"Gazetarë, bëhuni të dhembshur, mos u beni cinikë!"

21 Dhjetor 2018, 11:33Bota TEMA

Fjalimi frymëzues i Oprah Winfrey në ceremoninë e diplomimit të gazetareve- 2018

Ju ia dolët. Faleminderit, faleminderit!

Faleminderit Wallis Annenberg dhe një falenderim të veçantë për Dekanin Willow Bay që më ftoi në mbrëmjen e sotme.

Unë dua të jap një brohoritje të veçantë, sepse jam e lumtur që Dekani Bay më ftoi, por unë do të isha këtu gjithsesi, sepse një nga vajzat e mia ndjek Shkollën e Gazetarisë në Annenberg dhe sot merr diplomën master, kështu që do të vija sonte edhe nëse nuk do të flisja. Pra, një brohoritje për një grua të re të cilën e takova, kur ajo ishte në klasën e shtatë dhe ishte viti i parë kur po kërkoja vajza të mençura, të ndritshme, elastike, të sjellshme, me zemër të hapur, të cilat kishin “atë”, që do të thotë të vazhdosh pa marrë parasysh çfarë.

Dhe ky ishte viti kur nisa t’i zgjedh të gjithë individualisht. Dhe e kujtoj kur ajo hyri në zyrë, në një qytet të vogël, kur bënim intervista në të gjithë Afrikën e Jugut dhe ajo erdhi dhe recitoi një poemë për mësuesin e saj dhe kur ajo po dilte nga dera thashë, “Kjo është “ajo” vajza.” Thando Dlomo, unë jam këtu për të thënë se jam shumë krenare për ty.

Është një rrugë e gjatë nga vendbanimi në Afrikën e Jugut për këtu, dhe halla e saj ka fluturuar 30 orë për të qenë këtu për këtë festë sot. Shume faleminderit.

Sot kam ardhur duke mbajtur me vete disa lajme të këqija e disa të mira për këdo që ka ndërmend të ndërtojë jetën e tij rreth aftësisë për të komunikuar.

Pra, dua të jap lajmin e keq para, kështu që mund të jeni të qartë. Unë gjithmonë pëlqej t’ju bëj ballë lajmeve të këqija përpara, kështu ja ku janë: Gjithçka rreth nesh, duke përfshirë – dhe në veçanti internetin dhe mediat sociale – tani po përdoren për të shkatërruar besimin në institucionet tona, për të ndërhyrë në zgjedhjet tona dhe për të bërë kërdine në infrastrukturën tonë.

Kanë në duar një hartë të dëshirave tona më të thella, ajo mundëson dezinformim për të drejtuar në mënyrë të shfrenuar, krijon boshllëqe të vëmendjes duke paraqitur histori të shkurtra e false nga sajtet, duke krijuar një qark vicioz rreth degëve kryesore të lajmeve.

Në mënyrë litarale të të folurit po shkojmë drejt një trafiku ndërkohë që ndezim telefonat tanë.

Tani që kam paraqitur disa nga lajmet e këqija, lajmi i mirë është se ekziston vërtet një zgjidhje. Dhe zgjidhja është secili dhe gjithëkush prej jush. Sepse ju do të jeni editorwt e rinj, një ushtri ambicioze e kërkuesve të së vërtetës, do të armatosni veten me inteligjencën e nevojshme, me kërkimet dhe faktet e nevojshme për të goditur mashtrimin. Ju jeni në gjendje të mbani të gjithë ata që tani e çmojnë, lajmin e vërtetë, të gjithë ju jeni ata që do t’i mbajnë ata në kontroll. Pse? Sepse ju mund të ktheheni pas dhe t’i përgjigjeni historive të rreme me informacion të vërtetë duke sjellë versionin e drejtë dhe të saktë të ngjarjeve. Dhe ju keni gjithashtu aftësinë dhe fuqinë për t’ju dhënë zë, siç u shpreh Dekani Bay, njerëzve që dëshpërimisht kanë nevojë të tregojnë historitë e tyre dhe t’i shohin të publikuara.

Dhe kjo është ajo që di me siguri, sepse kam një kohë të gjatë që e bëj këtë: Nëse ju mund vetëm të arrini të kapni humanitetin e njerëzve në historitë të cilat tregoni, atëherë ju arrini shumë afër dhe humanitetit tuaj. Mund të ballafaqoheni me paragjykimet tuaja dhe mund të ndërtoni kredibilitetin tuaj dhe të mprehni instinktet tuaja dhe të përfshini dhembshurinë tuaj.

Ajo per cfare jeni këtu , eshte për t’i dhënë dritë, errësirës në botën tonë.

Pra, kjo është ajo që unë gjithashtu e di: Ky moment në kohë, ky është koha juaj për t’u ngritur. Kjo është. Megjithëse nuk mund të shkosh kudo, nuk mund të qëndrosh në rradhë tek Starbucks, nuk mund të shkosh në një party, nuk mund të shkosh në ndonjë vend ku kudo që të kthehesh, njerëzit do të flasin sesa keq gjërat janë, sa e tmerrshme është. Dhe kjo është ajo që di: Problemi është që të gjithë po sjellin histeri duke i bërë bashkë me më shumë histeri dhe pastaj të gjithë bëhemi histerikë dhe e gjitha kjo po bëhet më keq. Ajo që unë kam mësuar në gjithë këto vite është se ne nuk kemi përse të jemi në përputhje me të apo t’i rezistojmë apo dalim kundër tij. Duhet ta shohim këtë moment në kohë për atë që është. Duhet të shohim përmes saj dhe pastaj ta kapërcejmë atë.

Kështu ju kapërcyeni histeritë. Dhe kjo është mënyra se si i kurseni goditjet ndaj njëri-tjetrin, zvarritjen, partizanizmin, në të dyja anët e rreshtit, ndarjen, padrejtësitë dhe urrejtjen.

Ju përdoreni atë. Përdoreni këtë çast për t’ju inkurajuar, për t’ju shtyrë drejt rritjes në jetën tuaj.

Dhe për të marrë hua një frazë nga mentorja im e dashur Maya Angelou: Ashtu si hëna dhe si dielli, me sigurinë e rrjedhës, ashtu si shpresat që ngrihen lart, ashtu do të ngriheni dhe ju.

Pra, puna juaj tani, më lejoni t’ju them, është që të merrni gjithçka që keni mësuar këtu dhe ta përdorni atë që keni mësuar për të sfiduar të majtën, për të sfiduar të djathtën dhe qendrën.

Kur shihni diçka, thoni diçka, dhe mbështeteni atë me fakte dhe raportime. Ja se çfarë duhet të bëni: Ju bëni zgjedhjen çdo ditë, çdo ditë, për të ilustruar ndershmërinë, sepse e vërteta, më lejoni të ju tregoj diçka për të vërtetën, e vërteta shfajeson dhe dënon. Dezinfekton dhe nxit. E vërteta gjithmonë ka qenë dhe do të jetë gjithmonë mburoja jonë kundër korrupsionit, mburoja jonë kundër lakmisë dhe dëshpërimit.

E vërteta është hiri ynë shpëtues. Dhe jo vetëm këtu, ne USC Annenberg, ta tregoni, ta shkruani, ta shpallni, ta flisni, por të jeni e vërteta. Bëhu e vërteta. Bëhuni e vërteta!

Kështu që unë dua të kaloj tek arsyeja e vërtetë pse jemi këtu sot.

Pas rreth një orë e gjysmë, do të jeni katapultuar në një botë që duket se ka dalë nga binarët e saj.

Dhe unë mund t’ju them se unë kam drejtuar “Oprah show” për 25 vjet, shfaqja numër një. Asnjëherë nuk kam humbur një ditë. Njëzet e pesë vjet, 4,561 episode. Kështu që unë di se si të flas, mund t’ju them, por isha pak i ndrojtur me idenë për të ardhur këtu sepse diplomimet, është e vështirë, është e vështirë të përpiqesh të dalësh me diçka për të ndarë me ju, diçka që nuk e keni dëgjuar më parë. Çfarë mund të themi. Çdo informacion apo udhëzim që unë mund të ofroj nuk është asgjë që prindërit tuaj ose dekanët apo profesorët tuaj ose Siri nuk ua kanë dhënë. Kështu që unë jam këtu që t’ju them: me të vërtetë, nuk kam ndonjë mësim të ri. Unë nuk kam ndonjë mësim të ri.

Por shpesh mendoj se nuk janë mësimet e reja ato që kanë rëndësi, sesa kthimi përsëri e përsëri mësimeve të vjetra.

Disa nga variantet e shumta të temave me të cilat mund të filloni janë: Zgjidhni një problem, çfarëdolloj problemi, lista është e gjatë. Vetëm disa janë në krye të listës sime.

Është dhuna me armë zjarri dhe janë ndryshimet klimatike, është racizmi sistematik, pabarazia ekonomike, paragjykim mediatik. Mundësitë që të pastrehët kanë nevojë, trajtimi i nevojshëm për të varurit ndaj lëndëve narkotike, ëndrrimtarët kanë nevojë për mbrojtje, sistemi i burgjeve ka nevojë për reformim, bashkësia e LGBTQ ka nevojë për pranim, siguria sociale ka nevojë për shpëtim dhe mizoria duhet të ndalet. Duhet të ndalet.

Por ju nuk mund të rregulloni gjithçka dhe ju nuk mund të shpëtoni çdo shpirt. Por çfarë mund të bëni? Këtu dhe tani besoj që ju duhet t’i shpallni luftë një nga armiqve tanë më të rrezikshëm, dhe ai është cinizmi. Sepse kur ajo krijesë e vogël zhytet te ju, do të shqetësojë qartësinë tuaj, do të komprometojë integritetin tuaj, do të ulë standardet tuaja, do të frenojë ndjeshmërinë tuaj. Dhe herët a vonë cinizmi do të shkatërrojë besimin tuaj. Kur e dëgjon veten duke thënë: “Ah, nuk ka rëndësi se çfarë thotë një person, epo mirë, varja, edhe pastaj, nuk ka rëndësi se çfarë bëj, kujt i intereson?” Kur e dëgjon veten duke thënë këtë, duhet të dish se je në moment te keq.

Dhe e kuptoj se është kaq e lehtë të zhgënjehesh, është kaq joshëse të lejosh apatinë të vendose, sepse ankthi po transmetohet në 157 kanale, 24 orë në ditë, gjatë gjithë natës. Dhe gjithkush që unë njoh po e ndjen atë. Por këto kohë, këto kohë, janë këtu për të na bërë të ditur se ne duhet të ngrihemi për të drejtën tonë për të pasur shpresë dhe ne duhet të qëndrojmë me çdo pikë guximi që mund të mbledhim.

Pyetja është: Për çfarë jeni të gatshëm të ngriheni? Kjo pyetje do t’ju ndjekë gjatë gjithë jetës suaj. Dhe kështu i përgjigjeni asaj. Ju duhet të vendosni nderin tuaj tek ato gjëra që thoni. Vendos nderin tënd, ku ke gojën. Kur jepni fjalën, mbajeni atë. Shfaquni. Bëni punën. Bëni pis duart. Dhe pastaj do të filloni të gjeni forcën nga kuptimi se historia është ende duke u shkruar.

Ju e shkruani atë çdo ditë. Rrotat janë ende në rrotullim. Dhe ajo që bëni ose çfarë nuk bëni, do të jetë pjesë e saj. Ju ndërtoni një trashëgimi jo nga një gjë, por nga gjithçka. Më kujtohet kur sapo hapa shkollën në vitin 2007, u ktheva dhe isha shumë e gëzuar, isha në tryezën e Maya Angelou. Ajo nuk kishte qenë në gjendje të merrte pjesë në hapjen e shkollës në Afrikën e Jugut. I thashë asaj: “Oh Maya, Akademia e Udhëheqjes së Oprah Winfrey, kjo do të jetë trashëgimia ime më e madhe”. Më kujtohet që ajo ishte duke qëndruar në kuzhine duke bërë biskota, dhe ajo u kthye, e shtyu brumin, dhe më shikoi dhe tha, “Ti nuk ke idenë se cila do të jetë trashëgimia jote.” I thashë, “Më fal? Sapo hapa këtë shkollë dhe këto vajza, dhe do të jetë … “Dhe ajo tha:” Nuk e keni ide se çfarë do të jetë trashëgimia jote, sepse trashëgimia jote është çdo jetë që prek. Çdo jetë që prek. ”

Kjo më ndryshoi.

