Parku Kombëtar i Divjakë Karavastasë përbën një nga zonat e mbrojtura në vend me një larmishmëri të gjerë të faunës dhe florës dhe së fundmi me një dinamikë më të theksuar turistike. Ndaj çdo zhvillim pranë kësaj lagune duket se konsiderohet me rëndësi të veçantë. Së fundmi Këshilli Kombëtar i Territorit bëri publik dokumentet lidhur me Planin e Detajuar të Zhvillimit të Zonës me Rëndësi Kombëtare mes Lagunës së Karavastasë dhe Lumit Seman. Në këtë dokument përcaktohet qartë se cilat do të jenë aktivitetet që do të lejohen të zhvillohen në territor dhe që nuk përbëjnë kërcënim për zonën.
Në total në analizë merren 2057 hektarë të cilët mbulohen nga Plani i Detajuar nga të cilat 1636.5 hektarë bën pjesë në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta. Nga kjo sipërfaqe 865.3 hektarë bëjnë pjesë në Nënzonën e Përdorimit të Qëndrueshëm ndërsa 771 bëjnë pjesë në nënzonën e përdorimit tradicional.
Por cilët janë sektorët apo aktivitetet që do të lejohen në këtë zonë sipas Planit të Detajuar të miratuar në KKT.
“Zona në studim shihet si potenciale për nxitjen e zhvillimit të projekteve në fushën e akuakulturës, agrikulturës, energjisë së rinovueshme dhe turizmin e përqëndruar duke ruajtur vlera natyrore. Referuar vendimeve dhe propozimeve të përmendura të Komitetit të Investimeve Straregjike dhe Këhsillit të Ministrave orientimet paraprake për përdorimin e tokës për Planin e Detajuar të Zonës me Rëndësi Kombëtare jepen më poshtë :përdorimi për ekonomi bujqësore e lidhur me akuakulturën, zhvillimin e fermës së akuaponisë dhe strukturave mbështetëse, orientimin për zhvillimin e frutikulturës dhe strukturave për administrim dhe magazinim” thuhet në plan.
Kjo i hap rrugë investime në projekte të ndryshme përfshirë ato në parqe fotovoltaikë ku Lushnja dhe Fieri kanë pasur edhe kërkesat më të shumta.
Një tjetër orientim që jep plani lidhet me zhvillimin e territorit duke pasur parasysh aktivitete të tilla si shërbime, aktivitete shoqërore dhe argëtim çka ka në fokus pjesën turistike por që në bazë të projekteve Plani nënvizon se duhen studime më të detajuara.(monitor)