Kanë kaluar 365 ditë, një vit i plotë nga dita kur Kristiano Ronaldo, atëherë me bluzën e Realit të Madridit, shtangu të gjithë Torinon me roveshatën spektakolare, e cila la të palëvizur portierin Bufon.
Në fakt ajo nuk ishte thjesht një roveshatë e zakonshme, ajo e Ronaldos ishte një akrobaci, një vepër arti e cila nuk mund të linte indiferent tifozët e pranishëm në “Allianz Stadium”. Edhe pse kundërshtar, edhe pse Ronaldo shënoi kundër ekipit të tyre të zemrës, tifozët bardhezi komplimentuan veprimin e portugezit dhe i ofruan një “Standing Ovation”.
Ishte pikërisht kjo që impresionoi Ronaldon dhe ishte ky momenti kur luzitani filloi të mendonte për një aventurë të re në karrierë. Ndërkohë pas një viti lëvizja është realizuar dhe CR7 është në Torino, luan për Juventusin dhe tifozët e “Zonjës së Vjetër” më në fund mund të gëzojnë golat që Ronaldo shënon për kampionët e Italisë.