Marrja e pushtetit jashtë radhe, një punë e koklavitur

11 Mars 2019, 18:29Blog TEMA

Nga Skënder Minxhozi

Pak ditë më parë Besnik Mustafai hidhte një tezë e cila prek thelbin e situatës ku ndodhet sot opozita shqiptare. Ai shprehej se opozitës i duhet një projekt, që të shoqërojë djegien e mandateve. Një plan për të ardhmen, jo vetëm një levizje për të tashmen. Një alternativë për ditën kur eventualisht saga e protestave të kthehet në një telefilm të përsëritur me gjithnjë e më pak njerëz dhe energji.

Apeli për një projekt rezervë ka të bëjë dukshëm me idenë se, vetë dalja nga sistemi
politik, përbën një projekt me shumë risk dhe me pak siguri brenda. E ardhmja e PD, reputacioni dhe pesha e saj elektorale janë në pikëpyetje. Ky gjest i fortë ose do të tërheqë nga pas gjithnjë e më shumë përkrahës (e atëhere s’ka nevojë për kalkulim tjetër), duke
prodhuar gjithmonë e më shumë presion mbi qeverinë, ose do të bjerë në rutinë dhe do të bjerret gradualisht. Ashtu siç ndodhi dy vjet më parë me Çadrën, e cila sot pranohet gjerësisht, edhe brenda PD, se ishte një operacion që në fund të rrugës prodhoi humbjen më të thellë të PD që nga vitet ’90.

Po mbyllet një muaj që nga dita kur protesta e 16 shkurtit i dha udhë largimit të opozitës nga Kuvendi. Në këtë hark kohor Basha, Kryemadhi dhe Berisha kanë shkaktuar një shkundje të elektoratit të tyre besnik. Por duket se ende nuk kanë mundur të lëvizin nga vendi zgjedhësit që qëndrojnë në mes, elektoratin gri. Në protestat e javëve të fundit nuk
është e vështirë të vërehet se, për shembull, Tirana gjysmë-milionëshe nuk ka lëvizur nga vendi. Dikush shprehej me të drejtë këto ditë se kur Edi Rama të shohë baballarë dhe nëna me fëmijë në krah, që dalin në protestë, do të kuptojë se i ka punët keq.

Në vend të kësaj dallge njerëzish, protestat opozitare kanë ofruar “ushqimin” e zakonshëm: militantë të sjellë kryesisht nga rrethet, fjalor agresiv oratorësh dhe përplasje me policinë. Aksioma “protestë paqësore-protestë e madhe, protestë agresive-protestë e vogël” duket se është veçanërisht e vërtetë në këtë rast. Vërshimi i 16 shkurtit, i madh dhe relativisht i paqtë (përveç luftës me derën e Kryeministrisë) ja ka lënë vendin rrethimit agresiv të Kuvendit.

Opozita ja doli ta nxjerrë Shqipërinë tek Euroneës dhe BBC, por nuk është se i bëri
ndonjë shërbim të madh vetvetes. Paneli i atyre që e kanë kritikuar për dhunën në protestë dhe për daljen nga parlamenti, është sot më imponent se kurrë. Fillon në Uashington dhe mbaron në të gjitha kryeqytetet kryesore të Evropës. Ndërkohë që një pjesë e deputetëve të listave po shkelin edhe firmat që hodhën për të mos pranuar, e po hyjnë në Kuvend.

E këtu del në skenë më i fortë se kurrë shqetësimi i mungesës së një Plani B! Çfarë kanë menduar krerët e opozitës, nëse procesioni i protestave nuk do të sjellë rezultatet që prisnin? Mos të harrojmë se pas dere janë zgjedhjet lokale, e kjo e bën çeshtjen e pushtetit
vendor më emergjente sesa ajo e pushtetit qëndror. Para se të rrëzojë Ramën, Basha e Kryemadhi duhet të vendosin ç’do të bëjnë me Voltana Ademin, Xhelal Mziun dhe krerët e tjerë bashkiakë nëpër Shqipëri, të cilët janë në fund të mandatit të tyre.

Më tej akoma, nëse kthehemi tek problemi i negociatave me qeverinë, cili është qëndrimi i opozitës ndaj ftesave tashmë publike të Presidentit e Kryeministrit për të nisur dialogun?! Dhe pasi ky dialog të ketë nisur, çfarë janë të gatshëm të sakrifikojnë nga kërkesat e
tyre, për të bërë paqen politike?! Sepse afërmendsh do të ketë lëshime nga dy anët, siç është normale të mendohet.

Për momentin Basha sheh para syve të tij një oborr të mbushur plot përkrahës në selinë e PD dhe duket se ndjehet mirë. E vërteta është se ai grumbull njerëzish është shumë pak, që të mund të përfaqësojë të gjithë shqiptarët. Rama nuk rrëzohet me cikle protestash njëmujore, të cilat zgjasin disa orë e më pas shuhen sikur të mos kenë qenë fare.
Asnjë qeveri nuk bie me kaq pak trysni. Është një mësim që dikur-kryeministri Berisha na e ka mësuar, qoftë dhe me kosto të skajshme njerëzore.

Opozita nuk mund t’i besojë vetëm arsyes së forcës, por duhet të përgatitet edhe për forcën e arsyes. E cila sugjeron se në një betejë kaq komplekse dhe me kaq shumë pengesa, duhet të kesh në dorë jo një, jo dy, por e pakta tre karta rezervë. Çfarë duket se Lulzim Basha nuk i ka në këtë moment. Dhe kjo e bën edhe më të ekspozuar pozitën e tij
dhe fuqinë reale të opozitës për të diktuar në këtë fushë shahu, ku Rama duket më komod dhe i mbuluar nga rreziqet. Sepse ka më shumë se një zgjidhje në tryezë. Mund të provokojë zgjedhje të parakohshme, mund të hyjë i vetëm në zgjedhjet lokale (në 2017 ndërkombëtarët i dhanë leje të hynte i vetëm në zgjedhjet e përgjithshme), mund të
afrojë votimet e përgjithshme diku nga viti 2020 ose mund të propozojë qeveri të përbashkët me opozitën. Sot që flasim opozita nuk duket se ka ide të qarta për asnjërën nga këto alternativa. Është kapur pas hirit të mandateve të djegura, por siç dihet hiri është fundi, jo fillimi. Çadra tregoi se marrja e pushtetit jashte rradhe është një punë e koklavitur.

4 komente në “Marrja e pushtetit jashtë radhe, një punë e koklavitur”

  1. Flutura says:

    O Skender leksionesh, paske perfunduar ciklin e llogjikes se forte, s’ke me argumenta. Ke nderruar rolet me Vasjarin . Ky eshte bere me racional. Ti!!!???

  2. Arber iliri says:

    Jo pune e koklavitur por pune e ndyre dhe me ere muti.qeverisja ne demokraci fitohet me zgjedhjet

  3. TERRI says:

    Analist i respektueshem per nga niveli!Ndonese te paket ne kete vend analizohen problemet politike siç duhen dhe kur duhen me rrugdaljet e saj apome qorrsokaket e aventurave te liderve te saj!Problemi madhor sot per Shqiperine nuk jane as Rama as Luli as me pak Monika e cila quhet kryetare pasi disponon çelsat e kasafortes se LSI pasi de faco kryetar eshte Xhulio Andreoti( toto Likja)i cili nga do qe ta analizosh e kthesh do ti gjeshe nga nje afere ,problemi themelor i saj eshte se politiken e parlamentin e ka zene rruga e per pasoje ne nuk kemi politikberrje e ne ç’do moment jemi ne pozicione krize!Me e stabilizuar e me komode eshte Kosova se ne ne kete drejtim!Po ti besh nje analize nje per nje te gjithe atyre qe sot perfaqesojne ligjberrjen jane ose tifoze te liderit tetyre ose ekstremiste qe perdoren per te tilla raste,qe paguhen per te tilla raste qe po tu besh nje test asnjeri nuk di hymnin kombetar deri ne fund!Kjofale dhjemokracise se instaluar nga ata qe e rropen kete vend e sot na mburrin se kemi bere hapa te medha ne rrugen demokratike,ku ne fakt ne jemi njelloj si ne 90 ku Ylli Bufet edhe sot deklarojne (kapteri Nishani)se Shqiperia do te kete buke edhe per nje muaj e pas ketaj do te kemi nje krize financiare ku nuk do te marrim dot as pensionet (qahet ai qe nga gomar partia e vurri ne krye te te gjithe kafsheve te pyllit duke e emertuar president sepse nxorri ne prite Kosta Trebicken duke i shpetuar djalin djallit Berishe)!Ndaj pa rilindjen e nje gjenerate te re politike ku te jene te arsimuar ne kete fushe e jo merr nga rruga e fut ne parlament,nuk mund te pretendojme qe Shqiperia do te mund te kete politikeberrje e stabilitet demokratik!Te gjitha vendet e ish bllokut te lindjes qe dolen nga kjo aleance po i denojne te gjithe ata qe abuzuan me pushtetin keto vite tranzicioni e ne jo vetem qe nuk bejme asnje perçapje ne kete drejtim por edhe vazhdojme e i veme ne funksionet me te larta te shtetit !Nje vend qe nga ka institucione demokratike te instaluara e ne funksion nuk mund te pretendoje kurr qe po nderton nje te ardhme per popullin e saj por perkudrazi do te jete gjithe e varrue nga aleatet e medhenj te saj qe per te berre shurren ne kete vend duan dollare apo euro!

  4. Amy says:

    Po tama, nuk mund te behen plane B plane C etj, ku mendohet dhune per te marr pushtet, jo mor skender, e vjen keq por nuk ke analize te drejte, PD te shkoj ne zgjedhjet lokale dhe aty ta shikoj veten sa votues do kete ? bashke me LSI-ne, llafet e tjera jane dogma per te prodhuar dhune, nuk mund ti marresh tjetrit pushtetin kur e ka legjitim, prit zgjedhjet futu dhe fito, ky eshte plani, ska plane te tjera, te tjerat jane si protestat e bera,

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje