Studentët e Fakultetit të Drejtësisë nisën sot mësimin në ambientet e gjimnazit “Petro Nini Luarasi”, në Tiranë.
Dekani i këtij fakulteti, Artan Hoxha, theksoi sot se “janë 38 klasa dhe mësimi do të zhvillohet në orën 14:00. Ndërkohë që do të ketë mësim të shtunën dhe të dielën nga mëngjesi deri në darkë”.
“Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë ka detyrimin t’iu ofrojë studentëve realizimin e procesit mësimor. Është një vendimmarrje e senatit akademik, e rektoratit, e dekanatit të Universitetit të Tiranës, e të gjithë studentëve. Ne ashtu siç përkrahëm studentët në protestën e tyre në të drejtat që ata kanë, nga ana tjetër duhet të garantojmë që procesi mësimor të zhvillohet i rregullt”, nënvizoi dekani.
Në pamundësi, vijoi ai, për të zhvilluar mësimin në ambientet e Fakultetit të Drejtësisë kemi bashkëpunuar me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dhe kemi rënë dakord me një orar të rishkruar dhe në afatin qe të përmbyllin simestrin e parë me sukses dhe procesin mësimor ta zhvillojmë në gjimnazin “Petro Nini”.
“Edhe para disa vitesh kemi zhvilluar mësim në këtë gjimnaz, kur godina e Fakultetit të Drejtësisë ka qenë në rikonstruksion”, u shpreh dekani.
Sipas tij, numri i studentëve që duan të bëjnë mësim dhe që kanë interes për të vazhduar programin mësimor është i madh.
Dekani Hoxha tha se “kemi mirëkuptimin e pedagogëve për të zhvilluar mësim. Shpresojmë që edhe studentët që janë në ambientet e fakultetit të ndjekin këtë proces mësimor”.
Një studente thekson për ATSH-në se “mezi presim një sjellje në normalitet, ashtu si ka qenë”.
“Duhet të kishim filluar sezonin, por nuk është asgjë që s’mund të rregullohet”, – shprehet ajo.
Një tjetër studente thotë se “sot tamam si dita e parë e shkollës. Jemi goxha mbrapa, s’jemi akoma as te gjysma”.
Ndërsa një student shprehet se “jam 100% i sigurtë që mazhoranca janë persona që duan mësim. Për protestën isha dakord, por për ngujimin aspak”.
Jemi pak mbrapa, shton ai, është e nevojshme të shtyhet mësimi.
Prej disa ditësh ambientet e Fakultetit të Drejtësisë në Tiranë janë bllokuar nga një grup personash duke mos lejuar zhvillimin normal të mësimit. Pas kërkesës së studentëve për të vijuar mësimin në mënyrë që të mos humbasin vitin e ri shkollor, dekani Hoxha i çoi një kërkesë Ministrisë së Arsimit për t’i mundësuar ambiente për të zhvilluar mësimin.