Duhej të ishte momenti për të folur rreth garës së ashpër për titullin kampion, Europën apo mbijetesën, por futbolli shqiptar është kapluar nga dhuna dhe pasojat që sjell. Kampionati shqiptar është ndalur këtë fundjavë pasi arbitrat janë ngritur në protestë duke bojkotuar aktivitetin, si një masë parandaluese në mënyrë që ato pamje të cilat serviri përfundimi i sfidës Kamza-Laçi të mos shihen më. Por pse jemi kaq të dhunshëm, çfarë duhet të ndryshojmë dhe cili është roli i shtetit? Pyetje të cilat i përgjigjet psikologia Gejsi Ndoja.
“Jemi një shoqëri mesdhetare, jemi popull sanguin. Nxehemi shpejt dhe kemi temperament të fortë. Ndoshta ngaqë në histori kemi luftuar gjithmonë për të arritur të drejtat tona, jo vetëm në sport. Kjo është shoqëria jonë dhe zgjidhja e situatave shihet vetëm tek dhuna.”
Në një situatë të tillë nuk bëhet fjalë vetëm për sportin por për të gjithë shoqërinë në tërësi. Ndryshimi vjen dalëngadalë dhe me dëshirën e duhur për ta bërë, duke nisur që nga mënyra e të menduarit.
“Duhet të ndryshojmë mentalitetin, konceptin e të menduarit. Duhet të jemi të sjellshëm. Tek dhuna e ushtruar ndikon papunësia dhe diferenca sociale. Të gjitha këto sjellin rebelimin e njerëzve dhe më pas dëgjojmë lajme të tilla si dhuna në sport, sherr midis të rinjve apo dhe të tjera si këto.”
Në kampionatin shqiptar është bërë traditë që në startin e tij të kemi 4 apo 5 skuadra që kërkojnë titullin dhe pjesa tjetër Europën. Mungesa e objektivititet dhe i të parit gjërat me realitet sigurisht që ndikon edhe në menaxhimin e situatave të tilla, pasi kërkohet rezultati me çdo kusht.
“Sporti nuk është i papërfshirë në dhunë. Si popull sanguin nëse nuk fitojmë një ndeshje i zgjidhim gjërat me dhunë. Duhet t’i marim me radhë, ne jemi një popull me argument, me bagazh por përsëri përdorim forcën. E duam diçka dhe e kërkojmë menjëherë.”
Infrastruktura e sportit në Shqipëri lë shumë për të dëshiruar, teksa lajmet që shoqërojnë javë pas jave futbollin shqiptar është çështja e pagesave. Pothuajse pjesa më e madhe e skuadrave shqiptare ka probleme të mëdha financiare kundrejt futbollistëve dhe ky është një tjetër faktor që ndikon në rritjen e stresit. Rregullatori në këtë mes duhet të jetë shteti, ashtu si në çdo fushë të jetës edhe në futboll duhe vendosur lehtësira për ata që investojnë.
“Nëse kemi dhunë në familje kjo ndodh nga papunësia. Në të gjitha hallkat varfëria është e madhe. Një individ duke mos patur nevojat bazë nuk funksionon dhe kjo vlen në çdo fushë. Shteti duhet të vërë dorë për çdo individ dhe klasë shoqërore.” (SS)
Shteti duhet te vere dore. Hëmm… Mir e ke ti por sporti duhet te jete gje qejfi. Nese mileti ka qejf te zihet e te rrihet c’faj ka shteti?! Çfare duhet te beje shteti qe te ndeyshojme mentalitetin, ashtu siç thua zotrote? Fatkeqsisht mentaliteti nuk ndryshon me urdher nga shteti. Shteti vetem mund te rrisi dozen e dajakut. Dhe ja ku dalim ne perfundimim se demokracia nuk ben per ne