Duhet të shkruajmë tregimin tonë

3 Mars 2019, 16:02Blog TEMA

Nga Niko Peleshi

Edhe fjalimet më optimiste për të ardhmen e vendit tonë, kanë për tregim të shkuarën. Shqiptarët kanë patur një histori të vështirë, të ndodhur ndërmjet lindjes dhe perëndimit dhe padyshim kanë meritën historike të mbijetesës me gjuhë, kulturë e zakone të trashëguara, që mund të jenë frymëzim por nuk mjaftojnë për të ndërtuar një qëllim për të nesërmen. Kur flasim për të ardhmen duhet të vështrojmë nga e ardhmja.

Kombet që kanë arritur të ndërtojnë një qëllim dhe t’a tregojnë e t’a ngulitin atë në mendjen e të gjithëve, nga femijët e deri te të moshuarit, ia kanë dalë të fuqizohen edhe kur kanë qënë në disavantazh numerik, gjeografik apo burimesh natyrore. Izraelitët jetojnë tregimin e tyre prej 2500 vjetësh. Çdo izraelit, që kur fillon të kuptojë e deri sa mbyll sytë, e mban në mendje mitin e Izraelit si toka e shenjtë (çështja e vërtetësisë së kësaj teze nuk ka lidhje me thelbin e ketij shkrimi) dhe jeton si misionar për ta mbrojtur atë. Veçse ka ndërtuar një tregim të ri për të ardhmen: Izraeli vendi i inovacionit, vendi i sipërmarrjeve të reja. Me tregimin e vjetër rifituan tokën nga u dëbuan, me tregimin e ri e bënë Izraelin një nga shtetet më të zhvilluar në botë, në mes te shkretëtirës.

Në librin e tij bestseller të titulluar SAPIENS, historiani Youval Noah Harari, flet për fuqinë transformuese të një “tregimi” të përbashkët. Ai mendon se supremacinë mbi tokë, njeriut (homo sapiens) ia dha aftësia e tij unike për të ndërtuar “tregime” (story ose fiction i quan Harari në anglisht). Pra jo forca fizike. Homo sapiens nuk ishte dhe nuk është specia fizikisht më e fuqishme mbi tokë, por është specia e vetme që ka imagjinatë dhe besim kolektiv.
Si ndodh kjo? Besimi tek “tregimet” është forca që grumbullon energjitë e një komuniteti, e në disa raste të gjithë njerëzimit, drejt një pike duke e bërë njeriun të pakonkurueshëm nga speciet e tjera.

Ka patur shumë raste në histori, kur këto tregime e kanë drejtuar fuqinë njerëzore drejt qellimeve të gabuara, në dëm të fqinjëve apo edhe më keq në dëm të njerëzimit në përgjithësi. Gjermanët ndërtuan tregimin e gabuar para një shekulli, që i kushtoi botës një luftë botërore shkatërrimtare.

Veçse kjo nuk duhet të na bëjë të ndryshojmë bindjen se për sa kohë nuk kemi një qëllim të madh kombëtar afatgjatë, energjitë tona do të shpenzohen në mënyrë kaotike dhe shpesh kontradiktore. Pasi humbën luftën gjermanët ndërtuan një tregim të ri. Në këtë tregim edukohen si të ndërtojnë një vend lider në zhvillimin ekonomik e shoqëror europian duke qënë më të mirët.  Marka Made in Germany, për shembull, nuk ndodhi rastësisht, por fitoi personalitet të lidhur fort me cilësinë, për shkak se gjermanët punuan me këtë qëllim në mendje dhe në zemër.

A kanë shqiptarët sot një tregim, një mit, një narrativë afatgjatë?

E thënë ndryshe, çdo të thotë të jesh krenar që je shqiptar? Një mik më tregonte një ndodhi me vajzën e vet të vogël në klasën e katërt. Mësuesja iu kërkoi të bëjnë një ese me temën “jam krenar që jam shqiptar”. Vajza e vogël kishte përshkruar disa sjellje shoqërore që e bënin të ndihej keq kur vizitonte vende te Europës. Aty nuk shikonte mbeturina, nuk shikonte ndërtime të shëmtuara dhe në vend të ndihej krenare ndihej e turpëruar. Më tej shkroi për ngjarje dhe figura historike si nënë Tereza dhe Gjergj Kastrioti Skënderbeu, por nuk ishte e sigurt nëse duhej të ndihej krenare për betejat e heroit tonë kombëtar kundër turqve, 5 shekuj më parë, ndërkohë që shqiptarët e sotëm nuk fitojnë dot as betejën kundër mbeturinave në rrugë. Unë nuk jam i sigurt nëse 4-a që mësuesja i vuri vajzës së mikut tim ishte e merituar. Por jam i mendimit se asnjë betejë nuk mund të fitohet kur nuk e lidh atë me një qëllim.

