Deri më tani merkato e janarit ka rezultuar e bujshme me largimet nga skuadrat, të cilat kanë prishur marrëveshjet me futbollistët që nuk kanë dhënë atë që pritej në pjesën e parë të sezonit.
Shumë pak kanë qenë lëvizjet në hyrje çka ka bërë që ditët në vijim të jenë më intensive në këtë aspekt.
Skuadrat kanë nevojë për riparime në disa reparte por ajo që është vënë re pas 18 javësh kampionati është mungesa e theksuar e sulmuesve, ose më saktë e goleadorëve.
Pikërisht bomberat janë dhe “malli” më i kërkuar në treg dhe këtë e dëshmon transferimi i bujshëm i Vasil Shkurtajt nga Luftëtari tek Kukësi, me verilindorët që paguan një klauzolë të majme për të marrë shërbimet e sulmuesit vlonjat.
Madje për të ka patur oferta edhe nga Teuta e Partizani, por Kukësi dhe Luftëtari kishin arritur më herët marrëveshjen midis tyre, shkruan SS
Partizani prej kohësh është vënë në kërkim të një golashënuesi të mirëfilltë për t’ia shtuar skuadrës së frikshme që ka dominuar deri më tani kampionatin. Të kuqtë nuk ngurojnë të paguajnë deri më 8 mijë euro rrogë mujore, por duket se po hasin vështirësi për të gjetur njeriun e duhur.
Nuk mbetet prapa Teuta që pavarësisht se ka në përbërje golashënuesin më të mirë të kampionatit, Amadou Latif, është vënë në lëvizje në tregun e huaj për të gjetur njeriun gol.
Madje drejtuesit e djemve të detit janë gati të paguajnë dhe një rrogë të frikshme mbi 10 mijë euro në muaj vetëm që t’i vejnë në dispozicion trajnerit Bledi Shkëmbi sulmuesin që garanton golat.
Në të njëjtat ujëra është edhe Laçi, që gjithashtu po sheh drejt tregut kroat për një sulmues të mirëfilltë, pasi në fazën e parë është arnuar me gjysmësulmuesit apo lojtarët e krahut në majën e sulmit.