Në mënyrën e vet, Rino Gattuso është gjithashtu një “politikan”. Ai është udhëheqësi i atyre, që e pozicionojnë veten si pjesë të besimit kuqezi. Kakha Kaladze ka fituar 22 tituj në fushë (8 me Milanin, 6 te Dinamo Kiev dhe 8 të tjerë te Dinamo Tbilis) dhe një “titull” të veçantë, në zgjedhjet e korrikut 2017, kur u bë kryebashkiak i kryeqytetit të Gjeorgjisë. Ai ishte në Milano në fundjavë, ku foli edhe për mediat.
Të premten në mbrëmje ishit në “San Siro”. A jeni argëtuar?
Patjetër. Milani bëri një ndeshje të shkëlqyer. Kjo ishte ndeshja e parë, që e shikoja drejtpërdrejt në stadium, ndërsa nga TV i kam ndjekur pothuajse të gjitha të tjerat.
Çfarë ju bëri më tepër përshtypje?
Determinimi dhe qëndrueshmëria. Kuqezinjtë mbrojnë mirë dhe janë cinikë në sulm.
Sa ndikim ka Gattuso?
Ai është arkitekti i kësaj skuadre, krijoi një grup solid, që ka harmoni në dhomën e zhveshjes. Aspekti vendimtar ka të bëjë me lojtarët, që të ndihmojnë njëri-tjetrin në fushë. Në këtë skuadër, sulmi mbështet mesfushën, mesfushori ndihmon mbrojtjen.
A prisni që Rino të ketë sukses edhe në karrierën e re?
Ai ka zgjedhur rrugën e tij dhe po bën mirë në një nga klubet më të rëndësishme në botë. Jam i lumtur për të, sepse gëzon dhe vuan. Rino mund ta rikthejë Milanin në Ligën e Kampionëve, madje edhe si i treti në renditjen e Serie A. Kjo, përveç vazhdimit të luftës për fitimin e Kupës së Italisë.
Për shokët e tjerë të vjetër, Leonardo dhe Maldini, a kishit menduar një rrugë të ngjashme?
Në rolin e tyre, Leo dhe Paolo i kanë dhënë stabilitet klubit dhe skuadrës, gjë që iu kishte munguar për njëfarë kohe. Ata janë të parët që e ndihmojnë Rino. Kam mësuar se Elliott dëshiron të investojë dhe të sjellë lojtarë shumë të rëndësishëm në Milano, për t’u kthyer shpejt në krye.
Piatek është tashmë një nga këto?
Ai është shumë i mirë, godet menjëherë. E ndoqa në Genoa dhe pastaj në Milano. Eshtë rritur shumë dhe mund të bëjë akoma më mirë. Për ata që vijnë nga jashtë, ingranimi në Serie A është i vështirë, për një sulmues edhe më shumë, për një sulmues të Milanit edhe më tepër. Piatek shënon gola, lëviz, ndihmon, mbron. Eshtë ende i ri dhe mund të ngjitet në një nivel shumë më të mirë. Unë kam luajtur kundër kampionëve, që kanë bërë histori në sulm. Ndoshta nuk do të arrijë Ronaldon (Fenomeni), por do të bëhet një sulmues i madh.
A do të ktheheni shpejt për ta parë Milanin dhe Gattuso në “San Siro”?
Flas shpesh në telefon me Rino dhe shkëmbejmë mesazhe. Do të kthehem sa më shpejt që të jetë e mundur, por në Gjeorgji, si kryebashkiak i Tbilisit, jam shumë i zënë.
A ju vjen keq për mosvazhdimin e një karriere sportive?
Sot kam përgjegjësinë për gati një milion e gjysmë banorë. Ka shumë probleme, që po përpiqemi t’i zgjidhim me projekte të reja. Ne duam të kemi një popull të lumtur.
Cilat janë projektet, të cilave iu jeni dedikuar më shumë?
Ne po punojmë në shumë drejtime: në ndërtimin e rrugëve, porteve dhe infrastrukturës së përgjithshme. Duam të propozojmë një transport të ri publik. Kemi ndërmarrë të gjitha iniciativat që ndikojnë në të gjithë vendin dhe me të cilat duam të tërheqim vëmendjen e Europës, për një anëtarësim të ardhshme në Bashkimin Europian. Ligji për kanabisin shkon në këtë drejtim. Më përpara, përdorimi i tij është dënuar me burg, sot konsumi personal është legalizuar.