ANALIZA/ "Qendra e majtë, globalizmi dhe kurthi ku ka rënë presidenti Macron"

30 Dhjetor 2018, 08:58Bota TEMA

Pas premtimit për të reformuar si Francën dhe Bashkimin Europian, Presidenti Emmanuel Macron tani po mundohet të rifitojë besimin e publikut dhe të tregojë se nuk është “Presidenti i të Pasurve”.

Duke ndjekur një agjendë reformash miqësore ndaj biznesit, Macron-i ka rënë në një kurth që reformatorët e qendrës së majtë kudo duken të paaftë për ta shmangur.

Nga Kemal Derviş, Caroline Conroy

Kryengritjet popullore në Francë po kërcënojnë të shkatërrojnë shpresën që shumë kishin pasur te Presidenti francez Emmanuel Macron, pas zgjedhjes së tij në maj 2017. Me partinë e tij “La République En Marche”, pasi siguroi një shumicë parlamentare absolute, Macron-i premtoi të ndjekë reforma të vështira jo vetëm në Francë, por edhe brenda Bashkimit Evropian. Por tani ai po përballet me krizën më të madhe të presidencës së tij.

Rivitalizimi i BE-së prej kohësh është varur nga një udhëheqës i fortë francez i aftë për të përmirësuar ekonominë e vendit. Para se tatimi i propozuar i karburantit të nxirrte muajin e kaluar në rrugë Jelekët e Verdhë, Macron-i kishte arritur të kapërcente kundërshtimin ndaj një sërë reformash të tregut të punës. Edhe pse politikisht e vështirë, reformat ishin të nevojshme për të sjellë deficitin buxhetor nën 3% të PBB-së, në përputhje me rregullat e BE-së dhe për të modernizuar sistemin bujar të sigurimeve shoqërore të Francës përballë teknologjive të reja çrregulluese.

Siç kam argumentuar më parë, qendra e djathtë dhe qendra e majtë tradicionale janë të përfshira thellë në jetën politike evropiane për t’u fshirë nga një lëvizje politike rishtare si ajo e Macron-it. Pra, që Macron-i të ruajë popullaritetin e tij, ai duhet të bashkëpunojë ose me qendrën e djathtë ose me qendrën e majtë ose, në njëfarë mënyre, të përfshijë njërën prej tyre.

Në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2017, dy të tretat e elektoratit të qendrës së majtë të Francës votuan për Macron-in.

Megjithatë, ai kishte dy rrugë të hapura për të, kur mori detyrën. E para ishte miratimi i agjendës së qendrës së djathtë dhe ndjekja e politikave të tregut të punës, taksave dhe investimeve që do të “përshtasnin” Francën drejt globalizimit “kapitalist”.

Çuditërisht, kjo është rruga që ai fillimisht zgjodhi, duke u bërë shpejt kanakari i shtypit ndërkombëtar të orientuar drejt biznesit.

Rruga tjetër do kishte dashur që Macron-i të ndërtonte mbi një koncept para-ekzistues por të paqartë të internacionalizmit të krahut të majtë. Në praktikë, kjo nënkupton ndjekjen e politikave për të ndihmuar klasën e mesme, duke përditësuar një program të vjetëruar të qendrës së majtë për të llogaritur efektet e teknologjive çrregulluese dhe modeleve të biznesit.

Siç ka argumentuar ekonomisti Dani Rodrik, më shumë globalizëm kërkon një shtet më të madh, për të kompensuar ata që janë zhvendosur nga tregtia e lirë, liberalizimi i llogarisë së kapitalit dhe kështu me radhë. Pa kompensim, nuk ka asnjë garanci se globalizmi do ta mbajë pranimin e gjerë në publik.

Kjo nuk do të thotë që Franca mund të bëjë pa reforma të qendrës së djathtë. Buxheti absolutisht ka rëndësi, dhe reduktimi i deficitit gjithmonë do të kërkojë shkurtime jopopullore të shpenzimeve dhe rritje të taksave.

Po ashtu, tregu francez i punës ka tendencë t’i sjellë dobi të brendshmve, duke e bërë më të vështirë për të tjerët të gjejnë punë. Dhe sistemi hekurudhor shtetëror kishte nevojë të madhe për një përmirësim.

Në të parin një vit e gjysmë në detyrë, Macron-i filloi të trajtojë këto probleme dhe arriti të japë një buxhet në përputhje me rregullat e deficitit të BE-së.

Problemi qëndron se me ndjekjen e këtyre reformave, Macron-i braktisi bazën e zgjedhësve të tij të qendrës së majtë. Hap pas hapi, reformat e tij dukeshin vazhdimisht se ishin në dobi të të pasurve.

Dhe kështu, kur u njoftua se qeveria e tij do të rriste taksën e naftës, udhëtarët e shtresës së mesme dhe të klasës punëtore, dolën në rrugë.

Me sondazhet që tregonin se rreth 70% e francezëve mbështesin protestuesit e Jelekëve të Verdhë, Macron-i u detyrua të tërhiqej.

A kishte një alternativë të plotë të qendrës së majtë që Macron-i mund të kishte ndjekur në vend të kësaj? Përgjigja e shkurtër është jo. Reformatorët e interesuar kryesisht në të ardhurat dhe pabarazinë e pasurisë, qëndrueshmërinë mjedisore dhe demokracinë janë ende duke u përpjekur të kuptojnë se si duhet të duket një qasje e krahut të majtë ndaj globalizmit.

Ndryshe nga neoliberalizmi, i cili është i qartë në recetat e politikave të tij, një qasje e qendrës së majtë duhet të ofrojë një kontratë tërësisht të re sociale për të trajtuar efektet e teknologjive çrregulluese, thellimin e globalizmit dhe ndryshimin klimaterik.

Për më tepër, e majta duhet të kuptojë se nuk mund ta fitojë këtë betejë duke u fokusuar vetëm në hartimin e politikave vendore. Novacionet teknologjike dhe rrjetet globale që lehtësojnë shpërndarjen e tyre nuk mund të zhbëhen ose të shpërbëhen; në rastin më të mirë, ato mund të ngadalësohen.

Por ata që i rezistojnë ndryshimit do të përfundojnë duke qenë më pak konkurrues në ekonominë e së ardhmes. Alternativa e vetme e vërtetë, atëherë, është të ecet përpara, por edhe me reformat e mirëqenies sociale për të mbrojtur çdo qytetar dhe për të kompensuar humbësit. Duhet që gjithashtu të sigurohen burime të mjaftueshme për të lehtësuar mësimin dhe karrierat e reja.

Eshtë e panevojshme të thuhet që një kontratë sociale e re e qendrës së majtë do të kërkojë burime të konsiderueshme publike, të shpërndara me mençuri, shpesh nga qeveritë vendore.

Në të njëjtën kohë, qeveritë do të duhet të bashkëpunojnë për të parandaluar shantazhin ndërkombëtar në formën e arbitrazhit tatimor dhe rregullator. Globalizmi i pamenaxhuar inkurajon kapitalistë e mëdhenj dhe ata me të ardhura të larta që të dynden në juridiksionet me taksa të ulëta, duke i privuar qeveritë nga të ardhurat e nevojshme për të mbajtur sistemet e sigurimeve shoqërore. Për fat të mirë, G20-a ka filluar ta njohë këtë si një problem.

Por duhet bërë shumë më tepër punë për të përshtatur taksat, kujdesin shëndetësor dhe sistemin arsimor në një ekonomi globale në të cilën gjigantët e teknologjisë po zhvillojnë forma të reja të fuqisë së monopoleve.

Këto përpjekje do të kërkojnë shumë mendime të reja. Nga ana e tyre, udhëheqësit e qendrës së majtë duhet të fillojnë të eksplorojnë idetë për platforma radikale dhe novatore të qeverisjes së re, si në nivel kombëtar ashtu dhe në atë ndërkombëtar.

Bota po kalon një revolucion teknologjik që ka potencial që të përfitojmë të gjithë. Por shumë do të varet nga pasja e udhëheqjes për të menaxhuar çrregullimet e ardhshme. Alternativa është risku i versioneve të përditësuara të katastrofave politike të shekullit të njëzetë dhe të luftërave botërore. Sido që të jetë, Macron është një dash këmbore, sepse ajo që ndodh në Francë nuk do të qëndrojë në Francë. (ProjectSyndicate, shqipëroi për gazetën “TemA” Kebriona Veliaj)

2 komente në “ANALIZA/ “Qendra e majtë, globalizmi dhe kurthi ku ka rënë presidenti Macron””

  1. KORÇARI says:

    Ka ardhur koha që DELET (POPUJT) TË ZGJOHEN.
    GLOBALISTËT DUHET TË ZHDUKEN.
    Sistemi i RENDIT TË RI BOTËROR dhe KAPITALIZMIT AGRESIV s’janë efektivë.
    Duhet të zbatohet Sistemi Socialist i Vendeve Skandinave, Sistem i cili ËSHTË FUNKSIONAL DHE PA ANOMALI.
    IDIOTËT SI MAKRON , DAISEBLUM , JUNKER , MOGERINI ETJ , TË HIDHEN NË KOSH TË PLEHRAVE.

  2. KORÇARI says:

    Tema, botojini komentet e mia.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje