Arben Runa, mjeku, poeti dhe gazetari “i plagëve” të Shqipërisë në librin “Çmendina që quhet atdhe”

29 Dhjetor 2018, 17:14Kulturë TEMA

Pasi ka kaluar një vit nga ndarja e parakohshme nga jeta e mjekut të njohur 57-vjeçar, Arben Runa, promovohet libri i ri i tij, përmbledhje me reportazhe,  poezi dhe tregime. 

Një  vit pas ndarjes nga jeta të mjekut, poetit dhe gazetarit Arben Runa,  në përkujtimoren e tij organizuar këtë javë, u promovua edhe libri i tij i ri me përmbledhje; reportazhe,  poezi dhe tregime.

Libri i mjekut Arben Runa, që atdheun e shihte me po atë dhimbje, dashuri e përkujdesje që shihte pacientin, titullohet “Çmendina që quajmë atdhe” . 

Vlera e këtij libri nuk qëndron vetëm tek trajtimi prekës i temave aktuale, por edhe tek stili i Arben Runës. Për sa u përket reportazheve dhe analizave publicistike, Arben Runa ishte nga të rrallët që ndërthur artin e fjalës, ironinë, satirën dhe humorin.

Kishte një ndërthurje fantastike elementësh artistikë, të cilat i bënin shkrimet e Arben Runës të lexoheshin në çdo kohë, duke të tërhequr magnetikisht deri në fund. 

Libri “Çmendina që quajmë atdhe” e Arben Runës, në fund të leximit të lë një dhimbje të madhe, kur sheh se një shpirt i madh bujar dhe i bukur i ka humbur tashmë këtij vendi. Ikja e tij e parakohshme nga jeta, i njohur si një nga mjekët më të mirë shqiptarë, por që u fik në moshën 57-vjeçare,  është edhe një humbje e madhe për mjekësinë.  Mjeku Arben Runa ishte mjeku i kudogjendur në karrierën e tij, aty ku kishte më shumë plagë e dhimbje që prisnin si të askujt tjetër shërbimin e tij.

Shërbim që e dha pa kursim gjatë karrierës së tij që nga Klinika Mjekësore Qeveritare (në vitet 1993-1995) në atë ushtarak. Arben Runa mbahet mend edhe si mjeku që shëroi qindra të plagosur Luftën e Kosovës (1999).  Dhe në çdo punë që bënte, ai  nuk harronte të mprehte edhe penën e gazetarit, ku u shqua për artikujt që tërhiqnin thellësisht vëmendjen në temat aktuale dhe në problemet e vendit.

Një nga shkrimet më të dhimbshme publicistike është reportazhi “Petrela pa Kalanë dhe Arqile Botin”, i bërë në vitet 2000, kur mjeku Arben Runa Runa bën një vizitë në spitalin e të sëmurëve mendorë në Petrelë. Një ndërthurje e toneve narrative me reportazhin të bënë ta ndjesh dhimbjen deri në shpirt për një problem madhor të trashëguar nga koha  e diktaturës, por edhe shteti demokratik e kishte lënë të përkeqësohej. Të sëmurët mendorë në Shqipëri ishin njerëzit më të dhunuar, e më të keqtrajtuar të shoqërisë.

“Nëse hyn këtu, edhe në mos qofsh i marrë, bëhesh patjetër, rrugë të mesme s’ka…. Shumë prej tyre nuk e mbajnë mend kohën kur kanë hyrë për herë të parë. Jo për shkak të sëmundjes, por se ka qenë një kohë shumë e largët. Po t’i pyesësh hollë mund të ketë këtu njerëz të hyrë që nga koha kur kryeministër ka qenë Mehmet Shehu. Nga ajo kohë askush nuk u del më për zot. 

Për dhjetëra vjet ata rrinë e s’kanë ku shkojnë. Ata s’janë në spital, sepse njeriu në spital hyn kurohet e del për të hyrë sërish po qe nevoja. Ata këtu janë në një burg të padeklaruar, ndonëse për shumë prej tyre nuk ka vendim gjykate.

Këta janë pa dyshim njerëzit më të dhunuar të shoqërisë së sotme, të cilët shteti i tyre “demokratiku” deri në qelizën e fundit i ka dënuar me vdekje të ngadaltë, me uri, me mjerim….të sjellë rëndom nga një tufë policësh e të plasur në spital jashtë çdo rregulli, pa u shkruar një fjalë gjëkundi, pa u shkruar qoftë edhe një procesverbal, nga ata që mbahen kur ndërrojnë pronësinë edhe një palë këpucë, iu ndodh të mos dalin më andej, sepse askush nuk bëhet merak më për këtë.

Edhe po e ngriti zërin vetë, e konsiderojnë shenjë sëmundjeje dhe e  mbyllin në izolim”, shkruan Arben Runa.

Një rrëfim i trishtë ky i mjekut kur ngjyen penën e gazetarit të sociales, dhe që të bënë të reflektosh mbi këtë dhimbje të injoruar nga një shoqëri që është duke jetuar e gjitha në çmendinën që quhet atdhe. 

Ky reportazh ka një hyrje intriguese, ku kujtohet mjeku i shquar e rebel, i ndjeri Arqile Boti  që mbajti gjallë shpirtin dhe mendjen e fshatarëve të Petrelës gjatë mjerimit të diktaturës komuniste. 

Nuk është vetëm ky reportazh që i jep vlera këtij libri, por edhe tregimi “Gështenja e pyllit të Rajcës”, apo poezitë “Më flet një yll”, “Nëna”, “Kur vijnë vajzat”, etj. Një reportazh i veçantë i mjekut Arben Runa është edhe “Tirana brenda një plage”. Ku flet për ndotjen e pazakontë të kryeqytetit, dhe kjo ndotje nuk është vetëm fizike, të mprehtë janë edhe reportazhet që lidhen me politikën si “Vrasja e Azem Hajdarit”, “Kush janë dhjetoristët e vërtetë”.

Pena e Arben Runës në publicistikë nuk është “ngjyer” me asnjë bojë kompromisesh partiake, përveçse në të vërtetën, të cilën e përjetoi jo pa dhimbje dhe ka ngritur zërin si rrallë qytetar, gazetar apo politikan i këtij vendi. 

3 komente në “Arben Runa, mjeku, poeti dhe gazetari “i plagëve” të Shqipërisë në librin “Çmendina që quhet atdhe””

  1. Lumi says:

    Respekte per ty,Mero dhe i paharruar kujtimi i Benit

  2. Ani K. says:

    Komenti nr 1 ka ardhur, por duket se keni harruar ta shfaqni!

  3. Marina says:

    I paharruar dr. Beni. Kam patur fatin e mire ta njoh Benin. Ju lumte ju miqve te tij, qe i botoni shkrimet qe ka lene pas dr. Beni. I krijoni mundesine te jetoje pertej zemrave te familjareve, miqve dhe shokeve qe e njohen njeriun e mire me emrin Arben Runa.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje