Ata që “shesin shpirtin për kolltuqe” dhe Sejfulla Malëshova pa huqe…

21 Prill 2019, 19:44Blog TEMA
Ata që “shesin shpirtin për kolltuqe” dhe Sejfulla

Kristo  MËRTIRI

Shtepia e Sejfulla Malshoves ne Limar (Malshove)

Iku marsi. Po shkon edhe prilli. Askush nuk u kujtua për filozofin, politikanin, një nga udhëheqësit më të kulturuar të Luftës Antifashiste Nacionalclirimtare, poetin rebel të Vegjëlisë, kryetarin e parë të Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, të pavdekshmin Sejfulla Malëshova. Nuk pipëtinë as shteti e as pushteti. Polit(h)ikës i kullot mendja gjetkë, rreth e rrotull kolltuqeve të majta e të djathta. Nuk është fjala thjesht për një përkujtim lindjeje a vdekjeje. Se Tranzicioni ynë “lesharapi” ka gati 3 dekada që ëndërron në tym, i bën petullat me ujë dhe nuk po sëkëlldiset hic për kthimin e mjaft vlerave në antivlerë. Por “heshtjen” tinëzare e namusqare, papritur e pakujtuar e thyen pabesisht e poshtërsisht ca kalemxhinj të akshamit që cuditërisht kanë veshur kostume firmato “antikomuniste” nëpër rrumpallën shqiptare. Një ditë prej ditësh nxorrën një Listë si shkreptima fletë-rrufeje për miletin e cdo feje. Dihet furra e furrxhiu. Dihet gatimi. Dihet edhe pjekja (kupto: djegia) e së vërtetës në zjarrin e urrejtjes provinciale dhe të petavrave antikombëtare. Doli me mellan e katran edhe emri i Sejfulla Malëshovës !

Na dëgjo pak, miku ynë në metropol, nuk ishte lapsus e as lajthitje pranverore në majë të thanës. Sepse po të kesh durim e të lexosh atë Listë zezonë, me siguri hyn me mend e del pa mend ! E cilësojnë “kriminel” edhe vakërriotin (patriotin) tonë të kolmë që koha bishtdhelpër dhe fati e qëlluan me gurë e drurë. O Perëndi e madhe ! Duan të qëllojnë qorrazi mbi Antifashistin dhe opozitarin e përjetshëm përballë të keqes, mbi mbrojtësin e palëkundur të Vegjëlisë, mbi Demokratin e rrallë e dinjitoz, mbi atdhetarin 24 karat…Duan të qëllojnë edhe mbi lotët breshër të motërzezës që e përcolli krejt e vetme në atë botë, mbi ca grushte dheu të Myzeqesë. Ndërsa jehona pikëllimë e dy vargjeve ulërimë, dëgjohet sot e gjithë ditën :”Dhe tani jam këtu/ Mbeta vetëm si kërcu”. Ose shënimet ilegale në internim ku qëllonte pa mëshirë servilë e dallkaukë, ata “që shesin edhe shpirtin për kolltukë”…Vite më parë, ti miku ynë, ke hedhur disa shënime të titulluara bukur e drejtpërdrejt : Politikanët zengjinë nuk e duan Shqipërinë si Sejfulla Malëshova. Nëse mundesh, hidhi prapë e më fort në media. Përndryshe, do na mbulojnë këllirat e këtij Tranzicioni këllirë…(Rashë në një mendje me vërsnikët e mi te Gryka e Këlcyrë-Mezhgoranit).

