Ujërat gri dhe të turbullt të Markermeer, një prej liqeneve më të mëdhenj me ujë të ëmbël në Europë, dikur ishin të mbushur plot peshq dhe zogj migrator, tregon rojtari i zonës, Andre Donker.
Dikur një pasuri e çmuar ekologjike, ky liqen gjigant prej 700 kilometrash katrorë në veri të Holandës, që mundëson rregullimin e nivelit të rrjedhës së ujërave në pjesën e tjetër të vendit, është shndërruar në një masë të turbullt ku nuk ka më jetë, raporton ata.
Për këtë arsye një arkipelag me pesë ishuj të vegjël është ndërtuar kohët e fundit, sipas një teknike inovative, me një qëllim të vetëm: të zhvillohet ekosistemi i liqenit.
“Ky është një prej operacioneve të më mëdhenj të restaurimit të natyrës në Europë”, thekson Donker.
Ekosistemi i zonës u shkatërrua në dekadat e fundit, pas ngritjes së një dige që ndan këtë liqen nga një liqen tjetër aty pranë, Ijsselmeer.
Mbetjet që dikur largoheshin nga korrentet e ujit filluan të bien në fund të liqenit, duke e bërë ujin të turbullt dhe duke ulur popullsinë e peshqve, zogjve, bimëve dhe molusqeve.
Megjithatë, pas këtij projekti gjigant, jeta ka filluar të rikthehet në këtë liqen. Në ishullin kryesor, që është hapur edhe për publikun, janë ndërtuar tre pika të vëzhgimit të zogjve.
Ndërsa katër ishujt e tjerë janë ruajtur krejtësisht për florën dhe faunën e liqenit, duke i kthyer natyrës një hapësirë unike që i dedikohet vetëm biodiversitetit.