Nikolo Zaniolo është kthyer shumë shpejt në idhullin e tifozerisë së Romës dhe shihet që tani si një nga talentet më premtues të futbollit italian në dekadën e fundit.
Paraqitjet e tij dhe sidomos golat e shënuar në një aktivitet prestigjioz si Liga e Kampioneve e kanë konfirmuar këtë dhe tanimë të gjithë presin se cila do të jetë arritja e radhës e adoleshentit italian.
Në mbrëmjen e të martës, Zaniolo gjeti dy herë rrjetën dhe u bë shpejt protagonist absolut i fitores 2-1 të Romës. Por njëkohësisht, ai vendosi disa rekorde të reja si sa i përket skuadrës së tij, ashtu edhe futbollit italian në tërësi.
Zaniolo shënoi me dy gjuajtjet e tij të para në portë, ndërsa u bë lojtari më i ri në historinë e Romës që realizon në një ndeshje me eliminim direkt. Por njëkohësisht, ai u bë edhe italiani më i ri që realizon dygolësh në një sfidë të Champions.
Ai shënoi dygolëshin në moshën 19 vjeç e 225 ditë, ndërsa më përpara kishte qenë juventini Pietro Paolo Virdis, në vitin 1977, i cili në moshën 20 vjeç e 129 ditë kishte shkruar emrin e tij në librin e rekordeve.
Megjithatë, sa i përket Ligës së Kampioneve “moderne”, asaj që në momentin kur u vendos që të ndryshohej formati i turneut, Zaniolo ia ka rrëmbyer rekordin pikërisht Kristian Panuçit. Ky i fundit , në moshën 21 vjeç e 204 ditë, shënoi dy gola në ndeshjen e Milanit me AEK në nëntorin e vitit 1994.
Që atëherë, askush më i ri se trajneri i Shqipërisë nuk kishte gjetur dy herë rrjetën në një ndeshje Champions, derisa erdhi fenomeni Zaniolo për të cilin në Romë tani kanë filluar diskutimet nëse është kandidat për të mbajtur fanellën legjendare me numrin 10.