Le ta themi pa doreza se patriotizmi jonë shpesh fillon dhe mbaron te thirrjet në stadiume dhe tekstet e kengëve patriotike. Në rastin më të mirë ai është i frymëzuar nga e kaluara dhe në rastin më të keq është thjesht tifozllëk nacionalist apo kundërvënie (është evidente që në rradhët e emigrantëve doza e patriotizmit apo nacionalizmit është më e lartë, sidomos kur jetojnë në shtete europiane, ku mungesa e një tradite multikulturaliste shtyn vendasit dhe për rrjedhojë edhe emigrantët në skalione nacionaliste).

E kemi të vështirë të mendojmë e punojmë për qëllime kolektive afatgjatë. Sa herë që flasim për probleme, zgjidhjen e kerkojmë sot për sot. Duam ta prekim dhe ta shijojmë ne, jo femijët tanë. Një ditë, Kassen, një mik që punon prej pak kohësh në Shqipëri për GIZ më pyeste se pse nuk ekziston në Shqipëri biznesi i investimit në pyje. Bëhet fjalë për një investim që i jep frutet pas 20-30 vjetësh. Përgjigjja për të gjithë ne është e qartë.
Edhe kur e ndava me disa miq që i çmoj këtë shkrim para se ta botoja, pati syresh që më thanë se tregimi për të cilin unë shkruaj më poshtë është shumë i bukur për të qënë i vërtetë në realitetin tonë. Në këtë realitet më tha dikush duhen tregime afatshkurtër që të sjellin ndryshim të shpejtë. Por pikërisht ky është thelbi i nxitjes sime për të shkruar për këtë temë: Duhet një tregim i madh për të orientuar siç duhet qindra-mijra tregimet e vogla të individëve, familjeve, fshatrave, qyteteve dhe kombit në ndërkohë.

Po sjell për analogji edhe një shembull kuptimplotë pavarësisht përmasës. Para pak kohësh na vizitoi një ekspert i menaxhimit të ujrave nga Hollanda. Teksa diskutuam për parandalimin e përmbytjeve, ai më tha se problemi më i madh që ne kemi, nuk janë qindra miliona euro që nevojiten dhe që ne nuk i kemi, por fakti që jemi ende në pikën A, pra në pothuaj 3 dekada nuk arritem të hartonim as masterplanin kombëtar të parandalimit të përmbytjeve (tregimin e madh). Ndërkohë miliona euro të shpenzuara për projekte të vogla (tregimet e vogla) kanë qënë të paorientuara nga një masterplan i integruar dhe për rrjedhojë shpesh kanë shkuar dëm.

Atëherë cili mund të jetë tregimi ynë?

Ky tregim mund të thuhet me një fjali, por duhet të jetë i madhërishëm. Ai duhet të jetë ëndrra jonë e përbashkët. Duhet të frymëzohet nga e ardhmja më shumë se nga e shkuara.
“Shqipëria do të bëhet toka e 10 milion shqiptarëve që sot jetojnë nëpër botë duke ndërtuar këtu vendin e mundësive. Veçanërisht për të rinjtë”.  Kjo duhet jetë ambicia dhe aspirata e brezave. Ky duhet të jetë drejtimi i pandryshueshëm i Shqipërisë. Në këtë regjistër do t’iu duhet të gjitha organizatave politike te shkruajnë platformat e tyre sepse kjo duhet të bëhet optika e vetme e shqiptarëve.  Nuk është një frymëzim nacionalist.  Jo.

Është një rrugë shpëtimi e detyruar për një Shqipëri që duhet të rritet dhe jo të zvogëlohet. Për një Shqipëri që synon vendet e para dhe jo të fundit në trenin e Europës. Kemi burime natyrore, kemi dete, liqene, lumenj, fusha pjellore, male dhe ditë me diell. Kemi ende popullsi të re. Përgjatë një shekulli histori, herë për shkak të rrethanave , herë për shkak të zgjedhjeve tona të gabuara, Shqipëria ka mbetur shumë vite prapa krahasuar me botën e zhvilluar.
Unë nuk kam për qëllim të përshkruaj këtu edhe rrugën se si arrijmë tek mishërimi i këtij tregimi. Projekti i kësaj rrugë duhet të ndertohet me kontributet më të mira të shqiptarëve të Shqipërisë dhe të diasporës. Por po përmend vetëm një mundësi që duket në horizont krahas shumë mundësive të tjera që do të lindnin nëse imagjinojmë sikur çdo shqiptar do të jetojë me tregimin: Shqipëria vendi i 10 milion shqiptarëve.

Ajo është teknologjia.

Teknologjia e re e informacionit dhe komunikimit po kapërcen shekuj zhvillimi. Historia na thotë se renditja e vendeve në kalsifikim ndodh sidomos në kohë revolucionesh.  Ky revolucion sot po ndodh.  Revolucioni 4.0 quhet ndryshe transformimi që po sjell teknologjia në botë. Në qoftë se vendosim të jemi në anën e përfituesve, koha është tani. Ne nuk jemi një vend i pasur, por siç më thoshte një politikan i huaj i vjetër, çdo vend, sado i varfër i ka burimet për të financuar të paktën një prioritet të vetin kombëtar.

 Le të bëhemi vendi që mbështet çdo iniciativë sipermarrjeje inovative si askund tjetër. Të hapim shkollat më të mira në botë për të mbjellë farën e klasës së re të inxhinierëve dhe teknologëve. Dhe t’i mbajmë këtu duke financuar çdo start-up të shqiptarëve që jetojnë këtu dhe atyre të diasporës që mungesa e tregimit kombëtar i ka çuar në të katër anët e botës. Finlanda është në vendin e parë në Europë për mbështetjen e ideve inovative dhe shpenzon rreth 150 mln euro. Nuk janë pak, por nuk janë më shumë se sa buxheti i vetëm një rruge të cilën mund t’a ndërtojmë disa vite më vonë, për hir të një prioriteti kaq të fortë.

Ka edhe mundësi të tjera unike që na i dhuron pozicioni gjeografik, por së pari duhet të ndajmë mendjen.
E nëse do ta humbim edhe këtë tren, mbase nuk do të ketë tren tjetër. Në fillim ishte fjala, thuhet në bibël. Edhe ne sot, duhet t’a fillojmë nga fjalia: Shqipëri vendi i mundësive, Shqipëria vendi i 10 milion shqiptarëve. Të tjerat vijnë si rrjedhime të këtij qëllimi që do të tregohet çdo ditë. E di që ky shkrim tingëllon i shkëputur nga realiteti, por mbase kjo shkëputje është ajo që na duhet sot më së shumti.

7 komente në “Duhet të shkruajmë tregimin tonë”

  1. ME EMER says:

    ME NJEREZ SI JU NUK KA KUPTIM AS FJALA BETEJE . SHQIPTARET KANE NEVOJE PER PUNE , PER NJEREZ QE DINE TE PUNOJNE . ATA QE NUK DINE TE PUNOJNE , NUK DINE AS TE DREJTOJNE ..! C`BERE TI PER BUJQESINE P.SH. , QE TE TA THEM KONKRETISHT ..?! NDAVE MOLLE NEPER SHKOLLAT ? ISHE MINISTER I BUJQESISE PER TA KATANDISUR ATE NE ZERO , APO MINISTER I CIRRONKAVE ?! BUJQESIA ESHTE BAZE QE TE USHQEHET POPULLI , TOKA ESHTE E POPULLIT , DUHET PUNUAR , DO MEKANIKE , JO MJETE PUNE TE SKLLAVERISE TE CILAT I TEGOKE BUKUR NE HISTORINE CIFUTEVE , SHTETIT TE FABRIKUAR PER INTERESAT E “BUAJVE ” TE PLANETIT ..! I HODHE NDONJEHERE SYTE NGA FSHATI ?! E NA BEN KOMENTE PER HOLLANDEZET QE NDODHEN “NEN NIVELIN T DETIT ” , QE KANE MARE MASA PER PARANDALIMIN E PERMBYTJEVE ETJ ETJ , KUR PROBLEM ME NE ESHTE UJITJA E ASAJ TOKE TE MJERE ..! VISHE BLUSKEN “BOSSI ” DHE DIL PER SERENATA ..!

  2. Nemezi says:

    E lexova deri kur arrita ke fjala izraelit. E ngacta dije Niko peleshi i gjore, qe nuk ekzistojne prej shekujsh izraelitet. Qe banoret e Izraelit quhen Izraeliane dhe jo Izraelite. Dhe ndryshimin midis izraeliteve dhe izraelianeve jo vetem Peleshi nuk ka tru ta kuptoje ne Shqiperi.

  3. Nemezi says:

    E lexova deri kur arrita ke fjala izraelit. E nga ta dije Niko Peleshi i gjore, qe nuk ekzistojne me prej shekujsh izraelitet. Qe banoret e Izraelit quhen Izraeliane dhe jo Izraelite. Dhe ndryshimin midis izraeliteve dhe izraelianeve jo vetem Peleshi nuk ka tru ta kuptoje ne Shqiperi.

  4. olimpia says:

    Peleshi,ke deri diku te drejte.Por per te arritur zhvillimin duhet dominim i pragmatizmit mbi emocionet,i mendimit racional mbi idete konfuze ,objektiva afatmesme dhe afatgjata ekonomike dhe shkencore.Dhe nuk mjaftojne vbetem idete e Rames,perkundrazi shpesh keto ide jane larg realitetit.E para ishte fjala,por fjala erdhi si rezultat i veprimit.Dhe veprimi i nje tye majte moderne lidhet me dy faktore baze ,industri moderne dhe punesim.Parate jane,por e majta ,pra qqeveria socialiste ,direkt dhe indirekt duhet te nxise dhe detyroje ata qe kane qindra miliona jo drejt betonit por drejyt industrise moderne.Jo leje ndertimesh por leje investimesh,jo PPP per rruge por PPP per hitech dhe startup ku te stimulohet truri qe nuk mungon por nuk ka para,jo bunkarte idiote per skupe por hapsira per rinine ku te studjohen teknologjite e avancuara.Shteti nuk mund te jete vetem polic dhe mbledhes taksash,por mbi te gjitha udheheqes i bveprimtarive ekonomike dhe shkencore .Ne nuk jemi as SHBA dhe as Kine ku hapsirat pafund popullsia e madhe mund te realizojne cdo gje.Ne jemi nje vend i vogel dhe pavaresisht burimve,dora dhe forca e shtetit duhet te ndihet fdort ,ashtu si ndihet ne vendet qe permenden,Izrael,Singapor ,etj.Po te bejme llogfari ekonomike jane miliarda qe shqiptaret kane shpenzuar pa logjike dhe tashme kjo pasuri eshte ne nje mase te madhe e vbdekur .Djemte e rinj fshatare ne emigracion ne vend te investimeve per apartamente bosh mund te kishin shndrruar hapsirat ne dispozicion ne zonat fshatare ne nje Zvicer te vertete per prodhimet blegtorale bio qe mund te konkuronin kudo ne bote .Kjo do ndodhte ne se do te ndalohej betonizimi kriminal dhe ne se shteti do te udhehiqte kete proces.Sepse aparamentet do te mbeten bosh ,e shumta do te shfrytezohen 15 dite nderkohe qe zhvillimi i prodhimeve blegtorale e bujqesore do te sillte qindramilione fitime dhe frenim te emigracionit.E perdora kete argument per te theksuar mjaft me me hiperliberalizem,shtet duhet te udheheqe ne te gjitha fushat ,duke diktuar priroritetet strategjike me studime dhe parashikime .Ky eshte shteti modern,me anarki nuk shkohet asgjekundi nderkohe qe investimet pa te ardhme vetem djegin para ,jo mandate pa vlere.

  5. Arben says:

    O zoti Peleshi….. a e more diplomen apo jo……? u bere Zv. Kryeminister dhe Minister, pa diplome te sholles se larte dhe cfare shte me e keqja kishe mashtruar se ke mbaruar universitetin per elektronike…… dhe tani del e ben filozofin e madh…… o mjer ky vend nga kush qeveriset…!!!!!!!

  6. Ad says:

    Zoteria ka te drejte kur thote te shikojme nga e ardhmja, por a mund te ndertohet nje e ardhme pa pare prapa… Mendoj se jo. Dhe Shqiperia ka tri te kaluara te aferta: 1924-1939, 1945-1990 dhe 1990-2019. Kush nga keto te tria vlen per referim… Mendoj kryesisht 1924-1939, sepse pas afro 5oo vjet nen perandorine otomne, Shqiperia, 12 vjet pas shpalljes se Pavaresise, krijoi shtetin e se drejtes si cdo shtet i kohes ne Europe. C’prodhoi e kaluara 1945-1990… Pas gati 30 vjetesh, vec rrumpalle ku shteti i se drejtes duket enderr e larget…

  7. Valter says:

    Pershendetje ! Nuk me pelqejne komentet negative te bera ketu! Qëllimi i njerëzve nuk duhet te jete denigrimi! Niko eshte vertet njeri qe ka lene gjurme ne ecjen perpara te qytetit te Korces dhe Qarkut Korce. Ata qe vizitojne Korcen ne fundjave e preceptojne kete realitet.
    Njerëzit bëjne zgjedhjen çdo ditë, për të ilustruar të vërtetën, ndershmërinë. E vërteta është hiri ynë shpëtues. Pra, duhet të bëjmë gjënë e duhur , për t’ju përgjigjur realitetit që prekin njerzit çdo ditë , veçanërisht kur askush nuk na sheh dhe nuk është në gjëdje të na ndalë dorën tonë. Misioni dhe detyra jonë bashkërisht, duhet jete e vërteta. Kjo është mënyra se si i kursejmë goditjet ndaj njëri-tjetrit, zvarritjen, parazitizmin, në të dyja anët e rreshtit, ndarjen, padrejtësitë dhe urrejtjen.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje