Rekord historik me importin e makinave: Tregtarët mbushën parkingjet gjatë Nëntorit para se të hyjë në fuqi vendimi që bllokon automjetet e vjetra

19 Dhjetor 2018, 10:58Ekonomia TEMA

Hyrja në fuqi e ndalimit të importit të automjeteve më të vjetra se 10 vite datë prodhimi ka nxitur tregtarët e makinave të përdorura në vend që të importojnë masivisht përpara datës 2 Dhjetor, kur edhe hyri në fuqi ky vendim.

Kjo lëvizje e tregtarëve tashmë reflektohet mjaft mirë edhe te shifrat zyrtare.

Sipas të dhënave të tregtisë së jashtme, të publikuara nga Instituti i Statistikave, zëri i importit të mjeteve të transportit gjatë Nëntorit, muaji i fundit kur mund të importonin makina më të vjetra se 2009-a, ka prekur vlerën më të lartë në histori.

Muajin e kaluar u importuan rreth 5 miliardë lekë mjete transporti, nga 4.6 miliardë lekë të muajit Tetor, pra në rritje me 8.7%, dhe nga 3.6 miliardë e Nëntorit të vitit të kaluar, në rritje me 38.8%.

Një shifër e tillë nuk është regjistruar asnjëherë, ose të paktën që prej vitit 2005 kur edhe filloi matja dhe raportimi i këtyre të dhënave.

Ndër vendet që kanë një treg të madh importi në automjetesh në Shqipëri, rritja më e madhe regjistrohet për Gjermaninë, nga 1.6 miliardë lekë në Nëntorin e 2017-ës, në 2.1 miliardë lekë në Nëntorin e 2018-ës, pra në rritje me 31%, si dhe me Italinë, nga 664 milionë në 1.1 miliardë, në rritje me 66%.

Edhe Shtetet e tjera si, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Belgjika apo Austria regjistrojnë një rritje të konsiderueshme. Pra, të dhënat tregojnë qartë se tregtarët kanë shfrytëzuar ditët e fundit përpara hyrjes në fuqi të vendimit të qeverisë për të krijuar stok të makinave të vjetra.

Nga data 2 Dhjetor e këtij viti është i pamundur importi i makinave më të vjetra se viti 2009. Ky vendim do të shkaktojë një rikonfigurim të tregut të makinave të përdorura.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje