Në ditën e dytë të vizitës në Tiranë, zv/ ndihmës sekretari i Shtetit, Matthew Palmer do të takohet me Presidentin Ilir Meta dhe krerët e opozitës.
Fillimisht Palmer do të zhvillojë një takim me krydemokratin Lulzim Basha në orën 13:45 dhe pas një ore, zyrtari i lartë i DASH do të takohet me kryetaren e LSI, Monika Kryemadhi.
Në orën 17:30 Palmer do të takohet me Presidentin Ilir Meta.
Ndërkohë, pjesë e axhendës së tij është edhe një takim me disa gazetarë shqiptarë.
Ditën e djeshme, ai u takua me kryeministrin Rama, takim i cili zgjati rreth 100 minuta në Kryeministri.
Pas takimit, kryeministri Rama shkroi në twitter duke e cilësuar si një takim të frytshëm si dhe duke zbuluar temat për të cilat u diskutua.
“Marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale, integrimi europian i Shqipërisë, dialogu Kosovë-Serbi dhe situata politike në vend, në një bashkëbisedim të frytshëm që na gjeti në dakordësi të plotë me zv/Ndihmës Sekretarin e Shtetit, Mathew Palmer” shkroi Rama
Mbetet për t’u parë si do të ndryshojë situata politike në vend pas vizitës së zyrtarit të lartë të DASH, i cili pas Shqipërisë do të vizitojë edhe vendet e tjera të Ballkanit.(TemA)