Dhe është e vërtetë, nuk mund të ndaloni askënd të hyjë në një shkollë me një pushkë dhe as që mund të siguroheni që të drejtat për të cilat nënat dhe gjyshet tuaja kanë luftuar aq shumë do të ruhen për vajzat që mund të keni një ditë. Dhe cilat male mund të lëvizim, mendoj, ç’lloj idesh mund të çrrënjosim nëse duam të bashkojmë forcat dhe të punojmë së bashku në shërbim të diçkaje më të madhe se ne? Duhet të dini se disa nga kënaqësitë e mia më të thella dhe shpërblimet e mia më të mëdha kanë ardhur pikërisht nga kjo. Zgjidh një problem, çfarëdolloj problemi dhe bëj diçka për këtë.

Sepse për dikë që po vuan, diçka është gjithçka.

Votoni. Votoni. Votoni. Kushtojini vëmendje asaj që njerëzit që pretendojnë tju përfaqësojnë po bëjnë dhe thonë në emrin tuaj dhe në të mirën tuaj. Ata ju përfaqësojnë dhe nëse ata nuk e bëjnë në mënyrë të drejtë ose nëse politikat e tyre janë në kundërshtim me bindjet tuaja kryesore, atëherë ju keni një përgjegjësi për t’i hequr ata. Nëse ata nuk e bëjnë mire punën e tyre, nëse ata nuk e bëjnë mire punën e tyre, shkojmë në votime. Njerëzit kanë dhënë jetën për atë të drejtë, kanë dhënë jetën për atë të drejtë.

Mendoj për këtë sa herë që votoj. Pra, mos lejo që sakrificat e tyre të humbasin.

Disa mendime të tjera para se të shkoj. Hani një mëngjes të mirë. Me të vërtetë ia vlen. Paguani faturat në kohë. Ricikloni. Regulloni shtratin tuaj. Synoni lart.Thuajini faleminderit njerëzve dhe besojeni me të vërtetë atë. Kërkoni ndihmë kur keni nevojë dhe largoni telefonin nga tryeza gjatë darkës. Vetëm uluni.

Dhe ta dini se cfare postoni në Instagram apo twiteer sot mund t’ju kërkohet në një intervistë pune nesër, ose 20 vite nga nesër. Jini të mirë me fëmijët e vegjël, jini të mirë me moshën e tretë, jini të mirë me kafshët dhe të dini se është më mirë të interesoheni sesa të jeni interesantw. Investoni në një dyshek cilësor.

Po ju them, shpina juaj do ju falenderojë më vonë. Dhe mos blini këpucë të lira. Dhe nëse po luftoni me dikë që me të vërtetë e doni, për hir të Zotit gjeni rrugën e kthimit drejt tij, sepse jeta është e shkurtër, madje edhe në ditët tona më të gjata.

Dhe një gjë tjetër, një gjë tjetër që tashmë e dini e që definitivisht vazhdon të përsëritet, mos ngatërroni kurrë atë që është e ligjshme me atë që është e moralshme, sepse ato janë kafshë krejtësisht të ndryshme.

Shikoni, në një gjykatë, ekzistojnë mundësitë dhe teknikat dhe pazaret për t’u goditur, por në jetë, ju ose jeni, ose nuk jeni parimor.

Pra, bëni gjënë e duhur, veçanërisht kur askush nuk ju sheh. Dhe ndërsa unë jam pjesë e saj, mos e barazoni paranë dhe famën me arritjen dhe karakterin, sepse mund t’ju sigurojne në bazë të mijëra njerëzve që kam intervistuar, nuk ndjekin automatikisht njëra – tjetrën.

Diçka tjetër, diçka tjetër. Duhet ta dini këtë. Puna juaj, jo gjithmonë do t’ju bëje të ndiheni të plotësuar. Do të ketë ditë që mund të ndiheni të mërzitur. Ditë të tjera, mund të mos keni dëshirë të punoni fare. Shkoni gjithsesi, dhe mos harroni se puna juaj nuk është ai që jeni, është thjesht ajo që po bëni gjatë rrugës për të arritur atë që do te jeni. Çdo punë e përditshme, çdo shef që merr kredite për idetë tuaja – kjo do të ndodhë – kërkoni për mësimet, sepse mësimet janë gjithmonë atje. Dhe mësimi numër një që ofroj është kjo: Bëhuni aq të aftë, aq vigjilentë, në mënyrë aq fantastike në atë që bëni, sa talenti juaj te mos mund të anashkalohet.

