Ultrasit e Partizanit tashmë duken gjithnjë e më të sigurt se ky është viti ku ata do të festojnë përsëri titullin kampion. Barazimi 1-1 me Kukësin lë pak vend për dyshime dhe mbështetësit e kuq kanë dashur të falënderojnë ekipin në mënyrën e tyre për rezultatin që i afron edhe më shumë me trofeun e kërkuar për më shumë se dy dekada.
Qindra mbështetës të cilët kishin udhëtuar drejt Shkodrës sot, kanë “pushtuar” një restorantet e qytetit ku gjendej ekipi duke konsumuar darkën para kthimit në Tiranë. Për pak minuta, ultrasit e kanë kthyer restorantin në një stadium të vërtetë, duke përshëndetur lojtarët ashtu siç dinë ata, me koret e tyre.
Padyshim që ishte një surprizë shumë e këndshme për ekipin dhe stafin që ka falënderuar tifozët për këto emocione e sidomos për mbështetjen e jashtëzakonshme gjatë të gjithë këtij sezoni, duke filluar që në javët e para, atëherë kur pakkush realisht mendonte se kjo skuadër mund të luftonte për titull.