…Peshtani ynë i shenjtë, djepi që na përkundi të dyve me këmbët buzë Vjosës, nuk është as sa një vrap pele nga Limari i Sejfullait, bile gjyshi im i quante si dy mëhalla nën catinë e malit Golik mbi kokë. Cati që derdh përjetësisht erë lulebliri, trëndeline, caji e dafine; blegërima me këmborë e zile; këngët dehëse të thëllëzave, bilbilave, mëllenjave e tufat drithëronjëse të zogjve të tjerë shtegtarë; gurgullima burimesh e krojesh nëpër sylynjarët me ujët e bekuar për njeriun,për syskat, bejkat e kabadhet pjellore të bardha si bora; për kopshtet qëndisur me perime e për kazanët që pjekin rakinë cdo vjeshtë; për zahirenë dimërore me misër, pastërma, bulmet e trahana, vetë jetën për mbijetesën mbi tokë. Atë mal perëndie të mbytur në pyje e kullota e kanë ende zili e lakmi sot e kësaj dite, vecanërisht ato faqet e rrahura nga dielli ku hedhin valle sorkadhja, lepuri i egër, nuselala, dhelpra e kunadhja leshverdhë…

-Ore babam, jo më kot Lame Kodra (pseudonimi letrar i Sejfullait) dhe të tjerë gjer në Amerikë e gjetkë, autorët e mjaft shkrimeve publicistike i përhapën me emra të pagëzuar nga trojet tona:”Shtegu i Pelës”,”Gropa e Derrit”,”Golik Vjosa”,”Zasteni”,”Bathishta”,”Qafa e Furkës”,”Lëmi i Thanës”,”Bregu i Kulunxhiut”,”Kroi Plak”,”Buza e Savës”,”Guri i Shkallës”etj.Në fund të botës të shkosh, vendlindja të fanepset e magjishme edhe në gjumë,edhe në castet e pakthyeshme të lamtumirës njerëzore,-hynë në bisedë me një afsh tjetër dashurie, miqtë e mi mëmëdhetarë që jetojnë e punojnë te ato Gryka.-Kuvendo si të thotë zemra, por ti ndoshta nuk e di që Sejfullai i vogël është rritur edhe në Mezhgoran, te njerëzit e nënë Pashakos që e kishin nip të vetëm në Limar. Mirëpo le ta dinë të gjithë: Për prindërit tanë e për ne(sic tha edhe ai shkrimtari disident), Trebeshina e Goliku u bënë Baba Tomorri ynë…Poeti rebel e liriku fjalë mjaltë është vlerësuar me të drejtë edhe si poeti më i madh i vegjëlisë gjatë Luftës Antifashiste Nacionalclirimtare. Vargjet e tij, jo rastësisht populli i ktheu në në këngë e kushtrim para e pas betejave për liri. Ja,mbaj mend kur më the se ishe kënaqur shumë gjatë takimit me Vangjel Vllahon, ish partizanin 13-14 vjecar që nuk e tradhëtoi asnjë sekondë idealin prush të atdhetarisë, ndershmërinë e tij gati proverbiale, urtësinë dhe modestinë e rrallë. Sejfullanë e pa për herë të parë në komandën e vendit,në Mbrezhan, kur erdhi pas Kongresit historik të Përmetit. Gati 20 vjet mërgim i detyruar pas Revolucionit Demokratik të Qershorit, nuk ishin pak. Erdhi e u vu në ballë të Luftës, me kokën plot, me dashuri, mëncuri e trimëri. Por vjershat kishin ardhur më herët se ai. Vangjeli dhe një grup nga djemuria e Mbrezhanit ia morën vendce këngës himn “Si e dua Shqipërinë”. Se poeti luftëtar nuk i honepste mirë mitingjet e daullet. U përqafua me të gjithë dhe u ul këmbëkryq me partizanët e fshatarët vakërriotë(patriotë), që shikonin e dëgjonin gjithë sy e veshë. Pa fjalim të shkruar e pa qibër. I shtruar e popullor me zemër. E përcollën gjer në Malëshovë e Limar si birin e tyre, pa mësuar nga goja e tij se ishte zgjedhur në udhëheqjen më të lartë të Luftës…Po mua më zien koka rreth një fakti të pamediatizuar e të paanalizuar nga analistët e mbytur gjer në grykë nga ujërat partiake të sotme dhe pyes shpesh veten, vërsnikët e mi të paktë por edhe ty miku im, që jeton në kryeqytet:-Si shpiegohet që 3 poetë mes Golikut e Trebeshinës, u goditën aq pa mëshirë nga regjimi i djeshëm (Sejfullai, Kasëmi e Trifoni) ? I pari u dënua përfundimisht me vetmi ulëritëse e u internua, i dyti u syrgjynos nëpër qelira e burgje dhe i treti u pushkatua jo shumë kohë pasi kish hedhur në letër atë vargun tejet tronditës për dje, për sot e për nesër:”E shkreta ti, moj Republikë,\Në emrin tënd të marrin jetën !…”.

Karakteret e forta dhe të paepura, idealet e pastra historikisht mbajnë në këmbë shtete, popuj e kombe. Mbajnë gjallë lirinë e vërtetë, demokracinë. Prandaj ndershmëria ka qenë, është e do të mbetet politika më e mirë. Sepse Sejfulla Malëshova me shokë, ishin qysh në fillim armiq të betuar të lepepeqërisë e kundër karaktereve të qullosura, kundër cdo lloj favori e privilegji të pamerituar. Xanxar apo rebel, fatlum apo tragjik dhëmbjeshumë ?! Ishte kohëtrazuar, kur revolucioni po fillonte të “hante bijtë e vet”…Edhe vetë poetin e vegjëlisë që e donte Shqipërinë edhe “Për një stan në Trebeshinë\Për një ledh e për një mur\Për një shkarpë e për një gur\Për kasollen mbi Selishtë\Për dy ara në Zallishtë\Për një lopë e një gomar\Për një balo , një manar\Unë e dua Shqipërinë\Si bari e si fshatar…”. Me shpirt të helmuar, e donte edhe si poet i dhëmbshuruar ! Po kush e ndjeu dhe e vlerësoi me shpirt këtë palcë atdhetarie të vecantë, që nisi të shpalosej qartë edhe te mendimi ndryshe, te guximi me kokën në torbë ? Ti më thua shpesh, miku im, se edhe në luftrat kundër dushmanit, përgjithësisht në lule të ballit e hëngrën më trimat, ata që nuk bënin hesape vetëm për veten. Por kjo ishte një luftë tjetër ndoshta më e egër dhe brenda familjes e gjakut në breza, tamam si mola që ha trarët e shtëpisë ! Pa dyfekë e pa mortaja… Shpesh buzagas e plot qesëndi, ti më kujton atë fjalën therëse labërishte me dy presa nga koha e monizmit:”Iku kordha, jatagani\Doli pena dhe mellani !…”. Nga një firmë e nga një vulë, mund të mos ngrije kokë kurrë.

Zengjinët politikanë kanë patur e kanë vetëm një kandar, atë prej batakciu. Elektoratin popull e dinë sikur ha vetëm bar dhe në vend të mallkimit “Harram” u thotë qorrazi “Hallall”! Ndërsa kur bie fjala për himnin e Sejfulla Malëshovës “Si e dua Shqipërinë”, të quajnë edhe “jashtë kohe” ose thjesht provincial. Politikanë të tillë as që dinë se ku bie fshati që lëngon. Ethet e parasë së pistë u ngjajnë edhe dy bulcive të fryra nga korrupsioni, prandaj nuk bëzajnë dot dhe ndoshta nuk duan të dinë asnjë varg nga Sejfulla Malëshova, Kasëm Trebeshina e Trifon Xhagjika. Paraja u ka lidhur mëndjen, sytë, veshët dhe gjuhën. Po medias elektronike e asaj të shkruar, kush ua ndryshk penën, mikrofonin e kamerën ? Një humnerë varfërie intelektuale, qytetare, publicistike e profesionale! Fjala vjen, përtej kufirit shtetëror, Agim Vinca mëndjehollë e vlerëson Lame Kodrën e viseve të mia edhe si “flamur të idealeve shoqërore e poet të frymëzuar kombëtar”. Ndërsa Pashko Gjeci i mirënjohur theksoi se “fryn erë shqiptare” dhe veconte e recitonte me kënaqësi “Klithma e Dragobisë”,”Poeti rebel” dhe “Bilbilenjtë”. Unë mbaja mend një ligjërim publik të Nolit të madh, kur i quajti pa mëdyshje “të frymëzuara me zjarrin e shenjtë”! Ndërsa Konica, kur po gremiste sytë, në shënimin e tij të fundit i drejtohet “Lamja im i vogël”…

Një regjim mund të të bëjë memec, por jo të të tjetërsojë. Ai nuk e kthente dot fytyrën nga të frynte era. Sepse sot, në gjykimin tim, koha ka ardhur për të bërë jo vetëm një gjyq moral ndaj politikanëve zengjinë e mashtrues. Përse nuk tregohen ende burimet e vërteta të pasurive marramendëse ? Ose më thuaj, të kam rixha, përse po vrapojnë biznesmenët milionerë nëpër strehët e partive politike, për të përmbysur kolltuqet e Kryetarëve apo për t’u mbajtur frymën gjallë shtresave në nevojë ?! “…Përunjem, përunjem mëkatar\Përpara fjalës së larë: Qytetar !”. I ka shqipëruar në internim, as i gjallë as i varrosur, buzë Gjanicës. Gjer sa dha frymën e fundit mes vetmisë tragjike sa një mal, ishte dhe mbeti kundërshtar i pamëshirshëm ndaj favoreve e privilegjeve në kurriz të qytetarit. Nuk heshti,edhe kur mbi të ra Shpata e Damokleut. Prandaj politikanët hajdutë e zengjinë nuk e duan Shqipërinë si Sejfulla Malëshova. Shkurt, sot edhe paraja e pistë po e bën tradhëtarin patriot dhe patriotin tradhëtar !…Një episod i vockël tragjikomik, ka mbi 50 vjet që tregohet ende në Ballsh, Fier e gjetkë. Hijet ogurzeza e ndiqnin në cdo hap. Dy-tre agallarë lokalë i dërguan një hallexhi naiv te dera e barakës:-Dua të më bësh një samar për gomarin…-Po kush të dërgoi këtu ?,-e pyeti prerë Sejfullai, ndërsa fshatari i padjallëzuar tregoi me dorë provokatorët dallkaukë përtej dritares.- Unë bëj samar për ata që të dërguan ty, jo për gomarin tënd !…

3 komente në “Ata që “shesin shpirtin për kolltuqe” dhe Sejfulla Malëshova pa huqe…”

  1. Betim Rata says:

    Sejfulla Malshova, nje figure e ndritur.Gazetari e sjell ate me realizem dhe dashuri. Njerzit kane nevoje te dine per figura te tilla, se tek ne jane lene pas dore. Si mundet qe busti i tij nuk ngrihet ne nje nga parqet ne kryeqytet e te kujtohet e te shkruhet me shume per te. Figure e madhe, e paharruar.

  2. Demokrati says:

    Cilin friksonte intelektuali i shquar Malshova? Progresisti, njeriu me kulture teper te admirueshme do ta psonte prej kesaj rrace. Kryetarit te Lidhjes Shkrimtareve dhe minister arsimi dhe kulture, Sejfulla Malshova donin ti mbyllnin gojen edhe si demokrat i shquar ishte per nje mendim te lire, per nje bashkepunim te ngushte me perendimin. Shqiperia per te nuk mund te kuptohej e mbyllur dhe as konservatore por dhe as pa inisiativen private.
    Nderim per te dhe respekt per gazetarin Mertiri.

  3. lisi says:

    Keta jane shqipetaret; GJITHMONE LEPIJNE ATY KU PESHTYJNE -PRANDAJ NUK BEJME HAJER KURRE. Maleshova qe e do te mbetet perjete nje armik i ketij vendi.Apo do t’i ngrene ndonje monument si MUT-HATIT.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje