Kush është Bledar Jambelli, porositësi i vrasjes së Artan Cukut (dhe zanafilla e konfliktit mes bandave të Vlorës)

31 Dhjetor 2018, 10:45Politika TEMA

Pasi i dështuan përpjekjet për t’u liruar nga burgu dhe pasi siguroi statusin e të penduarit të drejtësisë, Mikel Shallari, ekzekutori i kryekomisarit Artan Cuku pranoi të rrëfejë njeriun që e pagoi për vrasjen duke rikthyer historinë e një arrestimi në vitin 2012, kohë kur Cuku ka qenë nëndrejtor policie në Vlorë.

Shallari i përmendi prokurorëve emrin e Bledar Jambellit, i njohur ndryshe si Rikard Muho, 38 vjeç nga fshati Mbrostar i Fierit. Jambelli ka qenë i arrestuar nga policia, si vrasës me pagesë në dhjetor të vitit 2012.

Ky arrestim, sipas Shallarit ka qenë motivi që Jambelli ka kërkuar ekzekutimin e Artan Cukut, pasi me iniciativën e tij ishin rihapur hetimet për disa vrasje në Vlorë.

Një vit më pas, në 2013, Artan Cuku u lirua nga detyra me urdhër të Drejtorit të atëhershëm të Policisë, Artan Didi.

Ndërkohë, pavarësisht rihapjes së hetimeve për vrasjen tek Pusi i Mezinit, Bledar Jambelli u lirua nga burgu, pasi në atë kohë u tha se nuk u gjetën prova.

4 vite pas arrestimit ai gjeti njeriun që pranoi të ekzekutojë Artan Cukun. Kontaktoi Mikel Shallarin, një i ri nga Kuçova, që banonte në Tiranë, në Qytetin Studenti.

Shallari i rrëfeu prokurorëve se me Bledar Jambellin komunikoi përmes kushëririt të tij, person ky i shpallur në kërkim.

Për vrasjen e Artan Cukut mori 3 mijë euro paradhënie. Pjesën tjetër të parave do ta merrte pasi të mbaronte punë, i ka thënë prokurorëve.

Kryekomisari u vra duke hyrë në shtëpinë e tij në Tiranë natën e 8 Prillit të vitit 2017. Ai u qëllua me 5 plumba, katër në gjoks dhe një në kokë.

Arrestimi që i kushtoi jetën kishte të bënte me një zinxhiri vrasjesh që nisnin që nga përplasjet mes bandave të Vlorës në vitin 1997 dhe vazhdonin përmes hakmarrjes dhe trafikut të drogës dhe prostitutave në Spanjë.

Bledar Jambelli u dyshua për vrasjen me pagesë të Amarildo Delajt në shtator të vitit 2012 dhe të fortit të Vlorës, Shpëtim Muka, në vitin 2006 te Pusi i Mezinit.

Dy ngjarjet lidhen mes tyre, pasi viktimat kishin krijuar konflikte në Spanjë me Sokol Ramën. Dy atentatet mendohej se u realizuan nga i njëjti person, Bledar Jambelli.

Zanafilla e konfliktit mes bandave të Vlorës

Më 27 shtator 2006, në Barcelonë të Spanjës mbeti i vrarë Slejdi Zanaj, nipi i Shpëtim Mukës. Për vrasjen u akuzua Sokol Rama.
Në vitin 2006 thuhej se vrasja pati si motiv luftën mes bandave shqiptare për rivalitetin e prostitucionit dhe drogës. Policia spanjolle arrestoi Sokol Ramën, por më pas u lirua për mungesë provash.

Më 11 nëntor 2006, Armando Zanaj, vëllai i Slejdi Zanajt vrau Leonora Ramën, nënën e Sokol Ramës, oficere e marinës. Leonora u vra në afërsi të godinës së Bashkisë së Vlorës. Armando Zanaj, atëherë 16 vjeç, u arrestua dhe në polici pati deklaruar se kishte kryer krimin për të marrë hakun e vëllait të vrarë në Spanjë.

Më 29 nëntor 2006 ekzekutohet pranë shtëpisë, Shpëtim Muka dhe Edvin Shehu, ndërsa u plagos Edvin Zanaj, vëllai i ekzekutorit të Leonora Ramës. Për këtë vrasje, u akuzua si urdhërues Sokol Rama, si hakmarrje për nënën e tij. Policia, brenda pak orësh, gjeti të braktisur makinën e autorëve, ku ishin edhe gjurmët e të arrestuarit Jambelli, por që deri kohët e fundit, nuk ishte vërtetuar implikimi i tij në krim.

Më 1 nëntor 2007, në Tiranë, pranë maternitetit “Koço Gliozheni”, vritet Edvin Zanaj, djaloshi i cili i shpëtoi atentatit një vit më parë. Burimet nga grupi hetimor në Prokurorinë e Tiranës, në atë kohë thanë se dyshonin se vrasja ishte porositur nga burgu i Spanjës, ku ndodhej i arrestuar Sokol Rama.

Ky i fundit ishte arrestuar në mars të 2007-s në Madrid. Nga informacionet operative u tha në atë kohë se Sokol Rama kishte vënë në dispozicion 10 mijë euro dhe personi i paguar kishte kryer shërbimin, duke ekzekutuar me plumb në kokë 23-vjeçarin vlonjat, i cili prej disa muajsh fshihej në Tiranë.

Për këtë zinxhir vrasjesh në pranga është vënë vetëm Armando Zanaj. Ndërkaq, i arrestuari Bledar Jambelli nuk rezulton të ketë ndonjë lidhje farefisnore me Leonora Ramën. Për këtë arsye, Policia e Vlorës dyshonte se Jambelli mund të ishte vrasës me pagesë.

6 komente në “Kush është Bledar Jambelli, porositësi i vrasjes së Artan Cukut (dhe zanafilla e konfliktit mes bandave të Vlorës)”

  1. Merati says:

    Ketyre nuk ka cfar ju ben shteti ata jane te destinuar te eleminojne njeri tjetrin keshtu funksionon shteti i mafies cdo inisiative e policise rezikon jeten e tyre mbasi ata jane kriminele dhe paguajn per te bere me te zezat e mundshme por me gjithe ate shteti i forte ju ben balle ketyre felliqesirave mendoj asnje sduhet te merakoset kur keta vriten cdo rast i tille eshte sikur qrohen halet vetem Saliu ka merak kur keta vriten ben shenim qe ketu ska shtet

  2. shqiptar says:

    Si vrasesi dhe porositesi duhen kalbur ne burg, per kete nuk ka asnje diskutim, por une kam nje pyetje. A do ta kalonte Artan Cuku Vetingun? Kam zera se ai ishte nje grabites dhe shantazhues qe perdorte fuqine e shtetit ndaj viktimave te tija. Zyra 400 mije euro e Cukut te bene te besosh zerat. MQNS heteimet e ketyre krimineleve prokuroria i bazon ne opinione, intuita, mendime e fantazi, nuk ka pse mos te besohet per te gjithe keshtu.

  3. Polic i vjeter says:

    Cuku ushtar i tonin vocit dhe agron kuliçit. Sigurisht qe nje dite ashtu do perfundonte. Me vjen keq per femijet dhe nusen por ky e kishte hak.
    Njeri me te lig policia shqiptare kurr ska pase.

  4. Rudina says:

    Boll se late nam me keto lidhje idiote qe beni. Dhe ate zonjen e vrare qe e permendni here pas here beni gabim. Ajo ishte nje zonje e nderuar qe ka gjalle ende prinderit te cileve u hapet plaga sa here qe kazani mediatik shkruan per vajzen e tyre. Ndaj, ju gazetare te nderuar, respektoni dhimbjen e nje nene api te nje babai. Mos u beni kaq mizore dhe te pashpirt.

    1. Shkaku Pasoja says:

      Boll ti Rudina! Namin e le te duke bere avokaten e djallit. Cdo histori ka dy te verteta. Cukun e tregojne kriminel po aq sa keta kriminelet qe e kane vrare. Sa per ndjeshmeri mos na bej moral ketu, se te jesh gjysem e ndjeshme nuk te bene ty me te mire nga ne qe jemi plotesisht te ndjeshem nga ketyre ceshtjeve ku te gjithe jane fajtor.

  5. Fatosi says:

    Maskarenj vritet njeriu kot….

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje