Kristaq Laçi, kampion në ring-kampion në pistë!

5 Janar 2019, 11:59Sport TEMA

Rast i rrallë por tepër original do të shkruante më 09 Gusht 1961, në gazetën “Sporti Popullor” të asaj kohe, profesori i nderuar dhe i palodhur z. Ismet BELLOVA. Behët fjalë për kampionin e dyfishtë z. Kristaq Laçi,

Në moshën 14 vjeç filloi shkollën e mesme të përgjithshme ushtarake “Skënderbegase”. Që në fillim, në orët e përgatitjes fizike, spikatën tek ai talentet shumë sportesh. Në veçanti boksi dhe atletika të cilat u panë me vëmendje nga profesorët e nderuar, si i madhi dhe i paharruari Ali Kastrati, Ismet Bellova, Bejkush Birçe, Sokol Morina si dhe nga z. Shaban Lundra i cili u mor me përgatijen e tij për garat e shpejtësisë në atletikë. Kristaqi së bashku me Rami Sadushi, Et’hem Ibrahimi , Luftëtar Hasani, Bardhosh Llanaj, Zigman Bode etj, u bënë titullarë të ekipit të boksit në klubin portiv “Partizani”. Por shumë shpjet Kristaqi jo vetëm që zuri vend në formacionin e ekipit, por do të shpallej kampion kombëtar me të rinjtë, si edhe në kategorinë e moshave deri në 21 vjeç.

Në vitin 1960 (Tetor), në moshën 17 vjeçare, në takimin ndërkombëtar ndërmjet “Partizanit” dhe “Howedit” të Budapestit, Kristaqi u ndesh me boksjerin hungarez Jozef Akermin 23 vjeç kampion i Budapestit. Theksoj këtu se ekipi Hungarez në përbërjen e tij kishte boksjer nga më të mirët e Hungarisë, të cilët ishin kampionë olimpiadash dhe më vonë kish prej tyre që u shpallën edhe Kampion Olimpik si Jinish Koidi, Lizko Firo dhe Istron Klinger.

Por kthehemi te ndeshja e Kristaqit me Jozef Akermin ku Kristaqi manifestoi përgatitje të lartë teknike-fizike ndonëse u gjykua edhe nga gjyqtar hungarez. Në mes të duartrokitjeve dhe brohoritjeve të spektatorëve gjyqtari hungarez i ngriti dorën për fitore Kristaqit. Kjo fitore bëri atë që ekipi i Partizanit të fitonte takimin 5 me 4.

Për Kristaqin nuk duhet lënë pa përmendur dhe titujt kampion në Spartakiadat e Ushtrisë për vitet 1958-59-62, ku në vitin 1958 në moshën 15 vjeç zuri vendin e dytë ndërkohë që në mesin e kundërshtarëve kishte edhe kampion si Teodor Punte dhe Ramiz Reka me moshë 20-22 vjeçar, që boksonin prej më shumë se 5 vjet, pjesëmarrës në aktivitetet Kombëtare dhe me emër në Shqipëri.

Në muajin maj 1959, fitorja e titullit kampion i ushtrisë në moshën 16 vjeçare paraqiste mjaft vështirësi për tu fituar. Kristaqi do ndeshej me dy boksjerë të afirmuar në Shqipëri për rezultatet e tyre si Abaz Alla 24 vjeç, fitues i medaljes së bronxit në spartakiadën e ushtrisë mike në Leipzig të Gjermanisë në tetor 1958 dhe me Kastriot Kordoni 25 vjeç, boksier i Klubit Dinamo, shumë i njohur në aktualitetin e boksit shqiptar. Në përfundim të aktivitetit ishte Kristaqi që doli fitimtar dhe u shpall Kampion në Spartakiadë.

Fitorja e dytë si Kampion i Spartakiadës së Ushtrisë ishte në Prill 1962 ku në finale u ndesh me Enver Sulejmanin i cili në pamundësi për të vazhduar ndeshjen u tërhoq dhe Kristaqi u shpall Kampion i Spartakiadës së Ushtrisë për herë të dytë. Vlen për tu theksuar se spartakiadat e ushtrisë në atë kohë ishin shumë të krahasueshme me Kampionatet Kombëtare në llojet e ndryshme sportive.

Krahas sportit të boksit Kristaqi do të merrej edhe me atletikë, si atlet i vrapimeve të shpejtësisë pranë klubit sportiv Partizani. Kristaq Laçi është shpallur nën kampion kombëtar në vrapimin 200m, Kampion dhe Rekordmen Kombëtar në varapimin 60m, Kampion Kombëtar në stafetat 4x100m dhe 4x400m për disa vite. Rekordmen Kombëtar në stafetën Ballkanike 800-400-200-100m.

Kristaqi është dalluar jo vetëm për rezultate të larta si sportist por edhe si njëri nga nismëtarët e rifillimit të sportit të boksit në Shqipëri pas ndërprerjes gati 30 vjetësh. Në vitin 1991, duke qënë një nga 13 protagonistët e krijimit të Shoqatës Shqiptare të Boksit ka dhënë një kontribut të veçantë në rithemelimin e Federatës Shqiptare të Boksit (FSHBO) duke qënë anëtar i kryesisë së kësaj Federate. Duhet të theksojmë se Kristaqi ka dhënë ndihmesë të konsiderueshme edhe në kualifikimin e gjyqtarëve. Kristaqi edhe në sportin e Basketbollit ka dhënë kontribut të veçantë. Ka kryer detyrën e sekretarit të Kolegjumit të Basketbollit për Tiranën. Për gati 15 vjet ka ushtruar gjykime si arbitër i kategorisë së parë. Për gjykimet e tij është vlerësuar maksimalisht mbasi karakterizohej nga një korrektësi e lartë.

Kristaq Laçi përveç rezultateve si sportist, ka kontribuar edhe si ushtarak ku për punë shumë të mirë është dalluar dhe nderuar me medalje dhe dekorata të ndryshme. Por ndër më të rëndësishmet është dekorimi me Medaljen e Arte me rastin e 60 vjetorit të krijimit të shkollës “Skënderbej” më 25 Mars 2005.

Personalisht i shkrova keto rradhë, duke ditur që për Kristaqin duhet shkruajtur më shumë se sa kaq, gjë që unë nuk arrij dot me një shkrim. Por në këtë rast desha të kujtoj dhe të tërheq vëmendjen e federatave sportive që të kujtojnë dhe vlerësojnë figurat e sportit ndër vite si rastin e mjeshtrit të sportit – Mjeshtër i Merituar i Sportit Kristaq Laçi.

Ndoshta ka edhe të tjera por vetëm kaq për këtë shkrim, dhe duke përfunduar po e citoj edhe një herë postulatin e Mësuesit të Merituar dhe Profesorit të nderuar z. Ismet Bellova “Kampion në Ring, Kampion në Pistë. Rast i rallë por tepër origjinal”.

Mjeshtër i Sportit

Ismet Varfi

1 komente në “Kristaq Laçi, kampion në ring-kampion në pistë!”

  1. Ferdinandi says:

    Te lumte dora dhe shum i nderuar z. Ismet, eshte me se e vertete qe z. Kristaq tere jeten e ka karakterizuar thjeshtesia dhe korrektesia, vertet eshte nje ish sportist i talentuar dhe nje njeri i respektuar nga te gjithe ne shoket dhe miqte e tije, respekte per z. Kristaq.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje