Në Europë pikturova princeshat, në Shqipëri burrat e Pavarësisë

30 Dhjetor 2018, 19:27Kulturë TEMA

Nga Leonard Veizi

Nuk ka dilema dhe sforco nuk është se ndjen teksa rreshket penelin me bojën mbi një telajo, a kur tërheq majën e lapsit mbi një fletë formati çfarëdo. Grafikë, akuarel a tablo në vaj marrin të njëjtin përkushtim dhe vlerë padyshim. Talentin e falur pa kursim tashmë ai e ka fokusuar në një punë që duket se nuk ka ndër mend të ndali ndonjëherë. Në Firence, Nju Jork apo Tiranë, ai është frymëzuar me të njëjtin pasion, dhe ashtu siç i “dhuroi” jetë princeshës së një oborri perëndimore, u dha “frymë” dhe baballarëve të kombit shqiptar, atyre që firmosën për Pavarësinë…

…Pasi ka njohur jetën mondane të elitës evropiane dhe ka shëtitur nëpër sallonet e disa prej familjeve të mëdha njujorkeze, Arben Morina, piktori shqiptar me origjinë të përbërë nga Morina e Gjakovës dhe Kanina e Vlorës është stacionuar në qytetin e tij, Tiranë. Kjo ka ndodhur disa vite më parë, ndërsa ftesat që e thërrasin sërish të jetë i pranishëm me penelin e tij në oborret princërore, nuk kanë reshtur asnjëherë. Thotë se ndjeshmëria që ka është dhuratë e natyrës dhe se kjo mbase nuk merr shumë rëndësi për artin e tij, për derisa i duhet shtuar dhe volumi i një pune këmbëngulëse. Madje është pikërisht një gjë e tillë që e ka çuar drejt një suksesi të pabesueshëm. Arben Morina tregon jo vetëm odisenë që e çoi në oborret më të famshme të Firences, e që padyshim njihet dhe një prej qyteteve më të famshëm të botës së artit, por dhe iniciativën stërmunduese për të bërë të njohur me penelin e tij portretet e 40 firmëtarëve të harruar.

Si u njohët me botën perëndimore të pikturës?

Rasti e solli që një kushëriri im, i cili punonte në Tregtinë e Jashtme, kishte krijuar marrëdhënie shumë të mira me princin austriak Egon Von Fuerstenberg, i cili nga ana e nënës ishte dhe nip i familjes Anjeli, pasi nëna e tij ishte motra e Xhani Anjelit. Ai ishte një koleksionist i madh dhe i pëlqente ndjesia e pikturës, që vinte nga vendet e Lindjes. Ishte viti 1988 kur Egon Von Fuerstenberg i kërkon kushëririt tim ta ndihmonte me një piktor të mirë, pasi donte të bënte disa portrete të familjes. Ai i adresoi emrin tim, që në fakt, edhe pse i ri, në atë kohë kisha fituar goxha emër të mirë në Tiranë.

Si u lidhët me Princin Egon Von Fuerstenberg?

Vetëm në rrugë shtetërore. Në atë kohë s’mund të bëhej ndryshe. Nga ambasada më erdhi një zarf me stemën e familjes, ku brenda saj ishin katër fotografi: e Egon Von Fuerstenberg, e djalit Alesandro, e vajzës, Tatiana, dhe e mikes së tij të ngushtë, një gazetare e njohur e “Il Messagiero”.

Ju ndoqët të njëjtën procedurë për t’ia dërguar pikturat?

Jo. Shteti shqiptar në atë kohë ishte i interesuar që Egon Von Fuerstenberg të investonte në industrinë e tekstileve në Shqipëri, dhe kushëriri im (natyrisht në emër të shtetit) e ftoi princin austriak për një vizitë private. Ai u prit në hotelin e gjuetisë, në ishull Lezhë, në një drekë madhështore, ku isha i ftuar edhe unë. Egon Von Fuerstenberg erdhi vet i gjashtë, me mikeshën e tij, presidentin e sallonit më të madh të modës në Itali, presidentin e klubit të Gjuetisë, si dhe dy pilotët e avionit personal, me të cilin zbriti në Rinas.

Si reagoi nipi i Anjelit kur u njoh me punët tuaja?

Kisha më se një muaj që punoja me katër portretet. Dhe i vendosa në murin përballë tryezës së ngrënies. Për rreth 45 minuta ai vetëm diskutoi me mua dhe të pranishmit e tjerë për katër pikturat. Kishte mbetur fort i kënaqur. Pastaj u ul për të ngrënë dhe kërkoi që piktori, pra unë, të kishte vendin përballë tij. Them se në atë kohë, për dy orë u ndjeva si një mbret, pasi isha në qendër të vëmendjes.

Sa kohë qëndroi në Shqipëri princi Egon Von Fuerstenberg?

Ai qëndroi dy ditë, por me sa mora vesh, kishte mbetur i pakënaqur nga industria shqiptare e tekstileve dhe nuk e pranoi propozimin e palës shqiptare.

Kur u takuat sërish me të?

Sapo mbërrita në Itali në fund të vitit 1990. Isha vendosur në një hotel të vogël. Kisha kartëvizitën e tij dhe i rashë numrit të telefonit. Më doli sekretarja, por e ndjeva që ai e ndërpreu sapo njohu emrin tim: “Përshëndetje Morina, ku je? – më pyeti. “Jam vendosur në Itali, në Firence”, i thashë. Ai qeshi dhe më tha. “Urime, ke bërë zgjedhjen e duhur. Ndërsa unë do të të njoh me Mbretëreshën e Firences, që është Bona Frescobaldi”.

Dhe ju njohu me të?

Natyrisht. Madje Bona Frescobaldi telefonoi vetë në hotel dhe e zonja e hotelit hidhej përpjetë nga gëzimi që gruaja më e fuqishme e Firences i kishte telefonuar. Më kujtohet që Bona Frescobaldi më priti në pallatin e saj, ndërsa unë shoqërohesha nga vëllai im dhe e zonja e hotelit, pas këmbënguljes së kësaj të fundit, dhe natyrisht pasi unë kisha marrë leje që edhe ajo të ishte e pranishme në takim. Duhet të them se Frescobaldët ishin një familje 1000-vjeçare në Firence, përfaqësuesit më të mëdhenj në botë të verërave të Toskanës. Familje që i ka dhënë jo vetëm Italisë, por edhe Evropës. Ndërkohë, ju keni pasur dhe suksesin e duhur në Amerikë. Si mbërritët aty?

Në fakt, ishte një çift amerikanësh, që, pas një rekomandimi, erdhën në studion time në Firence. Burri ishte zv/president i një prej firmave më të mëdha të optikës, të quajtur “Bausch&Lomb”, në Rochester të Nju Jorkut. Në këtë mënyrë u lidha edhe me pjesën e artit amerikan. Pas disa kohësh e kuptova se emri im kishte filluar të lakohej në disa qarqe, madje edhe televizioni “FOX”, nga më të rëndësishmit në SHBA, më la një hapësirë disa minutëshe në edicionin e lajmeve, pra në një transmetim të drejtpërdrejtë.

Prej vitesh jeni stacionuar në Shqipëri, pse kjo zgjedhje?

U ktheva në Shqipëri sepse ndieja një thirrje, ndieja një detyrim ndaj vendit tim…  Lirisë t’i japim një dimension tjetër, të thyejmë barrierat, të bashkojmë njerëzit, të krijojmë ura të fuqishme lidhëse, të bashkojmë idetë, të prekim kordat e ndjeshmërisë njerëzore dhe të gjithë bashkë të ndërtojmë, të krijojmë, ta bëjmë jetën më të bukur, t’i lëmë kësaj toke vlera e vetëm vlera.

4 komente në “Në Europë pikturova princeshat, në Shqipëri burrat e Pavarësisë”

  1. xhokonda says:

    ke shitur gje o plako ! apo je me biciklete !

  2. masturbatori says:

    habiti gjith boten pastaj u kthye ne shqiperi….dhe tani ne fund viti i dha nje te rene me dore por nuk i fryhej dot

  3. Roberto says:

    Qe diten e pare qe doli ky shkrim une bera komentin tim dhe cuditerisht isha i pari ndersa tani jo vetem qe ju te Temes nuk keni pubkikuar. Tani shoh dy komente. Kjo eshte tallje me ne. Nese shkruajme kjo eshte ne kenaqesine tone por deri diku ju intereson edhe juve pasi me shkrime dhe klikime keni goxha te ardhura. Na respektoni per ato qe themi te pakten. Nuk duam shperblim nga ju por jo mosperfillje apo akoma me keq seleksionime komentesh apo njerzish qe i bejne ato.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje