Nga Preç Zogaj
Që nga dhjetori i vitit 1990 më është dhënë rasti dhe privilegji të jem themelues dhe bashkëthemelues i gjashtë mediave të shkruara, tri prej të cilave vazhdojnë sot e kësaj dite, e tri të tjera “flenë me lavdi”, siç do të thoshte me humor një miku im, e këtu do të doja të përmendja jo vetëm për nostalgji, por edhe për t’i njohur një pararendëse eventit që na ka mbledhur, gazetën “Aleanca” të periudhës 1992 — 1996, rreth së cilës qenë mbledhur disa prej liberaldemokratëve më të njohur të kohës, si: Gramoz Pashko, Neritan Ceka, Spartak Ngjela, Arben Imami, Arben Demeti, Shahin Kadare, Blendi Fevziu, Blendi Gonxhe, Ridvan Peshkëpia etj., etj.
Në të gjitha këto nisma, sa më takon mua, kam pasur në mendje një gazetë të mendësisë dhe etikës liberale demokrate të qendrës së djathtë. Dhe ja ku gjendem sot, për kënaqësinë time të madhe, në themelimin dhe promovimin e gazetës, që i bie në kokë dhe e vulos këtë udhëtim.
Gazeta “Liberale” është një krijesë e Henrit, Arionit, Elvisit dhe gjithë një stafi të kualifikuar që është mbledhur rreth tyre. Unë i bashkohem këtij projekti të çmuar hëm si publicist, hëm në cilësinë e Presidentit të ri të Institutit “Pashko”, që është institucioni ombrellë i botimeve dhe projekteve studimore të Universitetit Europian të Tiranës.
E kam për nder të marr nga profesori dhe miku ynë i respektuar, Selami Xhepa, stafetën e përfaqësimit të institutit, të cilin Henri Çili e ka ngritur për të nderuar trashëgiminë politike e intelektuale të Gramoz Pashkos dhe lidhur me këtë, për të promovuar liberalizmin si doktrina më efektive që ka njohur deri më sot historia e civilizimit botëror.
Shpeshherë, njerëzit me dhunti profetike i lënë më shumë të thëna se të shkruara profecitë e tyre. Në mjedisin tonë shpërthyes të viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, kjo sentencë i shkon për shtat Gramoz Pashkos, liberalit par excellance, që shndriti si meteor në horizontin e epokës së re të demokracisë, duke i shënuar si pakkush fillimet dhe kursin e saj, por që fati i keq deshi që ai të ndahej prej nesh në moshë të re. Pashko është profeti ynë i ekonomisë së tregut të lirë. Unë mund të kërkoj dhe të gjej në intervistat dhe tekstet e tij plot ilustrime të kësaj që sapo thashë. Ai shihte përpara, larg, atje ku shumë prej nesh do të mbërrinin me kalimin e viteve dhe shumë të tjerë nuk kanë mbërritur akoma!
Dëshiroj të sjell sot në vëmendjen tuaj një detaj që ma merr mendja flet më bukur se dhjetëra fjali për largpamësinë, e cila nganjëherë është edhe vetë vepra e qenies njerëzore: shndritjen e syve të Gramozit sa herë dëgjonte për hapjen e ndonjë biznesi të ri, restoranti të ri apo edhe një dyqani të vogël privat. Ndalej dhe i vizitonte sa herë i jepej mundësia këto “lule të para” të ekonomisë së tregut ose nisej enkas nga zyra për t’i vizituar kur investimi ishte domethënës. I shihte i magjepsur sikur kishin dalë e po dilnin drejt e nga ëndrra e tij, duke mbushur dalëngadalë tokën e Shqipërisë.
“Ky është i sëmurë, i duken rrotullamet e djathit si vepra arti, mjaft që t’i ketë prodhuar privati!”, më thoshte Teodor Keko kur na qëllonte të shkonim pas Gramozit në “përurimet” e tij pa media.
“Mendoni ju se do të bredhë njeri lart e poshtë si udhëheqës i madh kur të bëhet Shqipëria e ekonomisë së lirë të tregut? Do të qeshi bota me të, o të dashur poetë”, na thoshte. Në fakt, nëse është e vërtetë se poetët shohin larg, siç thuhet për ta, poeti numër një në atë rast ishte vetë Pashko.
Shumë prej profecive të tij janë bërë realitet këto tri dekada, në mjaft aspekte Shqipëria është vite dritë përpara asaj që trashëguam nga regjimi komunist.
Por profecia e sfumimit të “Udhëheqësve të Mëdhenj” nuk është realizuar akoma. Kjo do të thotë se liberalizmi është akoma larg si kulturë e administrimit të pushtetit, e funksionimit të politikës, ekonomisë, arsimit, shëndetësisë, kulturës, sportit dhe gjithë veprimtarive të tjera njerëzore.
Çdo gjë të mirë që kemi si vend dhe si individë këto tri dekada e kemi falë zbatimit të parimeve liberale. Çdo gjë e keqe na ka ardhur e na vjen nga shartimi i elementeve të ekonomisë së tregut dhe shtetit të së drejtës me punizëm, etatizëm, klientelizëm, populizëm, arbitraritet etj., shartim i cili jo vetëm e shfuqizon liberalizmin, por më e keqja, mundëson korrupsionin endemik.
Le ta themi me zë të lartë dhe me bindje: Shqipëria është kjo që është, e stresuar, e prapambetur, e pazhvilluar, e ngatërruar, me korrupsion shumë të lartë dhe me shpresë të rënë, sepse nuk është akoma ekonomikisht dhe politikisht liberale në kuptimin e mirëfilltë të fjalës.
Por shkaku i së keqes është edhe arsyeja për të besuar e shpresuar: liberalizmi është zgjidhja reale dhe gjithëpërfshirëse për mirëqenien e shqiptarëve, për zhvillimin dhe pasurimin e vendit. Liria, shanset e barabarta, sundimi i ligjit dhe konkurrenca e lirë dhe e ndershme në të gjithë piramidën e ekonomisë dhe politikës, vënia në piedestal e konsumatorit, qeveria e vogël, shembja e kapitalizmit shtetëror maskuar si ortakëri me sipërmarrjet klienteliste që fitojnë pa gara dhe shpenzojnë pa asnjë audit të rregullt paratë e taksapaguesve – këto janë disa nga sfidat për të prekur një të ardhme shumë më të mirë.
“Bëhuni gati, një e ardhme e re po troket!” Ky është slogani i fashës së qeshur të liberaldemokratëve, i atyre që i patën dhanë një dorë dhe shkëlqim gjithashtu ndryshimeve që ndodhën në Shqipëri në vitin 2005, por që më vonë nuk e kanë gjetur veten në shartesat e liberalizmit me etatizmin dhe punizmin e elitave drejtuese. Më lejoni t’ju them modestisht se me kartëvizitën e UET-it vij me dëshirën për ta riveshur me besimin tim të plotë këtë thirrje: Bëhuni gati, një ndryshim i madh po vjen, Shqipëria po mbyll një cikël kompleks të historisë së saj dhe po i hapet liberalizmit funksional si thirrje e epokës! Në mos qoftë ky për momentin trendi i një shumice etatiste që vazhdon ta kërkojë çdo gjë nga shteti, duke projektuar për rrjedhim drejtues të vjetër të prerjes etatiste, ne do të jemi këtu një ishull, një rrokaforte e qendrës krijuese liberaldemokrate. Qeverive do t’u kërkojmë në mënyrë konstante vetëm një gjë: llogari!
“Historia e civilizimit perëndimor mishërohet më shumë se në gjithçka, në një luftë të paepur për lirinë”, shkruan Ludving Von Mises në librin e tij të mrekullueshëm “Mentalitetit antikapitalist”. Dhe “Liria e vërtetë e njeriut në kontekstin e jetës shoqërore është funksionimi i ekonomisë së tregut”, theksoi ai.
Kaq e thjeshtë. Kaq madhështore.
Për këtë është krijuar dhe funksionon Instituti “Pashko”. Ai që ka mbledhur ndër vite disa prej mendjeve më të hapura e të ndritura të këtij vendi, të rinj e të moshuar, gra dhe burra. Të gjithëve u shpreh mirënjohjen time të thellë. Instituti do të vazhdojë në këtë rrugë, në respekt të mendjeve të hapura në institucionet e tjera shqiptare. Liberaldemokratët janë bashkë në universin e principeve që ndajnë. Në këtë kuptim ne jemi të gjithë Instituti “Pashko”!
*Fjala në prezantimin e gazetës “Liberale”
Po edhe ti o byrazer ke merita po je pa shtylle kurizore pasiqe, duket akoma nuk je piekur tamam,te mesoi shkolla te shkruash por nuk munde ti vest ne jete far mesove me mencuri e largepamesi, nuk e lecit dot politiken,ndjej keqardhje NDAJ, themelo edhe ca gazeta te tjera, te vafte mbare !! E nje keshille miqesore:MOS u merr me me politike,funksioni Yt ne ate fushe ka mbaruar qe ne ato fillime kur gati te beme Hero e te vinait nia pas!!!Sorry
Z:Prec Zogaj jo per te shprehur ndoje mellef ndaj jush se skam pse,por ti mbete ne historine e politikes dhe gazetaris mbas 90,por mbete thjeshte si nje legen.Legeni gjendet prane cdo shtepie,por ka legen me la kembet dhe legen per pune tjera,ti mbete thjshte legen me la kembet te tjeret
Ose pak si i madhe po shume i pa vlere.Sepse kete e din ti !!!!!!!!!!!!!!!!!????????