Kriza financiare, skuadrat me fazë dimërore në Shqipëri!

7 Janar 2019, 13:19Sport TEMA

Ndryshe nga vitet e tjera këtë periudhë dimri skuadrat e Superiores kanë hequr dorë nga shtegëtimi, kjo ndikuar sigurisht nga kriza financiare dhe pamundësi për të paguar eurot e nevojshme për një fazë sa më cilësore.

Nëse në vitet e kaluara ishin dy apo tre skuadra që qëndronin në shtëpi për tu përgatitur, sot janë vetëm dy ekipe që kanë preferuar të kalojnë kufijtë.

Dy pretendentët e titullit Partizani dhe Kukësi kanë zgjedhur Antalian, një vend i njohur për të dyja skuadrat duke qënë se kanë frekuentuar edhe më parë këtë ambient.

Ndërkohë që pjesa tjetër e ekipeve të Superiores ka qëndruar në Shqipëri. Flamurtari, Teuta dhe Luftëtari kanë anuluar udhëtimet e tyre përkatësisht drejt Turqisë, Italisë dhe Greqisë.

Si asnjëherë më parë Skënderbeu ka qëndruar në resortin Tropikal pasi ashtu si pjesa tjetër e skuadrave i ka konsideruar të tepërta shpenzimet për një fazë përgatitore jashtë vendit, shkruan “SS”.

Kriza ekonomike ka ndikuar jo vetëm në zhvillimin në kushte ideale të përgatitjeve dimërore por edhe përsa i përket merkatos.

Pamundësia për të shpenzuar shuma të mëdha po detyron klubet që të operojnë me lojtarë të cilët shihen si të panevojshëm nga skuadrat e tjera apo të rinj premtues që kërkojnë të evidentohen në elitën e futbollit shqiptar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje