit të organizuar për sa kohë formalisht merr distanca me to pasi këto lidhje i bëhen publike.

Ndërkohë kasta sunduese e opozitës duket sikur nuk dënon krimin por veç ato segmente që kanë filluar t’i ikin nga influenca dhe natyrshëm, siç e ka të nevojshme bota e krimit, i është afruar ndërkohë pushtetit. Sa më shumë kasta sunduese e opozitës bën sikur denoncon krimin, aq më pak bind opinionin mbi pastërtinë e saj.

Ky është një paradoks, por si i tillë, është i vërtetë.
Nga njëra anë qeveria ka zëvëndësuar axhendën patriotike me një retorikë të vobektë pseudo nacionaliste (një nacionalizëm që ngjan me shume si biznes personal se sa si vokacion) si presion karrshi çdo axhende ndërkombëtare për luftë ndaj korrupsionit.

Patriotizëm është t’ia paguash vendit taksat, madje edhe detyrimin për rrugën më të rëndësishme të kombit, por patriotizëm është edhe të kontribosh për vendin e mos ta zhvasësh qoftë edhe përmes formave të kamufluara të PPV-ve e koncesioneve.

Nga ana tjetër opozita i përgjigjet kësaj axhende duke mbyllur gojën për zhvatjen në këmbim të pazarit të radhës me oligarkun dhe duke marrë hisen e kërkuar me të bërtitur prej të njëjtave PPP.

Sa më shumë kasta sunduese e opozitës bën sikur denoncon oligarkët dhe koncesionet, aq më hapur dalin lidhjet e saj me ta kundrejt ‘shpërblimit’ për të heshtur dhe minuar protestat kundra këtyre koncesioneve. Ky është një tjetër paradoks, por si i tillë, edhe ky është i vërtetë.

Nga njera anë qeveria ka zëvëndësuar politikën e jashtme pro vlerave perëndimore me leksionet anadollake që nuk përton t’i japë perëndimit herë duke i treguar amerikës si duhet votuar e herë duke i treguar europës gishtin kërcënues, së fundmi edhe me një fjalor banal.

Nga ana tjetër kasta që sundon opozitën i pergjigjet kesaj politike me retorikë thellësisht antiperëndimore duke i treguar amerikës e europës madje se ambasadorët e tyre ua kanë me hile, si dhe duke lobuar me paratë e armiqve të perëndimit për të sabotuar sa të mundin çdo axhendë perëndimore të luftës kundër korrupsionit e krimit.

Sa më shumë kasta sunduese e opozitës shitet si aleate e faktorëve perëndimorë, aq më hapur dalin përpjekjet e saj për sabotimin e axhendës perëndimore. Edhe ky është një paradoks, por si i tillë, është i vërtetë.

Si ka mundësi që sa herë ka klimë të turbullt dhe kur perëndimit nuk i interesojnë konflikte artificiale, ‘simbioza’ farkëton shpatën e pseudonacionalizmit si për t’i treguar aleatëve perëndimorë që ne kemi tekat tona, duke u kërkuar kështu të perkedhelin kreshtën e sundimtarëve të çastit e t’u garantojnë paprekshmeri për zullumet e tyre.

Si ka mundësi që kur simbioza është në Tiranë sillet si gjasme pro-perëndimore e sa herë simbioza zhvendoset në Kosovë nxjerr kreshtën bajate pseudo-nacionaliste?

Si ka mundësi që sa më shumë qeverisja akuzohet për deformim të proceve zgjedhore, kasta sunduese e opozitës përgjigjet duke dhunuar rregullat e brendshme të familjes politike dhe duke organizuar zgjedhje farsë të strukturave organizative të veta, si për t’u thënë shqiptarëve që nuk mund të presin rregulla të barabarta e zgjedhje të lira.

A nuk është edhe ky një tjetër paradoks, dhe si i tillë, edhe ky i vërtetë?

Kjo simbiozë midis keq-qeverisjes nga njëra anë dhe shpërdorimit, me qëllim, të aksionit opozitar, nga ana tjetër, ua ka gërditur apo neveritur shqiptarëve edhe qëndrimin në vendin e tyre.

Nuk duhet harruar që depresionimi i shoqërisë shqiptare është në axhendën e vendeve jo miqësore me Shqipërinë të cilat gjithmonë janë xhelozuar për faktin se populli e shoqëria shqiptare janë karakterizuar për vitalitet e entuziazëm.

Nuk dua të besoj se përpjekja e kësaj simbioze është rezultat i investimit për sabotimin e një shoqërie normale nga armiqtë e miqve të shqiptarëve.

Por vështirë të shpjegosh ndryshe degradimin ekonomike, arsimor apo të rendit publik për çka shqiptarët po largohen më së shumti nga vendi i tyre.

Sidoqoftë tulatja e njerëzve të keq-qeverisur mund të jenë veç e përkoshme. Çështja shtrohet kur dhe si do reagojë shoqëria shqiptare. Braktisja është veç fillimi.

Pas tij vjen revoltimi, jo revolucioni që uron me zë të ngjirur kasta sundimtare e opozitës (duke vjedhur shpesh herë protestat të tjerëve), por revolta e njerëzve të thjeshtë karrshi vetë ‘simbiozës’ dhe dy përbërësve të saj, jo revolta për pushtet por revolta për ndryshim.

Në thelb ky paradoks duhet zhbërë, dhe për ta zhbërë atë duhet ndërprerë simbioza e një opozite po aq të korruptuar sa rilindja, po aq mediokre sa rilindja dhe po aq të pabesueshme sa rilindja.

Veç atëherë fillon shpresa…

3 komente në “Opozita si simbiozë e keq-qeverisjes”

  1. Uarasi says:

    Po si ka mundesi qe edhe ju legena qe dikur ishit ne mes te tepsise kur qeveriste opozita e sotme, sapo fillon nje aksion opozitar apo pa parti filloni te lihni menjehere duke u bere legena planprishes. Ikni o plera ska nevoje me per opinione apo mendime ju kane keqpetdorur dhe vazhdoni te keqperdoreni, por vatkeqsia juaj eshte se ju keni vetedeshire te keqperdoreni, shkurt b….q…

  2. Bureto says:

    Renditur shumë saktë elementët simbiotikë qeverisje-opozitë. Po cila është zgjidhja? A mund të vijë kjo psh nga Koço Kokëdhima që ka krijur me paratë e korrupsionit një parti me këtë emër, dhe që është zemëruar me qeverinë vetëm e vetëm, se nuk e bënë pjesë të tepsisë apo nga Libra e Ben Blushit? Jo, kurrë! Për këto specie populli ka shprehjen “gjithë derrat një tyri kanë”. Atëhere Flamuri na ofron në fund të analizëssë tij, shpresën! Po kjo s’ka munguar kurrë, bile edhe durimi. Por si i bëhet me besimin? Kush, cilët, do t’ua ofrojnë/japin atë shqiptarëve?
    Kërkohet zgjidhje e vërtetë, radikale në kuptimin e mirë të fjalës. Këtë mund ta hapin sot intelektualët e zotë, patriotë, të pa përlyer me politikën e pistë të derimësotme. Studentët po u japin leksione demokracie ‘profesorëve’. Le ta marrin në dorë këtë lëvizje spontane apo jo, intelektualët e vërtetë (ata e dinë mirë se ç’dmth intelektual atë lëvizje spontane, paçka se mund të ketë edhe prapavijë politike nga forcat regresive, por rrugës demaskojini ato. Dilni në ballë ju intekektualët e vërtetë me program realist, jo jo sllogane e premtime pabukë e të parealizueshme. Pak dhe saktë. Bëhuni të besushëm! Premtoni që nuk aspironi politikën (pushtrçet), por shpëtimin e vendit (kombit). Rinia, e ardhmja do ndryshim. Por kujdes, jo si ajo e 1990 që ishte një mashtrim i madh, nga mënyra sesi i përdorën studentët, tentojnë t’i përdorin edhe sot, kasta e vjetër e para dhe oas ’90. Intekektualë, por dhe patriotë të vërtetë shqiptarë, ndihmojeni rininë, por kontribuoni dhe për të ardhmen e vendit. Disa premisa janë. Ka ndryshuar kukltura, ekonomia, jemi vend anëtar i NATO, vend kandidat për BE, ka një plejadë të mirëarsimuar në perëndim, drejtësia e reformuar ngjall shpresë etj etj. Por të gjitha këto mbeten ashtu si janë pa ndryshuar siç thashë, radikalisht, mentalitetin qeverisës dhe pa nxjerrë nga skena klasën e korruptuar politike. Pa vendosur demokracinë e vërtetë, Shtetin e së Drejtës. Mos thoni më se populli nuk ngrihet të protestojë. Ja shenjën ua dhanë studentët, bijtë e tij janë. Boll me leksione e analiza pa fund nëpër studiot televizive që më së shumti janë vegla/i nstrumenta të oligarkëve dhe të kësaj klase politike. Mos e korruptoni këtë lëvizje që në fillim, me vënien në krye të saj, figura të urryera, bythlëpirësa të pushtetit apo opozitës ish në pushtet, por që kërkon të bëhet edhe një herë nuse, populli i njeh dhe nuk do t’u besojë, e kështu nuk do t’u vijë pas. Harroheni 1990. Ishte tjetër kohë dhe kishte tjetër motiv. Rinia kërkonte ndryshim, ndërsa klasa e vjetër (skile e vjetër), kërkonte të shpëtonte kokën dhe e shpëtoi. Mos lejoni ta shpëtojë edhe sot.

  3. flora says:

    IK MOR MALOK I QELBUR,,,,..

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje