Sëmundjet seksualisht të transmetueshme po fitojnë terren sërish në vendet e zhvilluara, pas një tkurrjeje prej dekadash. Pasojat mund të jenë shkatërruese. P.sh., sifilizi bëhet shkak për 200 000 raste të lindjes së fëmijëve të vdekur në vit në shkallë globale dhe me kalimin e viteve mund të çojë në verbëri, demencë apo paralizë.
Rikthimi i këtyre sëmundjeve është rezultat i shumë faktorëve përfshirë përdorimin e papërshtatshëm të profilaktikëve dhe abuzimin me drogërat rekreative. Njëkohësisht, sëmundje të rënda seksualisht të transmetueshme si gonorreja dhe shigeloza po bëhen gjithnjë e më të vështira për t’u trajtuar, për shkak të rritjes së rezistencës ndaj antibiotikëve.
Në SHBA, rastet e klamidias, gonorresë dhe sifilizit – tre nga sëmundjet më të shpeshta seksualisht të transmetueshme – u rritën me më shumë se 200 000 në 2017-n, duke arritur rekordin prej pothuajse 2.3 milionë. Rastet e sifilizit gjithashtu janë dyfishuar në 31.4 raste për 100 000 njerëz në vitin 2017, nga 15.9 për 100 000 që ishin në vitin 2012.
Trend rritës kanë shënuar edhe vende të tilla si Franca, Belgjika, Irlanda dhe Britania e Madhe. Në Australi, rastet e raportuara të gonorresë u rritën 63 për qind nga viti 2012 në 2016, ndërsa u gjashtëfishuan në Francë dhe gati u pesëfishuan në Danimarkë nga viti 2007 deri në vitin 2016.
Shkaqet e rritjes
Në vendet e zhvilluara, sifilizi është përhapur nga grupet me rrezik të lartë (gei dhe biseksualë) deri te komuniteti si i tërë. Në SHBA, rastet te femrat u rritën me 156% nga viti 2013 në vitin 2017. Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve e shpjegon këtë rritje me një rritje të përdorimit të drogërave si metamfetamina apo heroina, që lehtësojnë angazhimin në raporte seksuale të pambrojtura.
Praktika të ngjashme në Europë, që njihen si “party and play”, kanë shtuar ato që konsiderohen sjellje të rrezikshme, sidomos në grupet e meshkujve homoseksualë. Një shkak tjetër është ulja e përdorimit të prezervativëve.
Po ashtu, edhe shtimi i udhëtimeve ndërkombëtare dhe rritja e emigracionit i kanë bërë këto sëmundje të përhapen më shumë. Organizata Botërore e Shëndetësisë sheh si grupet më të rrezikuara punonjëset e seksit, përdoruesit e drogës, meshkujt gei dhe femrat transgjinore. /Bloomberg-TemA TV/
sa me shume perhapet kurvelliku -prostuticioni- Zoti i Madherishem do te sjelli semundje qe nuk kane eksistuar me perpara si denim per njerezit e prishur mir tju bohet keq e me keq e pesofshin gazeb mbi gazeb