Dhe së fundi, kjo: Kjo do t’ju shpëtojë. Mos e krahasoni veten me njerëz të tjerë. Ju jeni në këtë planet që të jeni ju, jo imitim i dikujt tjetër. Më duhej ta mësoja këtë në mënyrë të vështirë, live, duke dhënë lajmet. Një natë në të njëzetat, kur fillova të transmetoja, isha 19 vjeç, u zhvendosa në të 20-at. Po hiqesha sikur isha Barbara Walters. Po përpiqesha të flisja si Barbara, të veproja si Barbara, të mbaja këmbët si Barbara. Dhe nuk e kisha lexuar plotësisht materialin, dhe e quaja Kanadanë, Canahdah. E bëra këtë në live ne TV.

E mundova veten, sepse mendova, Barbara nuk do ta quante kurrë Kanadanë, Canahdah. Dhe ai zbulim i vogël, ajo çarje e vogël, momenti i vogël kur unë ndalova së pretenduari, lejoi atë që unë isha të dilte në sipërfaqe. Udhëtimi i juaj i jetës ka të bëjë me të mësuarit që të bëheni më shumë se kush jeni dhe duke përmbushur shprehjen më të lartë dhe më të sinqertë të vetes si një qenie njerëzore. Kjo është arsyeja pse jeni këtu. Ju do ta bëni këtë përmes punës tuaj dhe artit tuaj, nëpërmjet marrëdhënieve tuaja dhe dashurisë.

Dhe duke cituar Albert Einstein, “Arsimi është ajo që mbetet pasi harrojmë atë që na mësojmë.” Ju keni mësuar shumë këtu në USC. Dhe kur gjithçka që ju keni mësuar fillon të zbehet në strukturën e jetës tuaj, shpresoj që ajo që mbetet të jetë aftësia juaj për të analizuar, për të bërë dallime, për të qenë krijues dhe për tu endur në atë rrugë që është më pak e shkeluar, sa herë që të keni mundësi. Dhe shpresoj që kur të shkoni, të shkoni me gjithë zemër dhe që edukimi juaj t’ju ndihmojë të ecni në atë rrugë me një mendje të hapur e të mprehtë. Mprehtësia është ajo që na mungon. Dhe një zemër e mirë. E dini, tani ka 7 miliardë njerëz në planet. Dhe ju jeni këtu. Diploma juaj nga USC Annenberg School for Communication and Journalism: Kjo diplomë që ju jeni gati për të marrë është një privilegj. Është një privilegj. Dhe ky privilegj ju detyron ta përdorni atë që keni mësuar për t’i dhënë një dore dikujt që nuk mund të jetë këtu. Dikush që kurrë nuk ka pasur një ceremoni si kjo që ju po bëni këtë mëngjes.

Kështu, unë ju ftoj drejt dritës, dhe ju uroj kuriozitet dhe vetëbesim. Dhe ju uroj etikë dhe iluminizëm. Ju uroj guxim. Çdo vendim i madh që kam marre, ka ndodhur sepse i kam besuar guximit tim.

Dhe mirësi. Ju uroj qëllim dhe pasion. Dhe këtu është ajo që unë me të vërtetë shpresoj: Unë shpresoj që secili prej jush të kontribuojë në kulturën dhe kohën tone. Dhe unë shpresoj që t’i shkundni gjërat. Dhe kur të vijë koha për të vënë bast tek vetja, shpresoj që të guxoni. Vini bast për veten. Shpresoj që gjithmonë të dini se sa të lumtur dhe sa të lehtësuar të gjithë në këtë dhomë janë për faktin se ju ja dolët të ishin në këtë vend, në këtë kohë, në këtë ditë të mrekullueshme. Urime USC Annenberg Klasa e 2018!

(Perktheu Ana Toçi- Dritare.net)

1 komente në ““Gazetarë, bëhuni të dhembshur, mos u beni cinikë!””

  1. olimpia says:

    Tmerresisht larg gazetaret shqiptare nga keto principe themelore te shtypit te lire.Gazetaret ,me ndonje perjashtim te vogel jane thjesht vegla te ndyra pa moral ,pa kulture ,fshehes te vertetes,manipulues te lajmeve ,me edukate rrugace ,sipas shembullit qe mbolli fytyra me e degjeneruar dhe primitive qe flet shqipe tribale ,Sali Berisha .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje