Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, do të takojë të hënën homologun e tij rus, Vladimir Putin, çka mendohet se do të acarojë marrëdhëniet e tensionuara me ShBA-në.
Të dy liderët do të takohen për herë të tretë këtë vit, kësaj radhe në Moskë, ku pritet që të diskutojnë për një operacion ushtarak në Siri, si dhe për shitjen e raketave ruse Turqisë.
Turqia, e cila ka mbështetur opozitën rebele të Sirisë në luftën civile që ka përfshirë këtë vend, prej dy vjetësh bashkëpunon me Iranin dhe Rusinë, që janë mbështetësit kryesorë të Bashar Assad-it për të mbrojtur luftëtarët kurdë të Sirisë.
Luftëtarët kurdë janë aleatët kryesorë të ShBA-së.
ShBA-ja ka dënuar planet e shitblerjeve ushtarake Turqi-Rusi, plane të cilat rrezikojnë aleancën e Turqisë me NATO-n.
Zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence, është shprehur se Turqia duhet të marrë një vendim, nëse do të jetë një partner i rëndësishëm në këtë aleancë, apo të rrezikojë bashkëpunimin me vendime të tilla.
Diplomati i Uashingtonit, Mike Pompeo, ka paralajmëruar ministrin turk të Punëve të Jashtme, Mevlut Cavusoglu, për pasojat rrënuese të veprimeve ushtarake të njëanshme në rajon.
Një zëdhënës i presidencës turke, në mbështetje të takimit të së hënës, tha se të dy vendet po ndërmarrin veprime në shërbim të integritetit territorial të Sirisë dhe të luftës ndaj terrorrizmit. (TemA TV)