Masimiliano Alegri e ka deklaruar publikisht se sfida e 12 marsit ndaj Atletiko Madrid është ajo vendimtare për të gjithë këtë sezon te Juventusi. Por në Itali janë të sigurt se kjo datë nuk do të përcaktojë fatin e trajnerit, pasi me sa duket, ai është drejt largimit nga skuadra torineze.
Sipas “Sportmediaset”, sido që të shkojë sfida ndaj spanjollëve në Ligën e Kampioneve, trajneri Alegri ka mbyllur ciklin e tij me këtë skuadër, që është gati të nisë me një projekt të ri dhe me ide të reja.
Në fakt, pritej që Alegri të largohej që në verë për t’i bërë vend një tekniku të ri, pro planet ndryshuan rrugës edhe falë afrimit të Ronaldos dhe nevojitej një periudhë pa tronditje të mëdha në skuadër.
Të njëjtat burime theksojnë se një cikël prej 5 vitesh me tituj kampionë dhe dy finale Champions të siguruara deri tani ishte një bilanc i mirë për teknikun dhe për këtë arsye, fundi është shumë më afër sesa mendohet, ndonëse Alegri ka edhe një vit kontratë me bardhezinjtë.
Ndaj nuk është rastësi që prej disa kohësh kanë filluar të qarkullojnë emrat e alternativave të mundshme për stolin e Juventusit, me Zinedin Zidan që gjenet në majë të listës.