Mbeturina që thuhet se janë nga një aksident në të cilin u përfshi Duka i Edinburgut, janë nxjerrë në shitje në eBay.
Shitësi morbius777 pretendoi se pjesët ishin nga aksidenti që ndodhi pranë King Lynn, Norfolk, të enjten.
Në postim thuhet se artikujt “madje mund të kenë ADN-në e Phil-it në të, nëse dëshironi ta klononi”.
Shitësi tha se të gjitha paratë e fituara nga ankandi online do të shkonjnë për Cancer Research UK (shoqatë bamirësie për kurimin e kancerit). Çmimi aktual është £ 65,900 me 139 ofertues.
Princi Philip, 97 vjeç, nuk u dëmtua në aksidentin në të cilin Land Rover Freelander-i i tij u përmbys në njërën anë pas përplasjes me një Kia.
Një djalë nëntë muajsh në makinën tjetër gjithashtu doli i palënduar nga aksidenti. Shoferja, një grua 28-vjeçare, pati disa të prera ndërsa një pasagjere 45-vjeçare theu kyçin e dorës.
Postimi në eBay thotë se në çmim përfshiheshin tri pjesë plastike dhe jo xhamat.
Shitësi tha: “Këto objekte nuk janë vjedhur, ato janë lënë në rrugë për një kohë të gjatë. Më mahnit fakti që nuk u pastruan ditën e aksidentit. Kështu që, siç bëjnë oportunistët, i mblodha ato.
Nuk kam asnjë përfitim financiar nga e gjithë kjo, të gjitha të ardhurat do të shkojnë për bamirësi. Është disi argëtuese, dhe Cancer Research përfiton”.
Dukës është parë të ngasë makinën pranë Sandringham pa rrip sigurimi në një Land Rover zëvendësues të shtunën.
Policia e Norfolkut tha se ” këshillat e përshtatshme” i ishin dhënë shoferit.(Shqipëroi Kebriona Veliaj, TemA)