Nga e marta e 5 marsit, kur ishte protesta e fundit e opozitës së bashkuar, kryeministri Edi Rama ka bërë rreth 10 dalje publike në media.
Atë të martë në Kuvend, përpara se të nisej për në Itali, Rama shtriu dorën e bashkëpunimit për të fundit herë…
Në të dyja intervistat në “Rai Uno” e “La 7”, Rama e distancoi protestën e opozitës nga populli.
“Ajo që shihni nuk është një revoltë e popullit. Nuk është populli ai në shesh. Është një revoltë në pallatin e politikës”, tha Rama.
Përgjatë ditëve në vijim, Rama pati takim me studentët ekselentë që u punësuan në administratë sipas paktit për universitetin, por asnjë fjalë për opozitën.
Profilin e aktivitetit Rama e ruajti edhe në takimin në Akademinë e Policisë, në takimin që pati me presidentin e FSHF, Armand Duka, pas dhunës së arbitrave në fushën e gjelbër, apo në eventin e përjavshëm të bashkëqeverisjes.
Protesta dhe opozita e fshirë nga fjalori i kryeministrit, ishte shembulli që duhet te ndiqnin edhe socialistet.
Në mbledhjen e kësaj jave të grupit parlamentar, u ndryshua e gjithë strategjia e selisë rozë.
Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi, porositi deputetët e majtë që të tregohen indiferentë ndaj atyre që braktisën Parlamentin dhe të fokusohen te rendi i ditës në diskutime.
Edhe në Fier, kryesocialisti nuk pati kohë të mendojë për opozitën, i rrethuar nga gra e vajza për 8 mars.
Qetësia u prish për “Ditën e Verës”, kur uroi Lulzim Bashën, ndërsa një ditë para protestës lëshoi dhumbin e radhës nga Berati.(A2 CNN)