“Ibrahimoviç nuk do të kthehet në Milano. Do të ishte një histori e mirë, por nuk do të ndodhë. Ai do të mbetet te LA Galaxy. Kishim menduar për këtë bashkë me Ibrën, por në fund nuk do të bëhet”.
Rrëfimi është i Leonardos, drejtor i zonës teknike dhe sportive të Milanit. Kështu, përfundon “telenovela” e merkatos, që duket se nuk ka një fund të lumtur. Nuk ka kthim të Ibrës te kuqezinjtë, përveç ndonjë situate krejtësisht të pabesueshme.
Megjithatë, Milani do të vazhdojë të lëvizë në merkaton e janarit. “Këtij ekipi mund t’i shërbejë një mesfushor me përvojë dhe ndoshta një përforcim në sulm. Fabregas? Ne po shohim, por nuk kemi asnjë emër konkret për momentin”, – shton Leonardo.
“Elliott” dhe kuqezinjtë, megjithatë, duhet të merren me penalizimet e vendosura nga UEFA, duke pritur të dinë se çfarë sanksionimi do t’i mbetet klubit. Leonardo ka gjykimin e tij: “Fair play financiar” është një mister i vështirë për t’u zgjidhur. Nëse pronarët dëshirojnë të bëjnë gjëra të mëdha, mendoj se duhet të rritemi ngadalë, hap pas hapi”.
Fjalët e fundit janë për trajnerin Gattuso: “Do të ishte mirë që një ditë të fitonim diçka me Rino në stol. Për Milanin do të ishte një gjë e mrekullueshme”.